top of page

Fatmir Terziu: Dypamësi...


Kthim

Nga Fatmir Terziu

 

E kam këtë fotografi në dorë edhe sot.

Por ajo gjithnjë më mbush sytë me lotë.

 

Herë më del një zjarr i shuarr në hi.

Herë shikoj një zemër,

që bëhet prush në sy.

 

Mos më thuaj se ti e ke grisur një ditë.

Mos më gënje nëse e ke zhdukur atë.

Ky fakt nëse s'do ishte risk për fotografitë,

lotët do të ishin asgjë.

 

E qara

Nga Fatmir Terziu

 

E qara e parë e fëmijës është ardhja në jetë,

kuptimi i përvuajtur i nëntë muajve në terr.

E qara e lindjes është si një lajmërim,

por vetëm një grimcë.

Dita ditës e qara ligjërohet si një himn.

Kështu jeta e kthen në një personifikim,

pra, kur e qara bëhet një korr,

askush nuk e ndalon as me forcë.

 

 

Baba

Nga Fatmir Terziu

 

Mora vendim ti vendos një ditë,

vetëm një pikë.

 

Mendova se të jesh baba është sikurse fjalitë,

që kanë një strukturë,

një rend,

në morfologji, sintaksë, apo gramatikë,

por jo pika ime digjej si një gjigand në një furrë,

ringjallej nga hiri përditë.

 

Të qënit baba nuk ishte si një fjali.

 

Sa herë që mendoja për pikën,

më shfaqej një tjetër vegim,

dhe sapo e largoja ditën,

ndjeja edhe në errësirë më shumë detyrim.

 

Pema gjatë vjeshtës

Nga Fatmir Terziu

 

Sa herë që këputet një kokërr hyj thellë në mendime.

Rishtas më shfaqet përpara një botë anonime.

Pastaj më rrokulliset një hije.

 

Në mes të dyjave ndjej frutat e tua të buta,

duke më turbulluar me mendime të prushta.

 

Ndërsa më bëhen mendimet fije-fije,

të të kuptoj mendërisht, më ndihmojnë të urtat:

„një pemë natyrshëm ka shije

kur i piqen frutat“.

 

Luçiana

Nga Fatmir Terziu

 

Shtatë germa të të mbaja në zemër ty,

ndoshta aq ditë sa iu deshën Zotit,

të ndriçonte me zemër një Gjithësi.

 

Unë nuk e di pse Zoti u ndal tek gërma „i“

pasi dha dritë në Gjithësi me sukses,

ndërsa unë s'e them vetëm për çudi

u ndala tek e njëjta germë në mes,

të të huazoja dritën në sy,

si tek një qiri që ndriçon errësirën deri në mëngjes.

 

E tashmë kjo shkurtesë qenka si huqi,

edhe mbesa Elize të quan: „Nana Luçi“.

 

Dypamësi

Nga Fatmir Terziu

 

Më jep sytë e tu, të lutem, më the:

„Dua ta shoh botën sikurse me sytë e tu e sheh“.

Unë buzëqesha dhe ti nuk e vure re.

Në sytë e mi qëndrojnë ka kohë

një palë sy të tjera që askush nuk mund t'i shohë.

Më shumë errësirë,

më shumë netë pagjumë,

më shumë lotë të ngrirë,

në fakt sikurse e shikoj botën unë.


Me djersë e shuaj etjen

Nga Fatmir Terziu

 

Së bashku e tëra,

çdo thërmijë është pjesë e një troshe,

një bukë: që nga gruri, mielli, brumi deri tek e bëra.

 

Ndodh që buka e thyer të mos ngjitet si më parë,

ndarja nuk është më thjesht një fjalë.

 

Është si një thes me grurë i shpërndarë në ugar.

ose kur përzihet egjra me farë,

ose sikur çafkat e çukisin në arë.

 

Rënia e çdo thërrmije më shqetëson mua,

sepse unë njoh jo vetëm mbjelljen,

farën dhe grurin,

prandaj nëse kërkon të dish si e bluaj,

me frymë e rrotulloj gurin

dhe me djersë e shuaj etjen.

 

Liqeni

Nga Fatmir Terziu

 

Në këtë liqen natën flejnë edhe yjet,

ditën një zot e di se çfarë fshihet,

edhe pse asgjë s'dihet,

ky liqen është si një bamirës me emër

(në thellësi ushqen peshqit, dhe gjithçka që fshihet)

në sipërfaqe i jep jetë hapësirës me gjithë zemër.

 

Ju që e prekni këtë liqen sadopak në trup

imitojeni për këtë dhunti pa turp!

Por, kujdes mos e ngucni në valë

ju djeg si zjarr.

 

Sakrificë

Nga Fatmir Terziu

 

Veshët nuk mund të dëgjojnë një tjetër sakrificë

më të goditur se në Grykë të Rrugovës

rënia e Ujëvarës pa zhurmë e pa frikë,

është një leksion për të gjithë ujëvarat e botës.

92 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page