top of page

Fatmir Terziu: Debati mbi organizimin e shkrimtarëve, mbi domosdoshmërinë e një zëri institucional

  • May 17
  • 4 min read

Penat e sotme, apo tema-problemet e sotme

Fatmir Terziu

 

Sot kufijtë fizikë janë bërë më të depërtueshëm se kurrë. Komunikimi ka kapërcyer përmasat tradicionale të shtetit, kombit dhe vetë konceptit klasik të kulturës kombëtare. Ndërsa pena e sotme gjendet përballë një paradoksi të madh. Ajo është më e lirë se dje, por edhe më e vetmuar. Më e dukshme, ama njëkohësisht më e rrezikuar nga shpërndarja në zhurmën globale. Pikërisht në këtë nyje kohësh lind edhe debati mbi organizimin e shkrimtarëve, mbi domosdoshmërinë e një zëri institucional dhe mbi pyetjen thelbësore, çfarë përfaqëson sot krijuesi shqiptar në një botë ku identiteti kulturor nuk është më vetëm çështje territori, por çështje përfaqësimi dhe mbijetese shpirtërore?

Pyetjet e ngritura nga Dr. Mujë Buçpapaj nuk janë thjesht pyetje administrative për një organizatë apo për një strukturë të munguar. Ato janë në thelb pyetje mbi fatin e vetë kulturës shqiptare në tranzicionin e gjatë postideologjik. Sepse nëse dikur shkrimtari ishte i vendosur brenda një sistemi të kontrolluar, sot ai ndodhet në skajin tjetër: në një hapësirë të pakontrolluar, ku liria shpesh shoqërohet me shpërfillje institucionale dhe me mungesë mbrojtjeje profesionale. Krijuesi shqiptar i sotëm jeton mes dy poleve. Nga njëra anë kërkohet prej tij të jetë universalisht konkurrues, modern, i përkthyeshëm dhe i pranueshëm në tregun global të ideve; nga ana tjetër ai vazhdon të përballet me mungesën e mekanizmave bazë që garantojnë dinjitetin e profesionit të tij. Kjo e bën penën e sotme jo vetëm instrument estetik, por edhe akt rezistence kulturore.

Në këtë kuptim, debati mbi një organizatë përfaqësuese nuk duhet parë nostalgjikisht si rikthim tek modelet e së kaluarës. Çdo përpjekje për të rindërtuar një institucion krijuesish do të dështonte nëse do të mbështetej mbi frymën e centralizimit ideologjik apo mbi nostalgjinë për autoritetin e dikurshëm institucional. Koha moderne nuk pranon më hierarki të imponuara artistike. Ajo pranon vetëm autoritetin e meritës, të transparencës dhe të integritetit profesional.

Prandaj pyetja nuk është vetëm nëse duhet një Lidhje e re e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Pyetja më e rëndësishme është, se çfarë filozofie duhet të ketë ajo? Nëse një organizatë e tillë do të ekzistojë vetëm si simbol ceremonial, atëherë ajo do të mbetet një fotografi e zbehur e një kohe të ikur. Por nëse ajo ndërtohet si një mekanizëm real mbrojtjeje profesionale, juridike, ekonomike dhe kulturore, atëherë ajo mund të shndërrohet në një faktor emancipues të jetës kulturore shqiptare.

Në vendet ku ekonomia kreative konsiderohet pjesë strategjike e zhvillimit kombëtar, shkrimtari dhe artisti nuk trajtohen si figura romantike të vetmuara, por si prodhues kapitali kulturor. Libri, filmi, muzika, teatri, arti digjital dhe publicistika janë pjesë e industrive krijuese që ndikojnë drejtpërdrejt në identitetin dhe ekonominë e një vendi. Ndërsa në hapësirën shqiptare vazhdon ende një keqkuptim i madh. Krijuesi respektohet në fjalime, por rrallë mbështetet në politika konkrete. Kjo ka prodhuar një fenomen të dukshëm. Penat shqiptare janë bërë më individuale se kurrë. Secili lufton për mbijetesën e vet krijuese, për lexuesin e vet, për botimin e vet, për hapësirën e vet publike. Kjo ka sjellë një pluralizëm të natyrshëm, por edhe një fragmentarizim të rrezikshëm kulturor. Në mungesë të institucioneve përfaqësuese, krijuesi shpesh mbetet i pambrojtur përballë tregut, politikës, mediokritetit dhe informalitetit kulturor.

Megjithatë, organizimi nuk duhet të nënkuptojë uniformizim. Përkundrazi, sfida e kohës moderne është si të ndërtohet një organizëm që respekton dallimin, mendimin ndryshe, shkollat estetike dhe diversitetin kulturor. Një organizatë moderne e krijuesve duhet të jetë hapësirë debati, jo tribunë dogmash; institucion mbështetjeje, jo mekanizëm përjashtimi, urë komunikimi mes brezave dhe jo pronë grupimesh apo individësh. Në këtë aspekt, pyetja për një Kuvend të ri merr rëndësi jo vetëm procedurale, por morale. Një Kuvend i tillë do të kishte kuptim vetëm nëse do të ndërtohej mbi disa parime themelore, dhe kryesoret mbeten transparencë absolute, përfaqësim gjithëpërfshirës, statut demokratik dhe distancim të qartë nga çdo ndikim politik, apo klanor. Përndryshe, çdo tentativë do të rrezikonte të riprodhonte krizën që synon të zgjidhë.

Por ndoshta çështja më e thellë lidhet me vetë temat e sotme. Çfarë shkruan sot pena shqiptare? Çfarë e shqetëson atë? Në një kohë të migrimeve masive, të krizave identitare, të teknologjisë që zëvendëson komunikimin njerëzor, të luftës për vëmendje dhe të tregut që shpesh banalizon artin, krijuesi shqiptar nuk mund të mbetet peng i temave të vjetra apo i nostalgjive të konsumura. Penat e sotme duhet të guxojnë të hyjnë në territoret e reja të njeriut modern, vetminë digjitale, shpërnguljen emocionale, krizën e kujtesës, humbjen e dialogut njerëzor, raportin me identitetin dhe frikën e padukshme të kohës sonë. Kjo, sepse letërsia nuk jeton vetëm nga institucioni. Ajo jeton nga aftësia për të prekur të vërtetën e kohës. Dhe nëse organizimi institucional është nevojë praktike, atëherë rinovimi tematik dhe estetik është domosdoshmëri historike.

Nuk dua ta them si konkluzion, por si arsye e tij, pena e sotme shqiptare gjendet përballë një prove të dyfishtë. E para të mbrojë dinjitetin profesional të krijuesit dhe e dyta njëkohësisht të ruajë fuqinë shpirtërore të artit në një botë që konsumon gjithçka me shpejtësi. Kjo është sfida reale. Dhe ndoshta pikërisht këtu fillon përgjegjësia e madhe e çdo krijuesi, të mos shkruajë vetëm për të ekzistuar në tregun e ditës, por për të mbetur në ndërgjegjen kulturore të kohës.

4 Comments


Fatmir Terziu
May 17

Minush Hoxha ju falenderoj sinqerisht. Vlerësimi juaj prek thelbin e asaj që sot kërkon jo vetëm letërsia, por vetë kultura jonë kombëtare. Pra, një orientim të qartë drejt vlerës së mirëfilltë artistike dhe rolit emancipues të saj në jetën e shoqërisë. Jam plotësisht dakord me Ju se rruga drejt këtij synimi nuk është e lehtë. Ajo përballet natyrshëm me kundërshti, me mbetje ideologjike, me interesa të ndryshme dhe me vetë sfidat që sjell koha moderne. Por pikërisht në këto përballje sprovohet edhe forca e mendimit krijues dhe e institucioneve kulturore që duhet të jenë në shërbim të vlerës, jo të formalitetit. Mendoj se letërsia dhe arti nuk mund të ecin përpara pa një filozofi të hapur, demokratike dhe larg çdo…

Like

Minush Hoxha
May 17

.,, Pyetja më e rëndësishme është, se çfarë filozofie duhet të ketë Lidhje e re e Shkrimtarëve dhe Artistëve? Nëse një organizatë e tillë do të ekzistojë vetëm si simbol ceremonial, atëherë ajo do të mbetet një fotografi e zbehur e një kohe të ikur. Por nëse ajo ndërtohet si një mekanizëm real mbrojtjeje profesionale, juridike, ekonomike dhe kulturore, atëherë ajo mund të shndërrohet në një faktor emancipues të jetës kulturore shqiptare" Pyetje kjo që reflekton realitetin dhe që sinjalizon rrugen nga t'ia dal tek synimi. Z.Fatmir, e vërteta /dhe kjo është brënda po del edhe jashtë/ është sy synim përfundimtarë i një sajese është vlera artistike e tek kësaj del edhe ngritë kualitetin e jetes së një shoqërie. Natyrisht…

Like

Diamanta Zalta
May 17

Tamam Shqetesim per kohen qe kalojme ! SHQETESIM INTELEKTUAL !Pa nje institucion qe te kontrolloje cilesine e nje botimi , te mbroje te drejtat e shkrimtarit , te organizoje Krijuesit , pa distancim politik apo krahinor , etj etj jane tema qe djegin vertete . Ju jam mirenjohese per temen qe trajtoni ne publikimin tuaj me shume vlere !

Like
Fatmir Terziu
May 17
Replying to

Faleminderit. Pikërisht ky shqetësim intelektual, që Ju e shprehni me aq qartësi, është sot një nga sfidat më të mëdha të jetës sonë kulturore. Në mungesë të institucioneve serioze dhe të pavarura që mbrojnë cilësinë, të drejtën e autorit dhe dinjitetin e krijuesit, shpesh krijohet një hapësirë ku vlera humbet mes kaosit, improvizimit dhe ndikimeve jashtëletrare. Ndaj debati për organizimin e krijuesve nuk është thjesht institucional; ai është debat për kulturën, për standardin dhe për vetë të ardhmen shpirtërore të shoqërisë sonë. Jam plotësisht dakord me Ju se çdo strukturë e ardhshme duhet të jetë larg ndasive politike, krahinore apo grupore dhe të funksionojë mbi parimin e meritës, transparencës dhe respektit për krijimtarinë e mirëfilltë. Vetëm kështu mund të ndërtohet…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page