top of page

Fatmir Terziu: Diktati i Zemrës

  • Jul 25
  • 4 min read

TREGIM

 

Mos më quani të marrë. E ndjeva. E ndjeva se si kërciste fiksimin e imazheve. Dhe thashë me vete, eh, Zoti bën mrekullira. Pastaj u shkunda. Si mund të strukej një aparataxhi, ore, më saktë një fotograf në zemër?! Mu duk çmenduri. Eh, ku i shpëton njeriu asaj…

Njeriu që flet gjatë për çmendurinë e vet është zakonisht i çmendur. Unë nuk do të bëj asnjërën. Më mjafton t'ju them se nuk kam parë kurrë aq qartë sa atë dimër, kur dëgjoja kohën të merrte frymë. Jo, jo orët e murit. Ato heshtnin. As kambanat e kishës që fytyrën e saj e imitonte korniza në murin e paradhomës. Ato ishin larg. Ishte diçka tjetër. Një tik... një tak... i ngadaltë, i durueshëm, si një njeri që pret në prag pa trokitur. Në fillim mendova se vinte nga shtëpia. Pastaj kërkova nën dysheme.

Më vonë, në oxhakun me qymyrguri të banesave tipike të Jorkshires, ku na kishin vendosur përkohësisht nga Lufta. E në fund, kur nuk gjeta asgjë, kuptova se zëri nuk banonte në mure. Banonte tek unë. Çdo mbrëmje, sapo errësohej, ai fillonte. Tik... tak... tik... tak...

Jo si zemra ime. Zemra ime rrihte shpejt, e çrregullt, e lodhur nga vitet. Ky tingull ishte i qetë. Tepër i qetë. Sikur i përkiste një zemre që nuk kishte frikë nga vdekja. Isha vetëm në atë shtëpi prej tetë muajsh. Që kur ishte larguar Elia. Mos e kërkoni në regjistrat e të vdekurve. Nuk do ta gjeni. Askush nuk e pa të vdiste. Askush nuk e pa të largohej. Vetëm unë mbeta me kujtimin e hapave të saj dhe me një filxhan porcelani që nuk e përdora më kurrë.

Më pyesnin shpesh: - Ku është?

Dhe unë buzëqeshja. - U largua.

Njerëzit besojnë gjithçka kur fjala "largim" shqiptohet pa dridhje. Por netët nuk besojnë. Netët dinë, dëgjojnë. Edhe unë dëgjoja. Tik... tak... Një natë mora një çekiç dhe shkatërrova murin pranë oxhakut. Mëngjesi më gjeti mes tullave, gëlqeres dhe pluhurit. Asgjë. Tiktaket vazhdonin. Ditën tjetër hoqa dërrasat e dyshemesë. Asgjë. Më pas çmontova tavolinën, raftin e librave, madje hapa edhe orën e vjetër të babait, të cilën ma kishte kurdisur për ditëlindjen time të tetëmbëdhjetë si dhuratë. Ama, thuajse mekanizmi i saj kishte vite që kishte vdekur. Por tiktaket jo. Sa më shumë përpiqesha t'i heshtja, aq më të qarta bëheshin. Filluan të ndryshonin. Nuk ishin më tinguj. Ishin pëshpërima, fjalë, të pakuptimta, të shtriqura mbi timpan të veshëve.

"Mbaje mend." Vetëm dy fjalë. Asgjë tjetër. "Mbaje mend." Mund të qeshni. Edhe unë do të qeshja, po të mos e kisha dëgjuar me veshët e mi. Mendova të largohesha. Mora një dhomë në kryeqytet. Kat i tretë. Mure betoni. Dritare nga bulevardi. Natën e parë fjeta mirë. Natën e dytë...

Tik...

Tak...

M'u duk se vinte nga jastëku. E hodha në dysheme? Ah, mu kujtua, si ballkanas që jam, e hodha nga… Jo. Nga …, tek tavani. Jo. Tek… Nga gjoksi. Po. Vura dorën mbi kraharor. Zemra ime nuk ndiqte atë ritëm. Ishin dy zemra. Njëra jetonte. Tjetra kujtonte. Që atë natë nuk fjeta më kurrë pa dritë. Kur njerëzit më flisnin, nuk i dëgjoja. Prisja pushimet mes fjalëve të tyre, sepse aty fshihej ai tingull.

Tik...

Tak...

Shkova tek mjeku. Mjeku më tha se vuaja nga lodhja. Vajta tek…, ai më tha të lutesha. Një mik më dha ilaçe. Asnjëri nuk dëgjoi atë që dëgjoja unë. Derisa erdhi pastruesja. Ajo ishte një grua e moshuar. Hyri në shtëpi, hodhi një sy përreth dhe më pyeti:

- Pse e ke mbuluar pasqyrën?

Nuk dija ç'të përgjigjesha, sepse nuk e mbaja mend ta kisha mbuluar. Ajo e zbuloi. Dhe bërtiti. Jo aq shumë fort. Vetëm aq sa bërtet njeriu kur sheh diçka që nuk duhet të ekzistojë. Kur u afrova, pashë veten. Por nuk isha vetëm. Pranë meje qëndronte Elia. Nuk ishte fantazmë. Nuk ishte as si ndonjë hije, nga ato të Folkloreve që kisha lexuar tërë atë kohë. Nuk më ngjante si ndonjë kujtim. Ama më vështronte vëngër. Ashtu  dinake. Por, pa zemërim. Vetëm me një trishtim që nuk mund të përshkruhet. Atëherë m'u kujtua. Jo gjithçka. Vetëm një mbrëmje. Kisha mbyllur kapakët e një libri që kisha shkruar vite më parë dhe kisha ndjerë… Një debat. Një derë që u përplas. Një shtytje. Shkallët. Heshtja. Dhe pastaj... Vendimi për të mos treguar. Nuk e lëndova me qëllim. Jo! Mos e shkruani këtë. Mos e mendoni. Ishte vetëm një çast. Një çast që vendosi të jetonte përgjithmonë. E varrosa të vërtetën. Jo trupin. Të vërtetën. Dhe ajo, si çdo gjë e varrosur keq, filloi të merrte frymë. Që prej asaj dite, tiktaket nuk ishin zemra e saj. Ishin sekondat e fajit tim. Çdo rrahje numëronte një gënjeshtër. Çdo pauzë më pyeste pse heshta. Nuk munda më. Sot erdha vetë këtu. Askush nuk më arrestoi. Askush nuk më ndoqi. Vetëm zëri.

Tik...

Tak...

Tik...

Tak...

Ju që më dëgjoni tani, ndoshta nuk besoni. Edhe unë nuk do të besoja. Por sonte, kur të fikni dritën, mos dëgjoni orën. As erën. As shiun. Dëgjoni heshtjen, sepse ka raste kur zemra nuk rreh për të mbajtur njeriun gjallë. Rreh për të mos lejuar që e vërteta të vdesë. Dhe nëse, mes errësirës, dëgjoni një tik... një tak... të ngadaltë, të durueshëm, mos kërkoni në mure. Mos hapni dyshemenë. Mos thyeni pasqyrat, sepse disa tiktake nuk vijnë nga koha. As nga vetë dhimbjet, as nga vetë historia, as nga vetë luftërat. Lufta e Kosovës. Kush e shkruajti dhe e mbajti mend? Kujt i rrëndon sot ndërgjegjja? Tiktatekeve… Tiktaket… ah, …  Ato lindin në çastin kur ndërgjegjja fillon të numërojë atë që njeriu ka bërë gjithçka për ta harruar.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page