Është gusht, është gusht 2024 dhe bën vapë …
Nga Fatmir Terziu
Ka disa ditë që fqinji im matanë rrugës është bërë tmerrësisht i çuditshëm. Unë e vëzhgoj flamurin e tij të madh që ka vendosur në murin ballë rrugës kryesore dhe e ndjej se ai gati ia merr frymën edhe murit, edhe dritës, edhe… Nejse, e pëlqej flamurin dhe ngjyrat e tij, por mendoj se Anglia e vjetër, Anglia e mirë është e ngushtë për të në dimensionin e identitetit, dhe ndoshta mendoj se ai e bën vetëm e vetëm për paratë e çmendura që ai bën dhe për oreksin e madh për t'u shpërndarë në shtëpinë e tij të madhe me një kopsht plot ekzotikë qiellorë që e mbajnë atë në këtë ishull në Kanalin Anglez.
Është Gusht. Gusht 2024, dhe këtu në Angli është vapë, dhe vendasit ankohen. Të rinjtë bëjnë dashuri në parqe, të stimuluar hormonalisht nga dielli. Birra në supermarkete është në rënie. Edhe akullorja. Shalqinjtë spanjollë në Sainsbury po priren drejt një minimumi kritik dhe një krizë, ekonomike dhe nervore, shtrihet mbi të gjithë vendin, e larë nga përkëdheljet e lulëzuara dhe të nxehta të ikjes së muajit pararendës, korrikut.
Nuk mund të fle sepse netët e verës angleze më kujtojnë shtëpinë dhe vapën e atjeshme, diellin e pamasë dhe detin e mrekullueshëm, po aq dhe freskinë malore... Ose, mendja më ravidhet për Greqinë me kapiton e saj plot yje pas rrezeve vezulluese të perëndimit të diellit. Ose syri kap masën e albumit fotografik që rendit pamjet në vite për Italinë me larushinë e saj të nxehtë, çokollatë, në të cilën zhytesh me pasion pa dëshirën e agimit...
Por përpiqem t'i transferoj të gjitha këto në tokën e arsimuar angleze, apo e ndjej të pamundur! Do të përpiqem, por vetëm kaq do të mbetem. Dikush ndjek racionin e protestës së hedhur në yootube, dhe dikush hyn më thellë në kuptimin e jetës, dikush tjetër nis të qortojë që nuk mbetet mjaftueshëm nga ajo mënyrë jetese për atë mënyrë jetese... Ec e kuptoje këtë mesele ditësh të tilla të prushta…, por sidoqoftë syri nuk shkon më tej dhe ngecet tek fqinji.
Fqinjit matanë rrugës, sidoqoftë, nuk i interesojnë fare frikacakët e vegjël që kanë përhumbur në fshehtësi shpirtrat jo-britanikë. I fortë si një dem, në kulmin e jetës së tij dhe me një tru të turbulluar nga diçka e tija, krejt personale, ai parkon një „Tesla“ madhështore çdo mbrëmje nën palmën e zverdhur mbi gardhin e kopshtit të tij. Ai godet me shkelm në derën e shtëpisë së tij të zbukuruar në mënyrë snobe me një këmbë dhe zhytet menjëherë në banjë, ku kalon të paktën dy orë. Thjesht lakuriq. Me dritaret hapur…
Në këtë kohë, fqinji im tjetër në të djathtë, (një pensionist me pretendime puritanike) dhe unë ujitim në mënyrë rutinore lulet në oborret tona. Unë me një zorrë dhe një vështrim të hedhur me përulësi në tokën angleze të plasaritur nga thatësira. Ai me një kanaçe uji në pamje lalugeriane arrin deri në skajin e gardhit të tij, duke lagur edhe shkurret gjysmë të vdekura, duke tundur gjethe të kalbura e të dëshpëruara nën dritaren e banjës së fqinjit tjetër. Ndërkohë fqinji tjetër përkul muskujt me tatuazhe drakonike pas parvazit dhe xhelon flokët. Për të qëndruar lart në majë i duhet pak kohë. Se është vapë. Por ai nuk duket fort i qetë. Sepse ne jemi në Angli. Mund ta imagjinoni foton e tij? Ka më shumë…
- Të telefonoj policinë, apo ambulancën, komshiu në të djathtë tërbohet në hezitim si Hamleti, ky fanatik po çmend gjithë lagjen! Lëreni të shkojë në vendin nga ka ardhur! Këtu ka rregulla dhe urdhëra që mbesin të shoqërisë dhe po aq shoqërorë me të gjithë!
Dhe sytë e tij dridhen, fluturojnë dhe qarkullojnë deri në trupin e zhveshur brutal, jo-pukist të Apollonit të huaj, si harabela të urritur të braktisur nga adhuruesit e natyrës me leje vjetore. Dhe kështu ka qenë prej disa javësh. Që kur vala e të nxehtit na la dhe e ktheu Anglinë në terren gati mesdhetar, duke zhveshur të huajt dhe vendasit, e vërteta e zhveshur e natyrës njerëzore mbarëbotërore ka ndriçuar: kush mund ta bëjë, nuk mundet, kush nuk mundet... është gjëja jashtë vëmendjes sime...
Megjithatë, sot vapa erdhi si pelte që zien në rrugën tonë të përgjumur. Krahas fqinjit të çuditshëm nga “Tesla” doli një bukuroshe e hollë me ecjen e një sirene që sapo kishte dalë nga forma e saj ujore dhe dukej sikur ishte ngulur në bisht. Flokët e saj, vorbullat e errësirës së parfumuar, verbuan sytë e të gjithë pensionistëve meshkuj, të cilët mbështollën qentë e tyre në trotuar si dritat e prozhektorëve pas mishit të paturpshëm e të çuditshëm të të huajit. Fqinji në të djathtë theu kazanin e tij të ujitjes dhe hydrangea e tij shkoi të flinte e dëshpëruar, e privuar nga uji, besimi dhe shpresa. Çifti mahnitës hyri në banjë dhe dritaret bosh qëndruan të hapur... Ata të dy ishin shumë të nxehtë, mendoj... Pesë minuta më vonë mbërriti policia. Duke u dridhur në mënyrë parkinsonike, fqinji në të djathtë u përpoq t'i shpjegonte stafit pse i kishte thirrur. Kordat e tij vokale u përkulën si një vemje e vogël në fshikëzën fonetike të fjalëve të përgatitura për hakmarrjen e Apollonit. Më duhej të ndërhyja. I shpjegova policisë se fqinji im kishte një krizë nervore nga vapa, se kjo ndodh shpesh dhe duke pasur parasysh moshën e tij, është e udhës t'i tregojmë një qëndrim të butë. Ai më shikonte me habi... Kishte ndjenja … Ndjenja?! Por nuk i thashë, sepse këtu, në këtë vend të nxehtë, ndoshta dhe përkohësisht, nuk pranohet të zbulosh ndjenjat e tua. Policët shkuan për të blerë akullore. I ujita hydrangeat dhe ndjeva se e doja veten për mirësinë time të drejtë. Kundër rregullave do t'ju them se:
1. I përbuz njerëzit ziliqarë dhe sinqerisht më vjen keq për ta (më fal fqinji im në të djathtë dhe të ngjashmit e tu).
2. Unë e mbroj dashurinë në të gjitha format e saj dhe pasi të ketë filluar, dua që të arrijë një fund të lumtur.
3. Pasi një herë në 30 vjet Anglia është kthyer në Spanjë për shkak të gabimit fatlum të verës duke përhapur rrezet e saj mbi ishull, festa duhet të vazhdojë!
E përndryshe, në banjë bjondja që zbriti nga „Tesla“ ia lyente shpinën me vaj plazhi të dashurit të saj kundër djegies përballë gjithë lagjes, por në banjon e saj. Në pronën e të dashurit të saj… Fundja është e gjitha private. E për çfarë duhej thirrur policia?! Nuk e kuptoj. Kështu është në formën që gjenerohen gjeneratat ndryshe. Njerëzit ecin lakuriq në vapë dhe lyhen me antidjegje. Edhe anglezët duhet të mësohen me të Tjerët, duhet të mësojnë nga situatat dhe të mësohën me situatën, sikurse të Tjerët me anglezët. Përndryshe, vetvetiu palët digjen, digjen në vend që të shmnagin djegjen nga vapa e këtyre ditëve, e mbesin me kanaçe të zbrazëta në duar. Më thoni në këto të nxehta kush mbetet vendas e kush mbetet i huaj?!
Comments