top of page

Fatmir Terziu: Baftjar Rusi, Avokati që e meriton

  • May 15
  • 3 min read

 

Në një kohë kur profesioni i avokatit përballet çdo ditë me sfida të mëdha, me mungesë respekti institucional, me problematika të shumta profesionale dhe me nevojën urgjente për reformim e përfaqësim më dinjitoz, ndjej se heshtja nuk është më zgjedhje. Përvoja ime shumëvjeçare në sistemin e drejtësisë, përballja e përditshme me problematikat e kolegëve dhe bindja se avokatia duhet të ketë një zë më të fortë e më të organizuar, më shtyn të kandidoj jo thjesht si individ, por si përfaqësues i një vizioni për ndryshim, dinjitet dhe mbrojtje reale të profesionit tonë. Dhe ja fjala e tij publike:

 

Pozicioni dhe misioni im

 

Pse kandidoj më 22 Maj për Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë

 

Të nderuar kolegë/e,

 

Më datë 22 Maj, siç jeni në dijeni, zhvillohen zgjedhjet për Kryetarin e Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe, në këtë plebishit zgjedhor, do të garohen e votohen edhe Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe të Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Kam vendosur të kandidoj dhe të kërkoj votën tuaj, kolegë/e të nderuar, duke ju premtuar përkushtimin tim maksimal ndaj jush dhe profesionit tonë, si dhe duke vënë në këtë “Parlament Qeverisës të Institucionit të Avokatisë” dijet, përvojën dhe angazhimin tim modest, të palodhur dhe racional.

Prej 33 vitesh ushtroj intensivisht profesionin e avokatit. Në këtë rrugëtim profesional kam punuar në grup dhe me staf, duke bashkërenduar punët, shkëmbyer eksperienca profesionale, ndarë përgjegjësi individuale dhe kolegjiale, si dhe duke u përpjekur sistematikisht për të përmirësuar dhe perfeksionuar shërbimin ndaj klientit, në korrektësi dhe profesionalizëm. Njëkohësisht, kam synuar përmbushjen me seriozitet të detyrimeve ndaj institucioneve të sistemit të drejtësisë, duke mbrojtur me dinjitet të drejtën dhe doktrinat e saj.

Aktiviteti dhe roli im si avokat kanë qenë dhe mbeten gjithëpërfshirës në problematikat dhe shërbesat juridike, si në fushën e kriminologjisë dhe të veprave penale, ku fati dhe pasioni më kanë favorizuar të mbroj dhe të përballem me pothuajse të gjitha dispozitat e Kodit Penal shqiptar, nga krimet kundër njerëzimit, e deri te çështjet e krimit të organizuar apo ato me natyrë më të lehtë.

Po ashtu, si shumë prej jush, kam një aktivitet të gjerë në fushën civile dhe të pronësisë, në çështjet e trashëgimisë, familjare, administrative etj., duke filluar nga inicimi i padive dhe mbrojtja në të gjitha shkallët e gjykimit, deri te përfaqësimi në Kolegjet e Bashkuara, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ku pata fatin, së bashku me kolegun dhe mikun tim z. Qazim Gjonaj, të prezantonim çështjen e parë shqiptare në seancë plenare, të fituar në vitin 2005.

Miqtë e mi, kolegë të Dhomës së Tiranës, realë dhe virtualë, që përbëjmë një armatë me mbi dhjetë mijë avokatë, ose gati 80% të strukturës së avokatëve në rang kombëtar, besoj se ka ardhur koha të jemi më të organizuar, më kërkues dhe më luftarakë në mbrojtje të të drejtave tona dhe të klientëve që na besojnë shërbimin. Duhet të rikthejmë prestigjin, autoritetin dhe emrin e avokatit, i cili shpesh është cenuar dhe nënvlerësuar, si nga shteti dhe institucionet e tij, ashtu edhe nga qasje jo korrekte, arbitrare apo jo ligjore të hallkave të sistemit të drejtësisë.

Më ka takuar të jap mësim si lektor në auditore universitare, ndërsa përvoja dhe bashkëpunimet me kolegë perëndimorë, deri në SHBA dhe Kanada, përmes lidhjeve profesionale dhe binjakëzimeve të studiove ligjore, më kanë bërë të kuptoj hendekun që ekziston mes nesh dhe standardeve të tyre. Një pjesë e kësaj diference vjen nga arbitrariteti dhe mosvlerësimi i shtetit ndaj avokatit, por një pjesë tjetër lidhet edhe me pasivitetin dhe apatinë e forumeve tona drejtuese.

Premtoj se do të jem zëri juaj në këtë forum të lartë; shqetësimi, nervi dhe fryma juaj luftarakе, për të ngritur me punë, iniciativa dhe beteja ligjore dinjitetin tonë profesional. Duhet ta faktorizojmë avokatin në lartësinë që meriton ky profesion dhe të detyrojmë politikën dhe sistemin e drejtësisë të respektojnë emrin tonë, me hir apo pa hir.

Ne jemi specialistë të së drejtës dhe të ushtrimit të lirë të këtij profesioni. Sot po shkojmë drejt 20 mijë avokatëve në të gjithë vendin. Historia ka treguar se kur avokatë dinjitozë dhe profesionistë janë përfshirë në jetën publike dhe politike, kanë sjellë zhvillime të mëdha ekonomike, sociale dhe juridike, duke ndërtuar shtete moderne dhe modele demokratike.

Nëse do të jemi më të organizuar, më solidarë dhe më të mbrojtur ndaj njëri-tjetrit, duke përmirësuar forumet tona dhe vetveten, jo vetëm që do të rikthejmë dinjitetin e munguar, por do të detyrojmë shtetin dhe institucionet të na respektojnë si faktor të rëndësishëm të drejtësisë dhe demokracisë.

Ndaj, vota dhe besimi juaj, të nderuar kolegë/e, do të jenë përgjegjësia dhe motivimi im më i madh në këtë kauzë dhe mision të përbashkët. Do ta mbyll këtë mesazh me një thënie të Platonit, babait të filozofisë së drejtës ideale: “Njerëzit e ditur janë më të vlefshëm se ligjet e vlefshme; kështu gjykon çdo njeri i drejtë.”

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page