Fatmir Terziu: “Beqir Musliu”, i Timo Mërkurit, një çmim që kërkon kohë të gjatë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 29, 2025
- 5 min read

Fatmir Terziu: “Beqir Musliu”, i Timo Mërkurit, një çmim që kërkon kohë të gjatë
Në një kohë kur letërsia shpesh konkurrohet nga zhurma, nga shpejtësia e mediave sociale dhe nga kultura e konsumit të menjëhershëm, lajmi se Çmimi Letrar “Beqir Musliu” për vitin 2025 i jepet shkrimtarit dhe studiuesit Timo Mërkuri vjen si një ftesë për t’u kthyer te thelbi: te vlera, te përkushtimi dhe te qetësia e mendimit të thellë. Ky çmim nuk i shtohet thjesht një liste çmimesh letrare; ai është një sinjal estetik e kulturor, një kujtesë se letërsia është ende hapësira ku një komb rikthen kujtesën, flet me vetveten dhe projekton të nesërmen.
Timo Mërkuri nuk është autor i zhurmshëm. Ai nuk është shkrimtar i fjalëve të mëdha në podium, por i fjalëve të matura në letër. Bibliografia e tij e gjerë, poezi, ese, studime, antologji, analiza kritike nuk është thjesht produkt i një përkushtimi personal. Ajo është një projekt i qëndrueshëm kulturor, i ndërtuar ngadalë, me qasje kërkimore, duke vendosur në qendër, njeriun, kujtesën, traditën shpirtërore, dhe dialogun e pandërprerë mes së kaluarës e së tashmes.

Në studimet e tij mbi iso-polifoninë, Mërkuri nuk kufizohet në përshkrimin e një fenomeni muzikor; ai e sheh atë si strukturë të identitetit kolektiv, si një mënyrë të rrallë shqiptare të të qenit bashkë dhe të të kënduarit së bashku. Pikërisht kjo e bën punën e tij të vlefshme: ai dëgjon letërsinë dhe kulturën, nuk thjesht i komenton ato.
Në poezinë e Timo Mërkurit gjejmë një përbashkim të rrallë me ngjeshje formale dhe thellësi emocionale. Ai zgjedh të mos flasë shumë, por të thotë gjithçka. Dhimbja, vetmia, përballja me kohën nuk shpërthejnë në retorikë. Ato përftohen. Mëtojnë kuptim. Shndërrohen në reflektim. Ky lloj poetizimi i jetës e bën lexuesin bashkëpunëtor të tekstit. Poezia e Mërkurit nuk i jep lexuesit zgjidhje të gatshme; ajo hap pyetje, ftesa, hapësira mendimi. Dhe ky është gjithmonë shenjë e një poezie të pjekur.
Një nga dimensionet më domethënëse të krijimtarisë së tij është kritika letrare. Timo Mërkuri lexon me përgjegjësi. Ai e trajton tekstin letrar jo si objekt për t’u gjykuar nga lart, por si një univers që kërkon respekt dhe dialog. Kjo është arsyeja pse qasja e tij ndaj letërsisë së Kosovës, veçmas asaj të Kosovës Lindore, ka qenë kaq e rëndësishme. Ai ka bërë pikërisht atë që shpesh kanë dështuar ta bëjnë shumë studiues e ka afruar lexuesin e Shqipërisë me autorët e Kosovës; ka ndriçuar dimensione që ndryshe do të mbeteshin periferike; ka treguar se letërsia nuk njeh kufij administrativë, por vetëm kufij të leximit.
Në këtë kuptim, Mërkuri është një ndërtues urash midis qendrave letrare shqiptare. Nuk është rastësi që ky çmim mban emrin e Beqir Musliut — një autori që sfidoi format e zakonshme, që punoi në kufi mes metaforës dhe ekzistencës, mes realitetit dhe vizionit. Duke ia dhanë çmimin Timo Mërkurit, juria duket se thotë qartë: Letërsia nuk është karrierë, por qëndresë. Nuk është garë shpejtësie, por udhë e gjatë ku fiton ai që mendon, studion dhe i shërben kulturës pa bujë. Kjo është arsyeja pse ky vendim ka peshë simbolike. Ai shpërblen seriozitetin, përqendrimin dhe përulësinë krijuese. Një akt mirënjohjeje ndaj kulturës së thellë mbetet Çmimi i këtij viti, përtej aspektit personal, është një mirënjohje për letërsinë studimore, kritikën serioze, kërkimin mbi traditën, dhe përpjekjet për ta mbrojtur trashëgiminë shpirtërore shqiptare nga harresa.
Në epokën e teksteve të shkurtra dhe të kujtesës së rrëmbyeshme, Timo Mërkuri na kujton se identiteti ndërtohet ngadalë, siç ngrihet një shtëpi me themele, me kujdes, me përgjegjësi.
A është ky çmim vetëm një kurorëzim? Apo është edhe një thirrje për të shkuar më tej? Ndoshta të dyja njëkohësisht. Ai i kujton vetë autorit se rruga e nisur ka domethënie dhe i kujton lexuesit se ka ende shkrimtarë që punojnë për kulturën, jo për famën. Në këtë kuptim, fitimi i Çmimit Letrar “Beqir Musliu” nga Timo Mërkuri është më shumë se një lajm: është një reflektim mbi atë çfarë presim nga letërsia dhe nga vetja si kulturë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ky vendim meriton të lexohet, të diskutohet dhe të mbahet mend.
______________________________
Timo Mërkuri:
I nderuar z. kryetar i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni,
I nderuar z. drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit pranë Komunës, z. Kushtrim Zeqiri,
Të nderuar anëtarë të jurisë: Emin Azemi, Kaltrinë Berisha dhe Nexhat Rexha,
Të nderuar anëtarë të familjes së shkrimtarit dhe poetit Beqir Musliu,
Vëllezër dhe motra të pranishëm,
Ndjehem thellësisht i nderuar nga ky vlerësim i lartë që më është bërë, duke më dhënë çmimin me emrin e një prej figurave më të njohura të letërsisë moderne shqipe – poetit, prozatorit dhe dramaturgut Beqir Musliu, vepra e të cilit mbetet një nga arritjet e rëndësishme të fjalës sonë artistike.
Duhet pranuar se letërsia moderne shqipe në Kosovë u lëvrua me guxim dhe me art në një kohë kur ne, krijuesit e anës tjetër të Drinit, shpeshherë druheshim edhe ta imagjinonim artin dhe stilin modernist. E ju, të nderuar kolegë, i dhanë jetë këtij stili, duke e shndërruar jo vetëm në një gjini arti, por edhe në një formë qëndrese dhe mbrojtjeje të identitetit kombëtar, ndërsa ne shpesh e shihnim nga një këndvështrim krejt tjetër.
Ajo kohë i përket së kaluarës. Sot poetët dhe shkrimtarët e të dy anëve të Drinit ecin në të njëjtën rrugë arti – në rrugën që eci më parë Beqir Musliu: rrugën e fjalës së lirë, të guximshme dhe njerëzore, të shprehur përmes një forme moderne; një rrugë që nuk kërkon duartrokitje, por të vërtetën e brendshme të fjalës.
Ju them sinqerisht se në këto çaste nuk e ndiej veten fitues; thjesht e ndiej veten bashkudhëtues me ju, të dashur vëllezër e motra poetë, prozatorë e dramaturg.
Ju më nderuat duke më besuar të mbaj simbolin e artit, dhe të ecjes përpara në këtë udhëtim të përbashkët.
Është një nder i veçantë që vlerësimin me emrin e Beqir Musliut ta marr në prani të familjarëve të tij – prani që sa më nderon, aq edhe më obligon.
E çmoj si një nderim të veçantë faktin që, për arsye shëndetësore, s’kam mundur të jem fizikisht mes jush, por më është krijuar mundësia që çmimin t’a marrë im bir, Viktor Mërkuri, përmes të cilit ju përcjell mirënjohjen time të thellë për të gjithë të pranishmit.
Përfitoj nga rasti t’u shpreh urimet e mia më të mira Kryetarit të Komunës dhe Drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mandatin e dytë, me dëshirën që kultura dhe fjala e shkruar artistike të mbeten gjithnjë në qendër të vëmendjes.
Përqafime vëllazërore anëtarëve të jurisë për vlerësimin, përgjegjësinë dhe ndjeshmërinë e tyre.
Ju shpreh mirënjohjen time gjithë të pranishmëve me fjalën më të bukur e më nderuese të shqipes: Faleminderit.
Juaji
TIMO MËRKURI
Sarandë, 27.12.2025









E gëzofshi i nderuar! I merituar plotësisht! Faleminderit Fjala e Lirë për këtë shkrim informues dhe që na gëzon!