Atdheu ynë: i paqes dhe unitetit
Nga Fatmir Terziu
Ata erdhën. Erdhën sikurse ndodh të vijnë të tillët. Të bekuar me kasandra. Të veshur me skafandra. Erdhën, por ata bënë pluhur vaktin tonë të preferuar, diellnxënien e jetës sonë. Erdhën me trupa metalikë dhe shkërmoqën ajrin tonë. E shkërmoqën të vetmin që kishim ende shpresë se do të kishte lirinë dhe bekimin e tij për ne.
Dhe ne… Ne si përherë. Të pashpresë, si zogu në gojën e një gjarpëri. Të pashpresë dhe kur u këndojmë këngë zotërinjve tanë të ardhur nga e njëjta strofkë, të ripërtypur në të njëjtën gojë, ku i kishin bllokuar të gjitha fjalët që dikur ishin Hosana dhe Urra:
“Rroftë Paqja dhe Uniteti!”
Ndërsa zemra jonë rreh dhe del në gjoks si ndonjë sfungjer i fryrë nga lagështia e jargave dhe pështymave që prodhon urrejtja.
Ditë pas dite e njëjta gjë. E njëjta pritje. E njëjta sakëlldi. Ndërsa në trurin tonë nga mëngjesi deri në darkë rritet mendimi si kallami i peshkatarit që pret e pret gjahun e tij në një pellg, gjahun me të cilin të ushqejë fëmijët e tij, që ende presin të bëhen gjashtëmbëdhjetë dhe të bëjnë gati torbat e njëjta me qindra bashkëmoshatarë nga Jugu në Veri, në udhëtimin për s’di se ku.
E ky është i vetmi kallam, kallami i Zotit, e quajmë në heshtjen tonë të shpërfillur. Ne pyesim veten pse kallami i Zotit tonë duhej të dashurohej edhe me këtë pikëtakim, me torbën në krah, a nuk i kishte mjaftuar kontrata gjysëmshekullore me kurrizin tonë?
Sa i ftohtë mund të jesh? Eh, sa i ftohtë…
Pse e urren trupin tonë të lodhur kur e din që ka një zemër të qetë, të urtë, të dashur, të bërë palë me retë. Një zemër që tretet e shtrydhet…, e prapë një zemër e artë, një zemër që mbetet.
Mbetet?
E detyruar të durojë, të pranojë pranë dy deteve, pranë dhjetëra lumenjve, pranë dhjetëra liqeneve të shuajë etjen, të rrëkëllejë racionin e ujit, dhe e ndjen se dikushi, ai zbritësi dhe hypësi i mishtë në trupin metalik ende kërkon të na bekojë me durimin për Demokraci dhe të na shikojë të lirë në bekimin e tillë se jemi të gatshëm të vdesim edhe nga etja… për të qenë në një Europë ku kemi lindur, si të tillë europianë.
Ishin fjalët e fundit të një brezi që ndau llogoret e etjes, mbijetesës, ikjes dhe ardhjes së lotit, zbardhjes dhe errësimit të motit, ishin fjalët e fundit të plakës, para se ti’a merrte jetën memorja e lodhur nga tërë zhgarravinat me sy të fryrë nga të qarat e fëmijëve në ëndërrat e saj. Lotë…
Lotët në sytë e foshnjave.
Ndërsa vëzhgojnë vëllezërit dhe motrat e tyre nën moshë që shiten me çmim të ri për vetëm një qëllim, zbrazjen e Dheut amë.
Atje loti struket. Struket dhe shkruhet si Lavdi, Prosperitet, Demokraci, Paqe, Unitet, Dashuri. Dhe kjo ndodh si në zyra, si në skuta të tilla të buta, si në një mjedis jetim… Të hekurtat udhë ende s’kanë ndonjë rrëfim. Atdheu ynë i paqes dhe unitetit ka mbetur në një kohë dhe në një tokë pa kthim.
Ata ikin. Ikin sikurse ndodh të ikin të tillët. Të dëbuar me kasandra. Të maltrajtuar me skafandra. Ikën, por ata bënë pluhur vaktin e tyre të preferuar, diell-lënien e jetës së tyre. Ikën me trupa metalikë dhe shkërmoqën ajrin e gjorë. E shkërmoqën të vetmin që kishim ende shpresë se do të kishte lirinë dhe bekimin e tij për ne.
Dhe ne… Ne si përherë. Banketojmë, ngrejmë dolli dhe krenohemi në teori për hir të dovletit: Rrnoftë Atdheu ynë i paqes dhe unitetit!
Comments