top of page

Fatmir Terziu: Diskursi i një poezie të poetes Arjana Fetahu Gaba


Nga Fatmir Terziu

 

Dua të shqyrtoj poezinë e poetes, Arjana Fetahu Gaba, ‘Epitafi të jetë poezi, për të filluar të eksploroj disa nga çështjet e ngritura në një pasazh ekzistencial të kuptimit pse varret në mbarë botën ndajnë më shumë poezi sesa mund të imagjinohet.

Për të kontekstualizuar shkurtimisht burimin, 'Epitafi të jetë poezi' u botua në një nga disa postimet e saj të shkurtra poetike të ndërlidhura që meditojnë mbi jetën, ekzistencën, familjen, dashurinë, botën e sensualizuar të natyrës, tërësinë ekzistenciale natyrore, objektet, trupi i njohur, trupi-si-tjetri, familja, Tjetri, aspekti i ndërlidhjes dhe lidhjes jetike e mjaft të tjera. Gjuha e Arjanës, në mënyrë të pazakontë për shqipen e kësaj kohe, të ndarë në insinuata qytetërimesh, krahinash, që është sa Çamërore, aq dhe thelbësore është e brendshme, e pasur me emërtesë diskursive dhe e ngulitur fort në estetikën në zhvillim të një grupi poetësh dhe poetesh premtues avangardë në zhvillim, të vlerësuar e më së shumti dhe veçanërisht e vlerësuar në të gjithë hapësirën krijuese shqiptare. Vdekja ka gjuhën e vet në kontekstin e kësaj poezie:

Të gjithë do të vdesim një ditë

E kemi të shkruar

Ti vdekjen s'mund ta gënjesh

Nga "ajo" asnjë s'ka shpëtuar

(Arjana Fetahu Gaba, ' Epitafi të jetë poezi'; 2024).

Kjo është e vërtetë në aspektin estetik (në një kulturë vizuale funerare), dhe në aspektin gjuhësor. Përtej informacionit të qartë të gdhendur mbi varre, emrat, vitet e lindjes dhe të vdekjes, epitafet ofrojnë gjithashtu informacione të shkurtra, të papritura për jetën e njerëzve që nuk ekzistojnë më, mesazhe për të cilat pronari i varrit, në përgjithësi, nuk ka luajtur asnjë rol. Si burime, ato janë të errëta dhe gjithashtu pak të studiuara në formë gjuhësore.

Një poezi e tillë na shpie pas në kohën kur fare mirë e dimë të gjithë se megjithëse mbishkrimet mbi varre kanë ekzistuar që kur njerëzimi mund të gdhendte gurin, në rastet e kulturës së sotme, mes kësaj poezie rifreskohet ajo që ishte gjatë shekullit të 17-të që epitafet filluan të viheshin në bazë të poezisë, ku dominonin citate biblike dhe për të dhënë përshkrime të jetës së të ndjerit, ose të së ndjerës:

Po ashtu dhe unë si të gjithë

Do të vdes, e po pastaj?!

Asnjë gur për shënjë s'do t'më mbesë,

Por kjo s'më bën fare të qaj“.

(Po aty)

Ky vargëzim, mbetet si një informacion diskursiv është si një preambulë e shkëputur nga tërësia epitafore që e shpërndarë nëpër kultura të ndryshme të botës që u jep gjuhëtarëve dhe studiuesve nga disiplina të tjera të dhëna për jetën e atyre që janë varrosur në një varr dhe për shoqëritë në të cilat ata kanë jetuar. Nëpërmjet kësaj poezie, ne hymë më tej në kërkim për të gjetur thelbin. Mes atij thelbi mësojmë se një nga karakteristikat më të rëndësishme të epitafeve (e cila gjithashtu anashkalohet lehtësisht) është se ato janë bërë për të gjallët, për ata që mbeten në këtë botë. Ato janë një mënyrë për të nderuar, kujtuar dhe riafirmuar përkatësinë e të ndjerit në një grup, një familje, një fe, ose brenda një sistemi moral. Kështu, ndër të tjera, ato janë burime për informacione të paçmuara historike dhe sociale. Në të njëjtën mënyrë, gjuha e përdorur në mbishkrime (në rastet kur datat nuk tregohen) tregon edhe kohën në të cilën është bërë mbishkrimi dhe, rrjedhimisht, kontekstin historik të personit që prehet aty. Prandaj dhe poetja e talentuar, Arjana Fetahu Gaba, në vargjet. Esaj të kësaj poezie shumëdimensionale, që meriton vëmendje shkruan:

Do t'heshtni për pak ju që më doni

Një bisedë do t'kem me të shtrenjtët e mi

Do t'u them që të mos harroni

Epitafi të jetë poezi“.

(Arjana Fetahu Gaba, ' Epitafi të jetë poezi'; 2024).

Sikurse ndodh të lexohet gjetkë në epitafe të tilla, edhe poezia e poetes flet me elementë të tjerë, si mesazhet e fshehura, që mund të flasin për të vdekurit në një gjuhë që anon drejt simbolikës dhe metafores. Vargu „Një bisedë do t'kem me të shtrenjtët e mi“, në përgjithësi tregon se mesazhi është i shenjtë dhe i shtrenjtë, po aq besimtar se të dashurit në të gjallë do të zbatojnë këtë amanet për ikjen dhe në vend të tij do të plotësojnë dashurinë e një poezie që e bën epitaf dhe akoma më të pavdekshëm se ai do të lexohet për të gjallët dhe nga të gjallët, nga brezat që pasojnë dhe vazhdojnë vazhdimësinë e jetës në Tokë. Një poezi e tillë me përmbylljen e poshtëcituar shkon në diskursin më të plotë të mesazhit:

Ah, mos ma prishni shikimin ngultas qiellit

Se një këngë do këndohet për mua

Gatuar me lotin në cepin e syrit

Dhe me fjalën e fundit "Ju dua"

(Arjana Fetahu Gaba; po aty).

Kështu poetja Arjana Gaba Fetahu, ‘Epitafi të jetë poezi’ edhe me këtë poezi të ideuar thjesht, por bukur e fort diskursive, na bën të rikthejmë vëmendjen tonë të duhur e të domosdoshme tek talenti i saj gjithnjë e gjithnjë në rritje.

 *****************************************************************************************************

Poezia e plotë:

 

Epitafi të jetë poezi

Nga Arjana Fetahu Gaba

 

Të gjithë do të vdesim një ditë

E kemi të shkruar

Ti vdekjen s'mund ta gënjesh

Nga "ajo" asnjë s'ka shpëtuar.

 

Po ashtu dhe unë si të gjithë

Do të vdes, e po pastaj?!

Asnjë gur për shënjë s'do t'më mbesë,

Por kjo s'më bën fare të qaj.

 

Veç një lëndinë me bar do të kem

Ku mëngjeset do t'më lajnë me vesë

Natyrisht as Zoti tim

S'do ti jem më në kujtesë.

 

Por, para se ti shkoj asaj lëndine

Një lutje e kam si një amanet

Mos më lëvizni nga qetësia

Sa të ndërrojë këtë jetë.

 

Le t'më shkumbëzojë pështyma

Si shkumë valësh që desha aq shumë

Le t'më mbyllen qerpikët e bukur

Si një fëmijë në gjumë.

 

Flokët e bardhë lëmini shpurpuritur

Rrudhat mos mbi mbuloni me gjë

Ato të tregojnë një shpirt të harlisur

Dhe një mall që qan nën zë.

 

Do t'heshtni për pak ju që më doni

Një bisedë do t'kem me të shtrenjtët e mi

Do t'u them që të mos harroni

Epitafi të jetë poezi.

 

Ah, mos ma prishni shikimin ngultas qiellit

Se një këngë do këndohet për mua

Gatuar me lotin në cepin e syrit

Dhe me fjalën e fundit "Ju dua"

150 views1 comment

1 Comment


Guest
Oct 15

Ah moj poetja jone Arjana sa bukur ke pershkruar vargjet!! Ti Meriton me shume se kaq you are one of the best people I know inside out, and I’m glad to see you succeed in this journey,more than you have achieved.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page