Dashuria që mbin si guri
Nga Fatmir Terziu
Gurët! Eh, gurët. Të vetmuar dhe të egër. Figurina të trazuara nga perceptimet. Karaktere të forta dashurie të rikrijuara nga shijet. Enigma që struken nga vitet. Më pëlqen të rri më shumë e të meditoj me gurët. Me gurët e paprekur nga duart e Njeriut. Me gurët që sillen si krijesa piedestale e që në sytë e mi hera-herës prekin astarin e qiellit. Të qëndrosh mes tyre është një shans unik për të rrjedhur kohën e ngurtësuar në mungesën e peshës së të shkuarës, të tashmes dhe të së ardhmes që përshkon ekzistencën në trupin tim, të ngurtësuar nga meditimi i gjatë. Qëndrimi pranë tyre është një tjetër gudulisje me diell. Gudulisje që më prek në mënyrë të shpërqendruar pa kërkuar asgjë nga unë. Pastaj një lidhje e urtë e zhurmës derdhet prej lëvizjes së tyre prej vendit dhe bota fillon të çelet me një sqep metalik që troket rrënjët në guaskën e gërvishtur të themelit. E mendja ime vazhdon të lexoj në damarët e tyre, që gërryhen nga ky sqep: „Guri i rrëndë, peshën në vend të vet!“ Sa mote kanë gurët e tillë?
Pastaj ata gurë që lëvizin vërshojnë nga katër drejtimet e botës. Lëvizin të mbrojtur nga unaza energjike e ndezur e strehës sime personale. Ka vend për gjithçka dhe për të gjithë. Dhe për një gur mistik, në zhegun e të cilit këndon refreni i artë i ëndrrave të tij, dhe për një livadh të pafund me gjelbërim smerald, ku jetojnë gurët e lëvizur nga maja, të cilët fluturonin në cifla nga realitetet e tyre. E mes të gjithë këtyre gurëve të prekur e të thekur nga duar Njeriu ngrihet, lartësohet, shembet e rindërtohet sipas moshës së vetë gurëve Historia. Historia që u ka shkruar gurëve fate në mure. Kështu që Historia kalon pranë një muri me trëndafila në kaskadë. Historia që mes gurëve të tillë lexohet si një shëtitje në mbrëmje. Historia që tund një gotë roze në verandën intime. Historia që zbret mes gurëve të Kalasë në vendlindje.
Në këtë shfletim të Historisë mes gurëve të Kalasë perëndimi i diellit zhytet duke lënë kapuçin e gjelbër të Ullishtes. Në një pikë tjetër të ngurtë e të harkuar, guri që mban Portën e Kalasë refleton drejt meje, sikur dëshiron të më tregoj ndonjë të fshehtë, pasi e ka mbrujtur nga shekujt. Është një e fshehtë e strukur si asnjë fantazi tjetër që ajo duhet të ma thotë me çdo kusht. Pranë saj, një korridor i shtruar me gurë është në hije, dhe Egnatia, e veshur me një tis pluhuri nga trokthet e kuajve shikon Bokanikun që ka hedhur supeve një xhaketë të bardhë. Poshtë në të dalë të Krastës bari i djegur nga dielli tregohet inkurajues nga një dolmen gjarpëri, përmes të cilit, nëse kaloni, bëheni të shëndetshëm, të fortë dhe të mençur. Nuk është e thënë që të kalojë tani. Unë mund të mos kaloj kurrë, ose asnjëherë. I përket legjendës. I ngjizet perceptimit.
Fundja kjo është gjëja e mirë e shpërqëndrimit. Nuk ka moshë. Nuk ka kohë. Nuk ka afate. Çdo gjë e pamundur është e mundur në të. Ndodh dhe nuk ndodh. Unë vendos. Ik dhe kthehem kur të dua, dhe mbi kokë buzëqeshin sytë e babait tim, mbi larushinë lara-lara që zbraz qielli poshtë deri në Shkumbin, ku shtrihet pllaja si me pika të errëta susami të spërkatura në dritë mjalti.
Më shikojnë sytë e Babait dhe unë po ujit kopshtin e rrethuar me gurë të skalitur. Dy kova me ujë të ftohtë për të shuar etjen. A i shuhet etja gurit?! Përmes dritares së kuzhinës, si në një portret përgjithmonë, babai im po më shikon në heshtje. Heshtje e gurit. Në këtë heshtje luan vetëm vetmia. Vetmia e lodhur e ngurtësuar nga dashuria. Aq e mirë dhe e pakërkueshme sa mund të jetë vetëm dashuria e gurtë. Dashuria që mbin tek truri, dashuria që mbin e jeton si guri!
Comments