top of page

Fatmir Terziu: Diaspora shqiptare është patriotike, apo nacionaliste?



 

Cili është identiteti politik i diasporës shqiptare? Nga ajo që ndodhi në një takim me Ministrin dhe drejtuesin politik të Diasporës në PS, Taulant Balla, fakti i atij takimi e analizon këtë pyetje pas shumë vitesh të ekzistencës së shqiptarëve jashtë vendit.

 

 

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptare dhe vota e larmishme e shqiptarëve jashtë vendit më bënë të mendoj sërish për preferencat e habitshme politike të bashkatdhetarëve të mi. Ndodhi që të mirëkuptoj këtë nga takimi i një pjese të komunitetit shqiptar në Britani të Madhe me Taulant Ballën, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që është edhe kreu politik i PS-së për Diasporën, ndaj e ardhmja e kësaj vazhdon të më emocionojë. 23 vite arsimim dhe punë në Britani të Madhe nuk më kanë fshirë theksin dhe pothuajse çdo javë në një dyqan apo zyrë më bëjnë pyetjen “Nga jeni?” duke më kujtuar vazhdimisht origjinën time kombëtare. Dua të pyes përsëri: „A ka rëndësi kur dëgjojnë përgjigjen, unë e shoh Shqipërinë si një njollë të bardhë në hartë që pasqyrohet në sytë e tyre, por megjithatë ka rëndësi?“

Gjatë këtyre viteve kam takuar lloj-lloj bashkatdhetarësh, krejt të ngjashëm me kategoritë e përshkruara nga bisedat e hapura në takimin me Ballën, e ku kryesorja mbetet se pse shqiptarët jashtë shtetit votojnë për arsye të ndryshme, por që më krysoret janë interesa të lidhura e të ndërlidhura. Dallimi midis disa shqiptarëve në Evropën Perëndimore dhe disa grupeve të emigrantëve shqiptarë në Britani të Madhe është se bashkatdhetarët tanë para „Brexit“ mbërritën në Britani të Madhe tashmë me pasaporta të ndryshme, të marra nga qëndrimi gjatë në emigrim në Greqi, Itali, Spanjë, Gjermani, apo dhe në ndonjë vend tjetër, dhe me pasaporta Bullgare, dhe Rumune, duke qenë se në Shqipëri janë përcaktuar disa kategori minoritetesh që marrin dhe kanë të drejtën e këtyre pasaportave. Shumica e atyre që kanë ardhur në forma të tilla nuk kanë arsim special, ose nëse janë kualifikuar në Shqipëri, e kanë të vështirë të gjejnë punë në këtë specialitet në Britani të Madhe, përveç të disa kokrrave që kanë marë diploma në vendet Perëndimore në fusha të ndryshme që afrohen me kushtet dhe ligjet britanike. Kjo krijon një sërë sfidash dhe zhgënjimesh. Dhe për këtë do të shkruaj ngadalë e do të shpreh atë që ndodhi në takimin me Ballën, por dhe mes fjalëve që ai shtroi duke marë në konsideratë dhe aspektin e pyetjeve dhe përgjigjeve gjithashtu.

 

Shkollat ​​shqiptare të së shtunës jashtë vendit

 

Ndonëse për një kohë të gjatë i kam ndjekur dhe i kam trajtuar në shkrime, ndodhi që për shkollat e arsimit plotësues të dëgjoj për herë të parë një plan që nis nga Greqia me temën „Mësues për Diasporën“. Pra jo ende për Britaninë e Madhe. Jo vetëm në këtë takim, por dhe në një tjetër, në krah të Deputetit të PS-së Lavdrim Krashi, që ka bërë dhe vazhdon të bëjë shumë për shkollat në Britani të Madhe, duke qenë dhe vetë Kryetar bordi në shoqatën më të angazhuar të këtij aspekti „Ardhmëria“, Ministri Taulant Balla theksoi se “Mësues për diasporën”, është Nisma më e re e qeverisë do të nisë nga Greqia. Pra, Programi “mësues për diasporën” është nisma më e re që pritet të miratohet nga qeveria. Këtë e njoftoi Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla nga Londra, teksa mori pjesë në hapjen e një shkolle të re shqiptare atje nga shoqata “Ardhmëria”, e cila drejtohet nga intelektuali Lutfi Vata. Balla theksoi se roli dhe pesha e diasporës po rriten me votimin në zgjedhjet e 2025, duke shtuar “Mësues për diasporën do të fillojë me Greqinë, ku nga buxheti do të paguajmë mësuesit që japin gjuhën shqipe në klasat që zhvillohen thuajse në të gjithë territorin e Greqisë. Dua t’iu garantoj këtu, shtoi Balla, se shumë shpejt do të kemi “mësues për Britaninë e Madhe” si program i qeverisë shqiptare, në bashkëpunim edhe me qeverinë e Kosovës. E fundit, edhe pse ndoshta nuk është vendi, mendoj është fillimi i mbarë i një qasje të re të marrëdhënies së shtetit amë me vëllezërit dhe motrat që jetojnë jashtë territorit”.

Tashmë nuk më habit fakti që Ministria jonë e Arsimit dhe Shkencës pas kësaj nisme duhet të botoj tekste të shkruara posaçërisht për shkollat ​​e arsimit plotësues jashtë vendit dhe madje duhet të përgatitet që t'i mbështes financiarisht. Aspekti tjetër që nuk do të mbetet befasues i këtij edukimi për mua do të ishte si do të ishte parapërgatitja e prania e qëndrimeve të forta patriotike, për të mos thënë nacionaliste, që do të mbeten të përfaqësuara jo aq në tekstet shkollore, sa do të promovohen nga mësuesit.

Gjatë një takimi prindër-mësues në një shkollë të „Ardhmërisë“, dëgjova një problem që vjen nga dialektet. Dikush e ngriti si një problem mes dy dialekteve Gegë dhe Toskë: “Kohërat na e trazuan këtë punë dhe emigrimi na e vodhi atë që kishim arritur ndër vite“, por “vjedhja” nënkupton që dialektet na "trazojnë shumë", por në thelb është gjuha, gjuha shqipe, që është edhe një nga mitet e identitetit tonë kombëtar. Dhe kështu si në takimin në fjalë, si në këtë hapje të gjerë e të mirëkuptueshme, të domosdoshme të shkollimit në Gjuhën Shqipe, po aq dhe në të tjera probleme faktet janë më të ndjeshme.

Dëshira personale e të gjithë prindërve për të edukuar fëmijët e tyre që lindin dhe rriten në Britani të Madhe, erdhi më shumë nga besimi se ata do të përfitonin shumë nga ana njohëse nga të qenit dygjuhësh dhe nga njohja e një kulture tjetër, dhe jo aq nga ambicia për të ngjallur ndjenja patriotike. Nuk i mohoj dobitë e një edukimi patriotik, por kur kthehet në nacionalizëm, shoh më shumë probleme. Dhe kjo më shtyu të bëj një studim mes shkollave shqiptare jashtë vendit.

 

Çfarë studiojnë studentët shqiptarë jashtë vendit dhe pse?

 

U takova dhe fola me drejtorë dhe mësues në Angli. Më duhet të theksoj se shumica e mësimdhënësve në këto shkolla kanë fëmijë që studiojnë atje, dhe në këtë kuptim mësuesit janë edhe prindër. Bazuar në 21 biseda dhe analiza të materialeve studimore, hulumtimi im tregon rezultatet e mëposhtme.

Së pari, mësuesit (dhe prindërit) kanë prioritet rrënjosjen e krenarisë patriotike dhe vetëdijes kombëtare (dhe ndjenjës së vetvetes), shpesh të bazuar në mite nacionaliste nga historia jonë në vend të fakteve. Zhvillimi kognitiv i nxënësve nuk është qëllimi i këtyre klasave. Përgjigjet, sidomos tek bashkëkombësit nga Kosova, përfshinin shprehje të tilla si: „Ai, pra patriotizmi, na ka ruajtur si komb gjatë ekzistencës tonë mijëravjeçare“ ose „Ajo është një fuqi dhe fuqi e madhe, që vjen nga paraardhësit dhe rrënjët tona“ (për gjuhën tonë), ose „Nuk po flasim për Sundimi osman, por për skllavërinë turke dhe ne i quajmë gjërat ashtu siç janë”.

Së dyti, 18 nga 21 të intervistuar vlerësojnë arsimimin shqiptar të fëmijëve të tyre sepse besojnë ose shpresojnë se fëmijët do të kthehen në Shqipëri. Nuk do të hyj në detaje për "skizmat" mes shkollave dhe shoqatave. Në raste të tjera, ideologjia nacionaliste ,ose trajnimi më intensiv fetar u gjet se ishte arsyeja e ndarjes, edhe pse thuhet se mjaft shqiptarë nuk e kanë problem këtë aspekt.

 

Politika dhe identiteti: Ka të drejtë shoku Ramiz Alia!“.

 

Rezulton se në një pjesë të diasporës shqiptare qëndrimi jashtë vendit ose e rriti ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe fetare, ose të paktën nuk e shuan atë. Në mënyrë të qartë, rezultatet lënë të kuptohet për disonancë në disa drejtime. Unë ofroj disa interpretime që mund të shpjegojnë këtë disonancë dhe, në shikim të parë, votën befasuese të shqiptarëve jashtë vendit. Këtë e shikoj dhe në shqetësimin e një emri diasporik, që më ngjan jo thjesht përshtaje në emër dhe mbiemër me ish-udhëhqesin pasues të Enver Hoxhës, dhe që e kishte emrin Ramiz Alia. Pasi ai drejtoi vërejtje për shtrirje më të gjerë të përfaqësimit socialist, Taulant Balla, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që është edhe kreu politik i PS-së për Diasporën, në sallë iu drejtua fjalë për fjalë „Ka të drejtë shoku Ramiz Alia!“. Kjo të shpie në kohë pas, dhe pse është një aspekt i sallës, por që jashtë përshtatjes dhe alegorisë së Ministrit ende mbetet larg, por që në fakt është edhe tek eksplorimi i aspekteve të ndryshme të migrimit.

Eksplorimi i aspekteve të ndryshme të migrimit, nga boshllëku i krijuar nga humbja e të afërmve dhe miqve, tek vështirësia e integrimit në një komunitet dhe kulturë të re, te shumë çështje që lidhen me zhvillimin e një identiteti të ri kulturor, disa studiues e krahasojnë procesin e migrimit në zi për shkak të pjesëve të humbura të identitetit individual dhe punës së vështirë për rikthimin e humbjeve.

Rezultatet e hulumtimit tim zbulojnë në një masë më të vogël, ose më të madhe traumat dhe sfidat e migrimit, si dhe ndjenjat që lidhen me nostalgjinë dhe idealizimin e atdheut, ankthet e shkaktuara nga pamundësia e emigrantëve për të gjetur vendin e tyre në shoqëritë e reja. Zgjedhja e mësuesve dhe prindërve për t'i dhënë përparësi edukimit patriotik dhe identitetit kombëtar mund të shpjegohet, nga njëra anë, me idealizimin e atdheut, dhe nga ana tjetër, me shqetësimet për pamundësinë për të arritur sukses të kënaqshëm social dhe ekonomik në një kulturë të re mjedisi.

Frika nga tjetri, e cila në sytë e shqiptarëve kërcënon, ose pengon vendin e tyre në shoqërinë e re, është një emocion thelbësor që motivon sjelljen e shumë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë. Krenaria kombëtare, shpesh e tejmbushur në nacionalizëm dhe e lindur nga nostalgjia dhe frika, projektohet në edukimin e fëmijëve të tyre ose në zgjedhjet politike.

Karta e lëshuar në takimin me z Taulant Balla, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, që është edhe kreu politik i PS-së për Diasporën, e bën më të qartë këtë. Kjo kartë është e kuqe. Ka dy duar që formojnë simbolikën e shqiponjës ku në të dy hapësirat e tyre dominn fjala „Krenarë“ dhe me germa kapitale plotësohet „Për Shqipërinë“. Në të njëtën hapësirë shkruhet po me germa kapitale: „Dëshiron të japësh kontributin tënd për të mbështetur Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për vizionin #Shqipëria 2030# duke shtuar sërrish #Krenar për Shqipërinë# dhe #vetëm përpara#. Një zë që qëndronte ulur afër meje pëshpëriste dhe unë hera-herës ia ktheja kokën teksa thoshte „po presin degën në të cilën po qëndrojnë.“ Kjo është padyshim e vërtetë, por edhe nga frika votojnë në këtë mënyrë. Një politikë e tillë luan me frikën e një popullsie të margjinalizuar që nuk arrin të kapërcejë sfida të ndryshme ekonomike dhe sociale dhe gjen një shpjegim të lehtë për këtë: faji është diku tjetër dhe tek tjetri.

Dhe demokracia në Shqipëri nuk është aspak aq e fortë, dhe kjo më çon në përfundime të trishtueshme. Shpresojmë se do të mbizotërojë sensi famëkeq i shëndoshë i shqiptarëve, që një pjesë pret atë që shkruhet në atë kartë të kuqe, dhe tjetra ende në thirrje për protestë.

20 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page