top of page

Fatmir Terziu: Ajo të luan mendsh.

  • May 14
  • 8 min read

Ajo të luan mendsh.

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Kur e solli për herë të parë në shtëpi, ime motër tha vetëm një fjali: “Mos e lër të të shikojë gjatë në sy.” Qesha. M’u duk një nga ato bestytnitë e zakonshme që njerëzit i mbajnë gjallë vetëm që të kenë ç’të flasin në darkë. Gruaja ime, Elia, rrinte pranë dritares së kuzhinës dhe dëgjonte shiun që përplasej mbi tendën e llamarinës. Nuk foli. Vetëm buzëqeshi lehtë, si dikush që e di diçka më shumë se të tjerët. Ajo buzëqeshje më shqetësoi që natën e parë. Nuk ishte një buzëqeshje e bukur, megjithëse Elia ishte grua e bukur. Kishte diçka të papërfunduar në fytyrën e saj, sikur buzët e saj të dinin një sekret që sytë nuk donin ta tregonin. Kur flinte, fytyra i zbutej. Dukej e pafajshme, pothuaj fëminore. Por sapo zgjohej dhe më shikonte drejt, ndieja se diçka brenda meje fillonte të lëvizte ngadalë, si një gozhdë e hollë që përdredhej në mish. Në javët e para gjithçka shkoi mirë. Bënim shëtitje në mbrëmje, pinim verë të lirë në ballkon dhe dëgjonim trenat që kalonin larg, pas kodrës së vjetër të stacionit. Elia fliste pak. Kishte zakon të më dëgjonte me një vëmendje të frikshme, sikur çdo fjalë që dilte nga goja ime do të përdorej më vonë kundër meje. Nganjëherë, ndërsa flisja, ajo buzëqeshte lehtë. Dhe unë harroja çfarë po thosha. Më ndodhi për herë të parë një natë tetori. Po i tregoja diçka për babanë tim, për një qen që kishim dikur në fshat, kur papritur humba fillin e mendimit. U ndala në mes të fjalisë. Elia nuk foli. Vetëm më pa drejt në sy.

“Çfarë po thoje?” pyeti me zë të ulët.

Nuk mbaja mend asgjë. Kjo gjë filloi të përsëritej shpesh. Harroja emra. Harroja rrugët. Një pasdite dola për të blerë cigare dhe përfundova pranë lumit, shumë larg lagjes sonë. Nuk e kuptoja si kisha shkuar atje. Më dukej sikur dikush ma kishte boshatisur kokën gjatë ecjes. Kur u ktheva në shtëpi, Elia po lexonte në heshtje.

“Humbe prapë?”- tha ajo pa ngritur kokën.

“Çfarë?”

“Rrugën.”

Më pas qeshi. Nuk di pse ajo e qeshur më futi të dridhura. Nuk ishte tallëse. Përkundrazi, kishte diçka të dhimbsur në të, si buzëqeshja e një infermiereje që e di se pacienti nuk shpëton më. Netëve fillova të zgjohem papritur. Dikush lëvizte nëpër shtëpi. Dëgjoja hapa të lehtë, kërcitje parketi, ndonjë psherëtimë të mbytur. Elia nuk ishte pranë meje në shtrat. E gjeja zakonisht ulur në sallon, në errësirë, duke parë nga dritarja.

“Pse nuk fle? “e pyeta një natë.

Ajo u kthye ngadalë nga unë. Në fytyrën e saj binte një dritë e zbehtë nga llampa e rrugës.

“Po të dëgjoj.”

“Çfarë? ”

“Mendimet e tua.”

Mendova se po tallej. Por ajo nuk po qeshte. U afrova dhe e kapa për dore. Dora i ishte akull. Elia më vështroi gjatë. Aq gjatë, sa m’u duk se po humbisja ekuilibrin. Për një çast harrova edhe emrin tim. Kjo më trembi. E lashë dorën e saj menjëherë. Ditët që pasuan u bënë të çuditshme. Njerëzit filluan të më shikonin ndryshe. Në punë më thanë se po flisja vetëm. Një koleg më pyeti pse përsërisja vazhdimisht të njëjtën fjali: “Ajo të luan mendsh”. Nuk mbaja mend ta kisha thënë ndonjëherë. Kur u ktheva në shtëpi, Elia po krihte flokët para pasqyrës. Flokët e saj të zinj binin mbi supet e bardha si ujë i errët.

“U bëre prapë?” - pyeti.

“Çfarë?”

“U trembe nga vetja.”

Nuk iu përgjigja. Po e shikoja në pasqyrë. Për çudi, fytyra e saj nuk pasqyrohej qartë. Dukej sikur xhami mjegullohej vetëm aty ku ishte ajo. M’u kujtua diçka që më kishte thënë ime më vite më parë. Eh, more bir, eh, isa njerëz nuk ta marrin shpirtin, ata të marrin mendjen. Dhe njeriu pa mendje endet gjithë jetën duke kujtuar se është ende vetvetja. Atë natë vendosa të mos flija. Elia u shtri pranë meje dhe mbylli sytë. Unë qëndrova zgjuar, duke dëgjuar frymëmarrjen e saj të lehtë. Diku jashtë lehu një qen. Pastaj një tjetër. Një erë e lagësht hyri nga dritarja gjysmëhapur. Nuk e di sa kishte kaluar kur dëgjova zërin e saj.

“Mos më shiko kur zgjohem.”

Ishte ende me sy mbyllur. Nuk lëviza. Pak më vonë ajo u ngrit ndenjur në shtrat. Lëvizte ngadalë, si në gjumë. Flokët i mbulonin fytyrën. Pastaj lëvizi kokën. Dhe hapi sytë. Nuk kam për ta harruar kurrë atë shikim. Sytë e saj nuk kishin asnjë njohje brenda. Asnjë dashuri. Asnjë kujtim. Ishin sy të thellë, të zbrazët, si dy dhoma ku dikush kishte jetuar dikur dhe ishte larguar përgjithmonë. Ajo më pa gjatë. Shumë gjatë. Ndjeva një trullosje të tmerrshme. Muret filluan të lëviznin lehtë. Nuk mbaja mend ku ndodhesha. Nuk mbaja mend kush ishte ajo. Për një çast të shkurtër nuk mbaja mend as fytyrën time. Dhe pikërisht atëherë Elia buzëqeshi.

“E sheh?” - tha me një zë të huaj. “Të thashë… unë të luaj mendsh.”

Pastaj u shtri përsëri dhe ra në gjumë. Ndërsa unë mbeta ulur buzë shtratit deri në agim, duke u përpjekur me dëshpërim të kujtoja emrin tim. Pas asaj nate fillova të shkruaja emrin tim në copa letrash. I strukja kudo. Në xhepat e palltos. Poshtë jastëkut. Brenda librave. Madje një copë letër e ngjita edhe pas pasqyrës së banjës, sepse kisha frikë se një mëngjes do të zgjohesha dhe nuk do ta njihja më fytyrën time.

“Ti je Arbeni.”

E lexoja disa herë në ditë. Në fillim kjo më dukej qesharake. Pastaj fillova të kem frikë. Një frikë të hollë, të lagësht, që më rrinte pas qafës si fryma e dikujt tjetër. Elia nuk pyeste kurrë për letrat. Kjo ishte edhe më e tmerrshme. Një mbrëmje, teksa po haja bukë, ajo më tha krejt papritur: “Sot e harrove emrin tri herë.”

Lugën e lashë pezull në ajër.

“Si e di ti?”

Ajo bufati supet lehtë.

“Duket në fytyrë.”

Pastaj vazhdoi të hante sikur nuk kishte thënë asgjë të pazakontë. Që nga ajo ditë fillova ta vëzhgoj fshehurazi. Më dukej sikur Elia ndryshonte kur mendonte se unë nuk e shikoja. Kishte çaste kur fytyra i zbrazte krejt, si një maskë e lënë mbi tavolinë. Një natë e pashë duke qëndruar përpara murit të korridorit për gati një orë, pa lëvizur fare. Mendova se ishte në gjumë. Kur iu afrova, ajo foli pa kthyer kokën: “Mos ec pas meje natën.”

M’u mpinë këmbët.

“Pse?”

“Sepse nuk jam gjithmonë unë.”

Nuk fjeta fare atë natë. Rreth orës tre dëgjova përsëri hapat. Elia po ecte nëpër shtëpi. Këtë herë vendosa ta ndiqja. U ngrita ngadalë dhe hapa derën e dhomës. Korridori ishte i errët. Në fund të tij ajo rrinte në këmbë, me flokët që i binin mbi shpinë. Dukej sikur po fliste me dikë. Zëri i saj vinte i mbytur, si nga fundi i ujit.

“Jo ende… jo ende.”

Mendova se po fliste në telefon, por duart i kishte bosh. Bëra një hap përpara dhe parketi kërciti. Ajo heshti. Pastaj e ktheu kokën ngadalë nga unë. Nuk e di çfarë pashë në fytyrën e saj, po di vetëm se më iku fryma. Nuk ishte më Elia që njihja. Sytë i kishte të errët, pothuaj të zinj. Dhe buzëqeshte me një lodhje të frikshme, si dikush që ka jetuar shumë më tepër se duhet.

“Të thashë të mos më ndjekësh.”

U përpoqa të flisja, por nuk nxirrja zë. Ajo u afrua ngadalë. Ndjeva aromën e flokëve të saj, atë aromën e njohur të mollëve të thara dhe shiut. Për një çast desha vetëm ta përqafoja. Të gjitha frikërat më dukeshin marrëzi. Pastaj ajo më preku lehtë në tëmth me gisht. Dhe menjëherë harrova pse isha ngritur nga shtrati. E pashë i hutuar.

“Çfarë po bëjmë zgjuar?”- pyeta.

Elia i uli sytë. Dukej e trishtuar.

“Po humbet shpejt tani.”

“Çfarë?”

Ajo nuk u përgjigj. Ditët filluan të treten njëra brenda tjetrës. Nuk dalloja më të hënën nga e enjtja. Nganjëherë dilja në rrugë dhe nuk dija ku jetoja. Dy herë policia më solli në shtëpi. Herën e fundit më gjetën ulur në stacionin e trenit, duke mbajtur në dorë një fotografi të Elias. Nuk mbaja mend si kishte përfunduar fotografia tek unë. Kur hyra në shtëpi, Elia po qante. Ishte hera e parë që e shihja duke qarë.

“Çfarë ke? ”- e pyeta.

Ajo më pa me sy të skuqur.

“Po më harron.”

Kjo fjali më goditi më shumë se çdo gjë tjetër. U afrova dhe ia preka fytyrën. Ishte e ftohtë.

“Jo”- i thashë. “Jo, nuk po të harroj.”

Por ndërsa e thoja, ndjeva tmerrin të më ngjitej ngadalë në kraharor. Sepse për një çast të shkurtër nuk mbaja mend emrin e saj. Elia uli kokën.

“E sheh?” - pëshpëriti. “Të luaj mendsh… dhe në fund mbetesh vetëm me mua.”

Atë natë nuk pati erë, as lehje qensh, as kërcitje parketi. Vetëm heshtje. Dhe në atë heshtje fillova të dyshoj për herë të parë se ndoshta Elia nuk po ma merrte mendjen. Ndoshta po ma zëvendësonte me të sajën.

Papritmas Elia u ngrit mbi bërryl dhe më pa me ata sytë e saj të lodhur, që dukej sikur kishin ndenjur zgjuar me vite të tëra.

“Ajo e farmacisë… si ishte?” pyeti qetësisht.

Nuk e kuptova menjëherë për kë e kishte fjalën.

“Cila?”

Ajo buzëqeshi me një buzëqeshje të hollë, pothuaj të dhembshur.

“Ajo bjondja që të preku dorën kur të dha kusurin. Mos u bëj sikur nuk e mban mend.”

M’u ftoh gjaku. Kisha hyrë vërtet në një farmaci dy ditë më parë, po as vetë nuk e mbaja mend fytyrën e farmacistes. Mbaja mend vetëm një aromë parfumi dhe një palë thonj të kuq që më shtynin monedhat mbi banak.

“Nuk di për kë e ke fjalën” - murmurita.

Elia uli kokën lehtë, sikur po dëgjonte një zë tjetër brenda vetes.

“Sigurisht që nuk e di. Ti harron gjithçka tani.”

Pastaj i drejtoi sytë nga unë.

“Po ajo nuk të harroi.”

Në zërin e saj kishte diçka që më llahtarisi. Nuk ishte xhelozia e zakonshme e një gruaje. Ishte diçka më e thellë, më e errët. Sikur Elia nuk kishte frikë se unë do ta tradhtoja, por se dikush tjetër mund të më merrte prej saj.

U përpoqa të qesh.

“ e bërë paranojake.”

Ajo nuk lëvizi.

“E pashë si të pa…”

“Kush?”

“Ajo.”

Heshtja që pasoi qe aq e rëndë sa m’u duk se dëgjova përsëri atë zhurmën e vjetër në shtëpi, jo hakitje kësaj here, po një gërvishtje të lehtë, të ngadaltë, sikur dikush të fërkonte thonjtë mbi limë. Elia u afrua pranë meje.

“Gratë e tjera të shikojnë ndryshe tani.”

“Çfarë do të thotë kjo?”

“E ndjejnë që po boshatisesh.”

Ajo i tha këto fjalë pa asnjë zemërim. Përkundrazi, në fytyrën e saj kishte një trishtim të butë, thuajse amësor. Si dikush që ruan një të sëmurë që po venitet.

“Ti s’më përket më vetëm mua” - pëshpëriti.

Desha t’i kundërshtoja të gjitha, po pikërisht atë çast nuk mbaja mend nëse e kisha dashur ndonjëherë ndonjë grua tjetër para Elias. Më dukej sikur jeta ime fillonte tek ajo dhe mbaronte po aty. Ajo e kuptoi hutimin tim.

“E sheh? ”- tha me zë të ulët. “Tani edhe kujtimet po t’i marrin gratë e tjera.”

Pastaj më kapi fort pas qafe dhe u ngjesh pas meje me një dëshpërim të egër, pothuaj kafshëror. Trupi i saj dridhej lehtë. Ndjeva frymëmarrjen e saj në qafë dhe për një çast m’u duk se ajo po qante.

“Mos i shiko më” - tha. “Mos fol me to. Mos i ler të të prekin.”

“Elia…”

“Ti nuk e kupton” - pëshpëriti ajo. “Ato duan të të zbojnë nga unë.”

Nuk dija ç’të thoja. Jashtë frynte erë. Grilat lëviznin lehtë dhe hija e tyre dridhej mbi mur si degë pemësh nën ujë. Elia filloi të dridhej papritur.

“Ajo po kalon prapë poshtë dritares.”

M’u duk marrëzi, por megjithatë u ktheva instinktivisht nga grilat. Për një çast betohem se pashë një siluetë gruaje matanë rrugës, të palëvizshme nën shi, me flokë të gjatë të zinj që i mbulonin fytyrën. Pulita sytë. Rruga ishte bosh. Kur u ktheva, Elia po më vështronte me një tmerr të qetë.

“E pe?” - pyeti.

Nuk iu përgjigja. Ajo mbylli sytë dhe u shtrëngua fort pas meje, aq fort sa thonjtë e saj më hynë në mish.

“Ajo të luan mendsh” - tha me një zë të shuar. “Po jo më shumë se unë.”

Dhe nën peshën e trupave tanë shtrati lëshoi përsëri atë kuitjen e gjatë, të hekurtë, sikur diku thellë në të ende vuante një minierë e tërë nga ku ishte nxjerr.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page