top of page

Fatmir Terziu: Është ndarë nga jeta Vilhelme Vrana Haxhiraj „Mjeshtër i Madh“

  • Apr 29
  • 4 min read

 

 

Me hidhërim të thellë mora lajmin se është ndarë nga jeta Vilhelme Vrana Haxhiraj. Ishte një kumt i rëndë, i papritur në dhimbjen e tij, që më erdhi përmes fjalëve të Fitimit, dhe që më la për një çast në heshtjen e atyre kujtimeve që nuk dinë të shuhen. Sepse Vilhelmja nuk ishte thjesht një emër në letërsinë shqipe, por ishte një prani e gjallë, një shpirt bujar, një grua që dinte të priste dhe të përcillte miq me zemër të hapur, me atë fisnikëri të rrallë që sot e ndjejmë edhe më shumë në mungesë.

Ngushëllimet më të ndjera shkojnë për familjen, për të afërmit dhe për ne miqtë e saj, që patëm fatin ta njohim nga afër, ta dëgjonim dhe të ndanim me të çaste të paharruara. Ajo dinte të ndërtonte ura njerëzore me një thjeshtësi që buronte nga përvoja e jetës së saj të vështirë, por edhe nga forca e jashtëzakonshme e karakterit. Të rrojmë e ta kujtojmë në përjetësi miken tonë, shkrimtaren dhe publicisten Vivra, si një zë që nuk do të shuhet, si një kujtesë që do të na ndjekë në kohë.

E lindur më 8 dhjetor 1944 në Kaninën e lashtë, Vilhelme Vranari Haxhiraj e nisi jetën në një realitet të ashpër, ku dijes dhe ëndrrës iu vunë shpesh pengesa të padrejta. U arsimua me shumë vështirësi dhe, në një moment kur i mungonin vetëm tri lëndë për të përfunduar studimet, iu mohua diplomimi. Fati i saj u ndërthur me përndjekjen: internime, ndalime, mohime të të drejtave më elementare. Edhe pasi arriti të diplomohej në degën Histori-Gjeografi me rezultate maksimale në vitin 1975, asaj iu mohua e drejta për të ushtruar profesionin e mësueses. Për 25 vjet punoi si punëtore, ndërsa ëndrra e saj për dije dhe krijimtari mbeti e pashuar.

Vetëm pas viteve ’90, me ndryshimet demokratike, ajo arriti të rikthehej në arsim dhe të angazhohej fuqishëm në publicistikë dhe në jetën shoqërore. U bë një zë i fortë për emancipimin e gruas dhe për demokratizimin e shoqërisë shqiptare, duke qenë ndër gratë e para që u ngritën kundër diktaturës. Si themeluese dhe kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas për degën e Vlorës, si dhe si anëtare aktive në strukturat drejtuese, ajo kontribuoi në formulimin e të drejtave dhe lirive të gruas, duke i drejtuar madje edhe një peticion Parlamentit në vitin 1992.

Por ajo që e bën Vilhelmen një figurë të pazëvendësueshme është krijimtaria e saj letrare. Në moshën 52-vjeçare, ajo realizoi ëndrrën e saj të hershme duke botuar vëllimin e parë poetik. Prej aty nisi një rrugëtim i jashtëzakonshëm krijues: poezi, tregime, novela, romane, fabula, përralla për fëmijë, studime dhe ese publicistike. Brenda 17 vitesh ajo arriti të botojë mbi 35 vepra, një ritëm i rrallë, një dëshmi e një shpërthimi të vonuar, por të fuqishëm krijimtarie.

Romani ishte gjinia ku ajo gjeti plotësinë e vet. Me 18 romane të botuara, ajo solli në letërsinë shqipe figura të forta femërore dhe problematika të thella sociale, duke trajtuar plagët e një shoqërie të tronditur nga varfëria, diktatura dhe tranzicioni. Trilogjia “Vështroni Meduzën” mbetet një nga kulmet e saj, një vepër monumentale që përshkon historinë shqiptare nga shekulli XV deri në rënien e diktaturës. Në romane si “Rrëfim në të perënduar” dhe “Unaza e Prangosur”, ajo ngriti zërin kundër dhunës dhe padrejtësisë, duke e kthyer letërsinë në një akt rezistence morale.

Një ndër veprat më të veçanta është “Rikthim i Ismail Qemalit”, ku ajo solli në letërsi figurën e themeluesit të shtetit shqiptar si një personazh të gjallë, duke krijuar një dialog të pazakontë mes historisë dhe së tashmes. Kritika e ka cilësuar këtë si një mungesë të plotësuar në letërsinë shqipe, një guxim artistik që pak kush e ka ndërmarrë.

Krijimtaria e saj nuk mbeti brenda kufijve. Ajo u botua dhe u përkthye në disa gjuhë, u përfshi në antologji ndërkombëtare dhe u vlerësua me mbi 20 çmime prestigjioze, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ishte ndër të paktat autore shqiptare që u përfshi në një antologji italiane mes autorëve nga e gjithë bota, si dhe ndër të parat që u përkthye në rumanisht. Për kontributin e saj u nderua me tituj dhe çmime të shumta, përfshirë edhe urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës”.

Por përtej çmimeve dhe vlerësimeve, ajo mbetet një zë unik në letërsinë shqipe. Një autore që theu uniformitetin e një letërsie të diktuar, që solli një gjuhë të pasur, një stil të veçantë dhe një ndjeshmëri të thellë njerëzore. Ajo e ktheu vuajtjen personale dhe kolektive në art, duke ndërtuar një prozë me përmasa universale, një dramë që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe prek thelbin e njeriut.

Vilhelme Vranari Haxhiraj do të kujtohet si një grua që nuk u dorëzua kurrë, si një shkrimtare që e fitoi vendin e saj me mund dhe talent, si një zë që sfidoi heshtjen dhe padrejtësinë. Ajo jetoi me dinjitet dhe krijoi me pasion, duke lënë pas një trashëgimi të pasur që do të vazhdojë të flasë për brezat që vijnë.

Sot, ndërsa e përcjellim me dhimbje, na mbetet kujtimi i saj, fjala e saj dhe vepra e saj. Dhe ndoshta kjo është forma më e bukur e pavdekësisë: të jetosh në mendjen dhe në zemrën e atyre që të kanë lexuar, të kanë njohur dhe të kanë dashur.

 

4 Comments


Albert Habazaj
Apr 30

Miq të veçantë dhe të vlerësuar të shkrimtares sonë të ndjerë Vilhelme Vranari Haxhiraj!

Fitim i dashur!

Jam me ty në këto çaste të vështira, të rënda, të hidhura, të pamerituara për ty.

Ikja e shkrimtares së njohur Vilhelme Vranari Haxhiraj është një humbje e madhe dhe për shoqërinë letrare-artistike dhe kulturore të Vlorës, Shqipërisë dhe mbarë Shqiptarisë, sepse pena e dashur humane e Vilhelmes sonë la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën shpirtërore të kombit tonë. Nuk na besohet që iku Vivra, por kurajë Fitimit, familjes, të afërmve, sepse ne nuk mund ta harrojmë mikeshën e madhe dhe fisnike.

Mirënjohje prof. Fatmir Terziu për vlerësimin e vijueshëm që ke treguar për shkrimtaren tonë të paharruar, Vivrën e paepur. Deri në…


Like

faruk myrtaj
Apr 29

Kjo bote kerkon me cdo kusht ta mbaj Njeriun ne gjendje mbijetese. Nuk jane te shumte ata qe ia dalin. Me te pakte akoma ata qe e rrefejne kete udhe te bere me krenari te pafshehshme...Te Qofte e lehte Andej...

Like

Kadri Tarelli
Apr 29

Ngushëllim dhe fjalë prekse për ikjen nga kjo jetë e mikes sonë Vivras. Ajo ze vend mes yjeve në krijimtarinë letrare Shqiptare. Kështu do të kujtohet në përjetësi.

Miqësisht Kadriu.

Like

Fatmir Terziu
Apr 29

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Vilhelme Vranari Haxhiraj.

 

I dashur miku im Fitim, të dashur familjarë të familjes Vranari, në këto çaste të rënda, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe më njerëzore. Humbja e një njeriu të dashur është gjithmonë një plagë që nuk mbyllet lehtë, por kur largohet një grua si Vilhelmja, dhimbja bëhet edhe më e thellë, sepse bashkë me të largohet një shpirt i madh, një nënë, një e afërme e pazëvendësueshme, por edhe një figurë e çmuar e kulturës dhe e fjalës shqipe.

Ajo ishte më shumë se një shkrimtare; ishte një forcë e gjallë që përballoi me dinjitet sfidat e jetës, një grua…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page