top of page

Fatmir Terziu: Çfarë keni kërkuar?


Çfarë keni kërkuar?

… në admirim

 

Nga Fatmir Terziu

 

Çfarë keni kërkuar?

 

Dhe flini të qetë. Ju mbulojnë ëndrrat sikurse hapësirën retë. Dhe kur ata shtrydhen… dhe rrjedhin e gjerbojnë të qetë. Ju nënqeshni…, pajtoheni, gëzoheni. Jeni në harmoni. Rrotulloheni. Zbuloheni. Mbuloheni. Koha ikën shpejt. Fjalët sillen vërdallë. Fjalë…

 

Çfarë keni kërkuar?

 

Pedant. Tepër i përpiktë … dhe i vërtetë. Mendimet janë kaq të kujdesshme. Mjaft i kualifikuar. Me mençuri dhe me një lëvizje të shpejtë dhe të sigurt, prodhon dhe artikulon fjalët …

Oh fjalët, ata rrjedhin si një kunalle në zabel. Ai në zabel, e njeh atë. Një kunalle atje, … atje larg është melosi i strukur në thellësi të drurit. Në thellësinë e drurit, mbi rrënjë, nën kulm.

Përmes degëve ku duket ajo e vërtetë, e gatshme, e shtrirë, atje ku ajo bëhet akoma më e vështirë.

Dhe pjesa e vështirë nuk dihet fare. Nuk dihet se çfarë kërkon.

Dhe pastaj atje, pas një përjetësie dhe në një çast enigmatik, ajo është aty e rishfaqur, por sërrish sikurse s’dihet, sikurse s’njihet, sikurse s’shihet. Është para jush.

 

Çfarë keni kërkuar?

 

Nga syri deri tek zgjimi. Një çlirim admirues. Një zgjim real. Një pastrim të madh (nga ndonjë mëkat?!). Mbi kapakët e syve, mbi të ndera, me fjalë të tjera: Të gjera dhe të hapura. Të gjitha fjalë dhe mendime që nuk dëgjohen, që nuk fliten, por që vijnë shpejt e ikin ngadalë… e ngadalë mes rrezeve të diellit. Dielli kalon nëpër çatinë e gjetheve të kripura nga lotët dhe të pjekura nga admirimi.

Ajo zvarritet dhe shtrihet dhe me lehtësi përqas çdo gjë që ngjit sytë tuaj mbi të.

Madje edhe shkëmbinjtë e thatë mbi mjegull, duket se shkëlqejnë.

 

Çfarë keni kërkuar?

 

Ju shikoni poshtë dhe ajo ju përkëdhel. I butë dhe i ngrohtë përqafimi i saj, që nuk mund të shihet.  Mjafton të zgjasësh gishtin në të.

Vendndodhja?!

Origjina?!

Është kudo! Ju rrethon. Mbylli sytë. Përqafo diellin që të ndjek nga pas. Mos e hap pakuptimin e rrjedhës. Rrjedha? Rrjedh, poshtë, rreth e rrotull, përmes … një ujëvare të thjeshtë. Ujëvarë jete. Nuk ka të ndalur ujin. Ajo është e pamëshirshme, ajo është e vendosur të shkoj në destinacionin e saj.

 

Çfarë keni kërkuar?

 

Nuk mund t’ia ndryshosh mendjen.

Është e palëvizshme.

Kjo është ajo që është. Është bukuria.

Gjërat e tjera?! Asnjëra prej tyre nuk mund të krahasohet. Nuk ka bukuri në të gjitha gjërat e bukura. Por, mirësia, ndjenjat që thirren kur lexojmë ëndrrat e të tjerëve, e bukura e leximit të tyre, bukuria e leximit na shpie drejt e me durim, me mallëngjim …, me dashuri leximi në admirim. Fundja … Çfarë keni kërkuar?

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page