Fatmir Terziu: Buza nuk donte të ikte nga hija e manit
- May 2
- 3 min read

Buza nuk donte të ikte nga hija e manit
Atje kishte vetëm një filiz. Filiz i njomë, që kishte mbirë nga shirat e shumtë në një rrënjë të vjetër, të mbetur si kujtesë e një kohe që askush nuk e rrëfente më. Nga ajo rrënjë, ngadalë e pa zhurmë, u ngrit mani. Në fillim i brishtë, pastaj këmbëngulës, e më pas i padiskutueshëm. Degët i shtriu si duar mbi tokë, gjethet u dendësuan, dhe hija e tij u bë strehë. Nën atë hije, Buza ndërtoi shtëpinë. Aty priti e përcolli njerëz, aty dëgjoi zëra, qeshi, u grind, u pajtua. Me kalimin e viteve, ai nisi ta ngatërrojë manin me vetë jetën.
“Ky man na ka mbajtur gjallë,” thoshte shpesh. Dhe askush nuk e kundërshtonte, sepse për shumë kohë, kjo kishte qenë e vërtetë.
Por si çdo gjë që rritet pa ndalesë, edhe hija nisi të bëhej më shumë se sa duhej. Në fillim ishte freski, më pas u bë zakon, e në fund u kthye në kufi. Drita nuk hynte më si më parë. Toka nën man ishte e fortë, e shkelur nga vite e vite qëndrimi në të njëjtin vend. Dhe megjithatë, jeta nuk pushon. Diku në anë, pothuaj fshehurazi, nisën të mbinin filiza të rinj. Ata nuk erdhën si kundërshtarë. Nuk kishin ardhur me sëpata për të rrëzuar manin. Përkundrazi, ishin rritur duke e parë si simbol, si një histori që duhej vazhduar. Por historia, mendonin ata, nuk mund të jetë vetëm një trung i vetëm. Duhej të kishte degë të reja, rrugë të tjera, frymëmarrje më të lirë.
Një ditë, më i guximshmi prej tyre foli:
“Ne duam të rritemi. Duam të provojmë të mbajmë edhe ne peshë mbi këtë tokë.”
Buza e dëgjoi në heshtje. Fjalët i ranë si gjethe të thata, që nuk e lëviznin shumë. Ai e ngriti kokën drejt degëve të manit, sikur aty të ishte përgjigjja.
“Nën këtë man jemi rritur të gjithë,” tha më në fund. “Këtu është vendi. Këtu është gjithçka.”
“Po për ne?” pyeti një tjetër. “A ka vend edhe për ne si trungje?”
Buza u kthye drejt tyre me një vështrim që nuk linte shumë hapësirë për diskutim.
“Mani është i mjaftueshëm. Nuk ka nevojë për të tjerë.”
Kështu filloi një heshtje e gjatë. Jo ajo heshtje e paqes, por ajo që mbush ajrin me fjalë të pathëna. Filizat vazhduan të rriteshin, por të përkulur. Sa herë kërkonin dritë, përballeshin me hijen. Sa herë përpiqeshin të zgjateshin, degët e mëdha ua prisnin rrugën. Dhe kur ndonjëri prej tyre guxonte të fliste përsëri, përgjigjja ishte gjithnjë e njëjtë:
“Pa këtë man, nuk ka asgjë.”
Por ata e dinin se toka nuk ishte vetëm e njërit. As mani nuk ishte vetëm i njëshit. Se rrënjët nuk i përkisnin vetëm një historie. Dhe mbi të gjitha, se drita nuk ishte pronë e askujt. Disa u përpoqën të qëndronin. Të përshtateshin. Të rriteshin anash, të përkuleshin, të mbijetonin në gjysmëhije. Por kjo nuk ishte rritje, ishte zgjatje e një pritjeje të pafund. Të tjerë, më të paduruar, u larguan. Shkuan të kërkonin hapësirë diku tjetër, ku dielli nuk filtrohej nga një vullnet i vetëm.
Buza i pa duke u larguar, por nuk i thirri. Brenda tij kishte lindur një bindje që nuk lëkundej, se largimi i tyre ishte humbja e tyre, jo e tij. Se ata nuk e kuptonin peshën e manit, historinë, sakrificën, rrënjën.
“Do të kthehen,” tha me vete. “Sepse hija është e vetmja strehë.”
Por toka nuk mendonte kështu. Në një cep të harruar, aty ku hija mezi prekte dhe drita vinte e drojtur, një filiz i ri mbiu. Nuk kërkoi leje. Nuk bëri zhurmë. Thjesht u kthye nga dielli dhe nisi të rritej. Buza e vuri re. Në fillim e injoroi. Ishte shumë i vogël për t’u marrë seriozisht. Por ditët kaluan, dhe filizi nuk u tha. Përkundrazi, qëndroi. U forcua pak nga pak. Dhe për herë të parë, në mendjen e Buzës kaloi një mendim i pakëndshëm, se ndoshta jeta nuk kishte nevojë për hijen e plotë për të vazhduar.
Ai u ngrit, bëri disa hapa drejt skajit të hijes, por u ndal. Pas tij ishte mani i madh, i njohur, i padiskutueshëm. Përpara tij ishte një e panjohur që nuk e kontrollonte dot. Dhe ai zgjodhi të kthehej mbrapsht. E dini pse? Sepse nuk donte të ikte nga hija e manit. Sepse besonte se vetëm ai duhej të jetonte nën të. Sepse për të, lëshimi i vendit nuk ishte ndarje, por humbje. Ndërsa diku, jashtë hijes, filizi vazhdonte të rritej, pa zhurmë, pa leje, por me dritë. Të tjerët u desh kohë të kthenin sytë.








Comments