Fatmir Minguli: Shënime për “I ngrita të rënët”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 1, 2024
- 5 min read

Nga Fatmir Minguli
Shqetësimet e poetit mes pezimizmit dhe emocionit triumfues poetik
(Shënime mbi librin me poezi “I ngrita të rënët” të poetit Kujtim Hajdari)
Pesimisti sheh vështirësi në çdo mundësi.
Optimisti sheh mundësi në çdo vështirësi.
(Winston Churchill)
Poeti i mirënjohur Kujtim Hajdari vjen në botën e botimeve poetike me një libër te ri të titulluar “ I ngrita të rënët”. Një titull i pazakontë në krijimitarinë e pasur të këtij poeti kozmoploit. Një titull i pazakontë jo vetëm për këtë poet bashkohës por dhe për shume poetë të tjerë të botës shqiptare aty ku ndodhen.
Por ky titull i marrë nga poezia me të njejtin emër i kushtohet dëshmorëve dhe heronjve që dhanë gjithcka për Atdheun, është më shumë se sa arsyeja e thjeshtë e adhurimit të dëshmorëve dhe heronjve, veprës së tyre. Arsyeja e këtij tituli është më e fortë se sa mendimi për ta shkruar vetë poezinë. Kujtim Hajdari lufton të kujtojë një të shkuar që ka shkuar tashmë por ai ndalon për t’i kërkuar vlerat, vlera që do të çonin përpara jo vetëm vendin e tij. Ai i kthehet retrospektivës për të kuadratuar të ardhmen me shijen e plagëve të së sotmes. Në këtë poezi emblematike ai ka nje varg ku thuhet fjala e të rënëve për një liri të premtuar:
“Lart mbi dhe, si deshët, na bëtë e na zhbëtë/ na lini të prehemi qetë të paktën nën tokë.”
Ja se si ai nuk i këndon zombëve por ekzistencializmit real të idealit të të rënëve në një botë të sotme ireale.
Duke përshëndëtur parathënien e shkruar nga Llazar Bano, i cili e ka trajtuar hollësisht strukturalisht këtë libër desha të theksoj disa vecori të poetit Kujtim Hajdari në këtë libër të pazakontë! Eshtë fakt i pamohueshëm se poezia e Kujtim Hajdarit është plot të papritura të cilat vine ashtu si pa e kuptuar dhe kjo është poezia e vërtetë e pa paramenduar por e fshehur, që feks në mes të një errësire shpirtërore.
Ai kalëron lehtë mbi fushat e poezisë kontemporane duke projektuar pelikola të filmave bardh e zi të një jete të shkuar. Hollë – hollë në poezitë e tij nuk sheh optimizëm realist por një optimizëm flegmatik, disi të ngadaltë, disi vëzhgues por tejet i kthjellët në mesazhet që përcjell.
Është një nga llastaret kryesorë në poezinë e tij që pëlqehet në përkthimet në anglisht nga perëndimorët. “Të rënët” për Kujtim Hajdarin janë në poemthin “Ndaj rri heshtur e nuk flas” ku ai shkruan sikur të ishte Leopardi në kohë të tij:
“Të huton ndoshta pamja ime,
kjo pamje e ftohtë.
fjalët që fshihen
e struken në heshtjen time,
në heshtjen e përhumbur,
të shurdhët.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Hajdari heq dorë nga zëri I forte i tij si mendimtar dhe poet. Është krejt e kundërta. Krejt e kundërta me përpjekjet e tij të zellshme për të hyrë në zemrën e polemikave letrare poetike e bëjnë atë një intelektual të përkushtuar, i cili hedh poshtë me forcë teorinë e trotuareve dhe del në “free way” të poezisë së guximshme.
Ai ka poezinë me ndrojtje të mendimit por që përmes ekuilbreve dhe diseukuilibreve të pezimismit ai shfaq emocionet që trondisin shpirtra njerëzorë. Duke qenë poet që e njeh dhimbjen jo vetëm të vetes së tij por dhe më gjerë, ai ndërton kështjella të reja të jetës njerëzore.Kështu deti për Kujtim Hajdarin është protektori i kështjellave të jetës dhe ai e nderon atë në skajet e respektit të një poeti:
“Tani, I mërzitur, I harruar sikur vdekjen pres,
prej dalgëve plot mister që godasin e godasin.”
Kjo poezi me titullin “Fantazma jote” është një perlë e poezisë së sotme shqipe sepse misteri, fantazmat, friika, hijet janë promotorë të një poezie kaq të ndjeshme dhe të lakmuar nga kushdo poet.
Trishtimi për të është i pranishëm edhe te nëna që ushqen zogjtë, edhe te e vluara që “i vjen bashkë me plagët e jetës por që do sjellin prap buzëqeshjen e munguar” dhe pastaj kalon në dhimbjen e shekullit në “Shtëpinë e pleqve” një komplement i dhimbjes jo personale.
Ai, poeti, kalon mbi parabolat e trishtimit me hap të sigurtë, edhe pse të heshtur e që pret të papriturën e këndshme. Ja pse poezinë “Eja bashkë me to” ai e paraqet me dy variante duke e rregulluar sado pak dhimbjen universale të njeriut dhe poetit shqiptar.
Dhimbjet shpirtërore është normale që i kanë shumë poetë e prozatorë shqiptarë dhe jo shqiptarë, por Kujtim Hajdari si besnik i legjendave dhe miteve të Myzeqesë magjike i sheh ato me drita të shpirtit poetik aty ku “ëndrrat e vrara”, “ emigrimi”, mungesat e së dashurës, “miqtë” zvarranikë, e deri te poezia me titullin “Poezi” të botuar në këtë libër që unë do ta quaja prelud i librit të të rënëve.

Paparitmas poezia gati satirike” Prapë pasha” e bën atë të qetohet duke marrë kurajo nga dualizmi i sojit heretik mes trishtimit dhe optimizmit.
Ky libër është një udhëtim vajtje ardhje me biletë të parapaguar në botën e trishtimit dhe një lloj vetmie e poetit derisa ai arrin të gjej pushim te kategoria psikologjike e Frojdit si te poezia “Ëndrrat” që dhe ato janë reflektime puritane të ngjarjeve të ditës që kalon poeti dhe mendimeve tronditëse të natës.
Këtu dua të ndaloj mbi disa perceptime ku spikat poezia e Kujtim Hajdarit dhe nuk ka si ndodh ndryshe që ky poet merr pjesë në dhjetra antologji e konferenca poetike ndërkombëtare dhe me artin e tij magjik poetik ai i shërben popullit të tij, jo vetëm të Lushnjës dhe hapësiarave magjike të periferisë së saj por tej e më tej kufijve të tokave shqiptare.
Nuk dua ta krahasoj Kjutim Hajdarin as me Xhakomo Leopradin e as me Sharl Bodlerin se edhe pse ka të përbashkëta në poezinë e trishtimit e të pezimizmit me të dy këta poetë madhorë, ai është ngadhënjyes në botën e tij jo vetëm shpirtërore por dhe atë të artit të poezisë moderne.
Ai në thëllësi ka optimizmin apo entuziasmin triumfues mbi trishtimin, aty ku hallet e jetës gëlojnë, ku pikëllimet janë më të shumta se gëzimet të cilat prevalojnë dhe e shndrojnë poezinë shpirtërore të Kujtimit në poezi shumë bashkohëse duke e renditur mes poetëve që dinë t’ i këndojne realisht jetës edhe kur ajo ështe ireale me të mirat e të këqiat e saj. Mes dhimbjesh të tilla dualiste janë dhe ato të dashurisë për të vluarën e zemrës. ajo është një “përhumbje mendimesh” ku poeti here here ndërron pamje, ndërron gjendje të shpirtit e dhe pse ndodhet mes negatives dhe pozitives në përvojat e jetës.
Në vëllimin “I ngrita të rënët “ dashuria vjen jo si në vëllimet e më parshme, ku ndriçon rrezatimi rinor edhe pse mosha ka avancuar drejt maksimumit tĽ parabolës së jetës. Në këtë libër Kujtim Hajdari ndërton portrete të reja të një dashurie njerëzore, edhe pse aty nuk të “rënë”, por ndoshta të plagosur lehtas ka.
Edhe këto poezi që po analizoj janë sjellë me një frymë tjetër ku nuk mungon emocioni, fryma poetike e fuqishme e autorit, por që pjesëza të pezimizmit apo melankolisë nuk mungojnë. Mungesa e tyre është dhe tharmi që ndërton atë mjegull ndryshe, një mjegull që shton misterin e dashurisë.
Libri “I ngrita të rënët” është ngjarje në poetikën e krijueve shqiptarë dhe të huaj. Ky libër vjen me diplomën e origjinalitetit të jetës shqiptare të sotme që studjon tabllotë e të shkuarës së hidhur të shqiptarëve. Si i tillë vlen të studjohet e besoj se të tjera vlera do të gjenden në faqet e librit.
Durrës
29 mars 2024
Comments