top of page

Fatmir Terziu: Adem Paralloi, një figurë e dashur mbi rrënjë identiteti


Adem Paralloi, një figurë e dashur mbi rrënjë identiteti


Prof Dr Fatmir Terziu

 

„Shkoni, njerëz të rilindur, shkoni në një festë të ndritshme!“ Çdo herë që na kujtohet një figurë e nderuar e arsimit të Elbasanit, ne ndalemi, fshijmë sytë dhe ndjejmë thesarin e një plejade që shuhet ngadalë e pakuptuar përditë. Dhe themi u kujtofshin përjetë, dhe jo sa për festat e arsimit! Kështu mjafton? I përsërisim këto fjalë kur vizitojmë varrezat për të ndjerë përshpirtjen e njerëzve tanë që prehen atje dhe natyrisht e bëjmë dhe për ata, që na mbetën miq të pavdekshëm në kujtimet tona... Diku thellë brenda nesh ka zënë rrënjë tradita përmes së cilës ne përkulemi para tyre, para veprës së tyre, para gjuhës sonë amtare, asaj bartëse të padukshme kulturore që na ka mbrojtur si shqiptarë në përmbysjet e mëdha historike të rrugës sonë shekullore. Dhe gjithnjë ka një datë. Nuk e di pse në këtë datë e gjithë qenia është e mbushur me një ndjesi  mistike, të ndritshme. Sikur fjala e paraardhësve, e vetmja pavdekësi e mundshme në jetën tonë të shkurtër e të tensionuar, më pushton ndërgjegjen me gjithë bukurinë e fjalëve shqipe dhe më mbështjell si një magji e përjetësisë me ritmin këndues të shpirtërores sonë të papërkthyeshme: „Jam krenar që jam shqiptar!“...

Dhe ne ndërsa i rilexojmë ata që na u bënë udhë e bukur e jetës sonë, miqtë dhe emrat e nderuar, arsimtarët e përkushtuar, ne mbesim tek yetja kryesore. Sa popuj e festojnë identitetin e tyre si ne të lidhur me gjuhën, arsimin, traditën, kulturën? Sepse çfarë është një gjuhë, nëse jo një shprehje e shpirtit të një populli, e gjallë në shkronja, në tingujt e shenjtë të fjalës? Pikërisht aty ruhen mesazhet e së shkuarës dhe ato testamente të përjetshme të spiritualitetit që shpesh i harrojmë, të mbytur në zhurmën e komunikimit global. Në fillim ishte fjala... Sa janë zgjedhur të ndriturit për të na kujtuar atë? Dhe ndërsa gjetkë, librave dhe letrave, muzeumeve dhe institucioneve mbesin disa emra, disa emra të tjerë janë në zemrat tona dhe ndjejmë krenarinë që ne ushqejmë për ta. I tillë ishte dhe një emër i madh, njëri i tillë, nga fisi i nderuar Paralloi në Elbasan, Adem Paralloj. Në këtë rrjedhë të madhe dhe një plejadë arsimi, Abdyl Paralloi ishte „Mësues i Popullit“ dhe Adem Paralloi„ Mësues i Merituar“, duke mos harruar vëllain tjetër të tyre, Sami Paralloi, një mësues serioz dhe mjaft i përkushtuar.  

Dhe ndërsa shkruajmë natyrisht gjëja e parë është kërkimi. Në këtë kërkim gjejmë dy fotografi të publikuara nga një mik dhe shok i hershëm i Profesor Ademit, Thoma Qëndro, që i etikon personat që janë në rrjedhën bardhë e zi. E para është „Maj 1964. Një grup studentësh të vitit të pare të degës së Gjuhë-Letersise, UT. Siper (nga e majta): Sotiraq Gjordeni (gazetar), Adem Istrefi (poet), në mes unë (pra Thoma Qendro), pastaj Adem Paralloi (pedagog, Elbasan), Shaban Murati (gazetar, diplomat), Ilia Goga. Poshtë: Fisnik Sina (gazetar), Ilia Lengu (pedagog në UT), Liu (nga Kina, korrespondent i HSINHUA-së), Stefan Kume (poet) Nasi Lera (shkrimtar).


E dyta: „14 maj 1965. Në Qytetin Studenti me dy shokë të kursit e të dhomës në konvikt. Në mes: Halil Laze (gazetar në shtypin ushtarak, shkrimtar, më pas i burgosur politik) dhe djathtas, Adem Paralloi (gjithashtu më pas i përjashtuar nga arsimi dhe i dënuar të punonte si punëtor në serat e Elbasanit" për agjitacion e propagandë"), viti II, gjuhë-letërsi shqipe, UT“.

E kështu shëtita lotët dhe mallin për këtë figurë të nderuar të arsimit të Elbasanit, për këtë mik të mirë të njerëzve të lirë dhe demokratë, kur pashë emrin e tij në një pllakë mermeri, në atë rast m'u kujtua menjëherë thënia e Eleazar: „Mësuesi është një qenie e së Vërtetës. Vdekja është mashtrimi më i madh. Tregon se personi nuk ka ikje…“ Dhe më kujtohet kur vetë i pavdekshmi Adem Paralloi, edhe në momente të vështira thoshte: „Kur të vdes, do të jem si Zoti - asgjë më shumë.“ Më dukej atëherë si një shaka që shkonte përtej kuptimit, por tashmë e ndjek dhe e mirëkuptoj se si përngjan e gjitha. Adem Paralloi ishte sakrifica e gjallë, jo vetëm për veten, edhe për të tjerët. Ai dinte dhe vazhdonte të falte … ishte si Krishti. Krishti, teksa po largohej, ngriti duart dhe bekoi të dashurit e tij. Duke ditur se nuk ka vdekje, u tha atyre, mos qani. Në Shkrimin e shenjtë thuhet: "Perëndia do t'ju fshijë lotët dhe të gjithë do ta dini se jeta ka gëlltitur vdekjen".

Kur të vdes, kthehem në thellësinë Time. Kur të vdes, kthehem te Vetja. Kur të kthehem në thellësinë Time, ai është vendi i Zotit. Unë them: Në këtë situatë, a vdiq Mësuesi? Unë them: Vdekja është mashtrimi më i madh… Mësuesi është një qenie e së Vërtetës. Një Mësues ka shumë mënyra për të shprehur të Vërtetën. Një mënyrë është me fjalë. Fjalët janë sugjerime. Për shkak se Ai e di të Vërtetën, Ai mund ta lërë të kuptohet për të. Mënyra e dytë është me heshtje, është udhëzim. Këtu Mësuesi i flet shpirtit të njeriut. Mënyra e tretë është më e thella. Sepse e vërteta është heshtja, heshtja është misteri i përbashkët me shpirtin e njeriut. Këtu nuk thuhet asgjë. Këtu është ndarja, dhe në këtë ndarja është bashkimi. Mënyra e parë e të folurit me fjalë i referohet zemrës. Mënyra e dytë e të folurit me heshtje i referohet shpirtit. Mënyra e tretë ka të bëjë me të Zgjedhurit. Vetëm ata e kuptojnë heshtjen e së Vërtetës. Adem Paralloi ishte dhe mbeti një emër i tillë, një figurë e tillë, që u kujtonte nxënësve dhe bashkëudhëtarëve, edhe thonjtë, edhe kthetrat, edhe dhëmbët e egërsuar të sistemit të egër të kohërave të vështira. Sa nxënës tashmë kanë kujtime të tilla?

Adem Paralloi, kështu ishte dhe një nga mbrojtësit e parë të lirisë dhe mendimit të lirë në shkollat ​​ku ai punoi, edhe pse e dinte që rrezikonte shumë. Ai zotëronte  praktikën e mësimdhënies si mësues i talentuar dhe i përkushtuar, siç ndodhte kudo me mësuesit e denjë elbasanas në atë kohë.

Ikja e Adem Paralloit, ndërsa e lexoj emrin e tij në pllakën e ftohtë të mermerit, nuk është thjesht një ikje e dhimbshme për Elsën, bashkoshorten e tij fisnike dhe djalin e tij të dashur, por ikje e qytetarit model, aristokratit numër një të mësimdhëniesit, qytetarit të dashur e njeriut fisnik, arsimtarit që i dha modelin me personalitetin e tij, po aq dhe me shembullin e disiplinën e vëllezërve të tij, në një derë të fisme sikurse ishin dhe mbetën njerëzit e fisit Paralloi. Ai iku pa i dhënë një lamtumirë të merituar nga shumë miq e shokë, nga shumë dashamirës, nxënës e studentë të tij, kolegë të tij, iku pa një grusht dhe lehtësimi mbi arkivolin e tij, por natyrshëm la pas një pavdekësi, një modelk dhe një dashuri që radhë e ka dhe mbart njeriu në të gjitha kohërat.

E tillë ishte rrjedha e tij kur ai u radhit dhe shkëlqeu në një plejadë me emra të tillë që më pas u bënë gazetarë, redaktorë, shkrimtarë, poetë, mësues e drejtues të arsimit: Xhevahir Spahiu (anëtar i Akademisë së Shkencave, poet, gazetar), prof. dr. Seit Mansaku (gjuhëtar, pedagog UT), prof. dr. Ilia Lengu (pas vitit të parë me ne i vazhdoi dhe i përfundoi studimet në Francë, pedagog i literaturës dhe qytetërimit francez UT), Shaban Murati (gazetar, diplomat, ambasador), Adem Istrefi, Adem Paralloi, Fisnik Sina, Gaqo Bushaka, Hiqmet Meçaj, Kozeta Mamaqi, Muharrem Sena, Nasi Lera, Ndoc Paplekaj, Niko Dako (Mësues i merituar), Pandeli Koçi (Sazan Goliku), Sofka Milo, Sotiraq Gjordeni, Spiro Dede, Stefan Kume, Tatjana Aleks Buda (Haxhimihali), Teuta Derhemi (Kazazi), Vera Lohja (Ibrahimi), etj. E po në këtë kohë me stinë të ftohta, akull i tmershëm politik, ku sikurse dihej dhe mësohet edhe nga shkrimi i Qëndros, Ademi ishte në një kurs, kur katër vetë u dashuruan midis tyre dhe u martuan, Rezana Ali Ypi dhe Hektor Bregasi (prindërit e gazetarit Blendi Fevziu), të cilët u emëruan në Dushk të Lushnjës, ku patën edhe mjaft peripeci për shkak të prearjdhjes së tyre klasore “armiqësore”, dhe çifti tjetër Bukurie Sylaj nga Tropoja e Pandeli Kutra nga Gjirokastra.

Adem Parralloi tashmë është në një udhë tjetër, ndoshta mes kujtimeve dhe memorjeve të lëna përgjysëm me disa nga shokët e tij që tashmë edhe ata janë ndarë nga jeta, por kujtimi i tyre mbetet si një ëndërr e përmallshme, gjithmonë i pashlyer, midis të gjithë atyre që i kanë njohur: Agim Korbi (volejbollist i “17 Nëntorit” e “Studentit”, gazetar, kryeredaktor i gazetës “Sporti popullor”), Koçi Petriti (mësues, poet, pedagog i letërsisë dhe dekan i Fakultetit të Historisë e Filologjisë të UT), Faik Ballanca (redaktor, shkrimtar), Astrit Karadaku (gazetar, shkrimtar), Mehdi Agalliu (pas vitit të parë me ne i vazhdoi dhe i përfundoi studimet në Francë, pedagog i frëngjishtes UT), Sulejman Krasniqi (redaktor, shkrimtar), Halil Laze (gazetar në shtypin ushtarak, sekretar i Kolegjiumit të revistës “10 Korriku”, shkrimtar, i burgosur politik), Qani Pertafi (mësues, Peshkopi), Sami Bogdani (mësues, Rrajcë - Librazhd), Ymer Llugaliu (mësues) (Sipas Tmo Qendro).

Duke parë këtë plejadë të nderuar në vite, duke ndjekur dhe përkushtimin e tij, natyrisht nuk kishte si të ishte ndryshe një pinjoll tjetër i fisit Paralloi. Ai nuk u dorëzua, edhe kur në kinemanë e qytetit të Cerrikut iu bë persekutimi atij krahas mësuesve Dilaver Shkodra dhe Hasan Rami, ish mësuesi dhe drejtori i Enver Hoxhës në Korçë dhe që jetonte në këtë qytet. Ai dha të gjithë përkushtimin e tij kur u zgjodh si Drejtuesi i njëzetë e dytë i Arsimit në Elbasan.

200 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page