Fatmir Terziu: ÇFARË MREKULLIE?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 days ago
- 1 min read

ÇFARË MREKULLIE?
Nga Fatmir Terziu
E pastaj fryu Bosfori,
sikur të dilte nga qitape të shqyera
mjaftoi një sykrehje retinë më retinë
për të ndjerë
se kush fshihet pas një stuhie,
pas atij vallëzimi në terr.
Thjesht erdhi era.
Dhe më mjaftoi vetëm një çast
të thërrisja me mall,
retë për një çaj.
E ngrita filxhanin
dhe,
sikurse ndodh në një situatë me erë,
ndjeva fustanin,
të luaj vals me sytë e mi
të ngrirë
në sytë e tu si para një nimfe.
Çfarë mrekullie?
Të pish çaj me retë e zbutura
brenda një stuhie
ku sytë shohin vetëm flutura
të ngrira
që zgjohen vetëm në shenjë mirësie
kur dalin nga ëndrrat e bukura.
Kaq
mbetet në sy,
kaq është një vals vetmie,
vallëzoj edhe kur s'jam me ty,
somnabol,
pi çaj,
si një turist i përhumbur në Stamboll,
Çfarë mrekullie… pastaj…?
Comments