FATMIR MINGULI, MJESHTËR I SIMBOLIKËS


Kadri Tarelli

Kadri Tarelli shkruan:

FATMIR MINGULI, MJESHTËR I SIMBOLIKËS

Romani “Frika”, përcjellë me kumt jete.

Para pak kohësh doli në qarkullim romani “Frika”, i autori të njohur durrsak Fatmir Minguli. Madje që në ditët e para të botimit, u përurua në një kuvend të thekur letrar, organizuar nga libraria “Hugo” në qytetin e Durrësit, ku merrnin pjesë shkrimtarë, poetë, krijues e studiues, artistë të penelit e daltës dhe lexues të dashuruar me fjalën shqipe.

Takime të tilla unë i quaj kuvende, pasi pati pyetje, diskutime nga të pranishmit dhe përgjigje nga vetë autori, i cili përshkroi shkurt linjën e ndjekur në këtë roman të ri me emrin “Frika”, të cilën autori e sqaron që në faqen e parë: “Frika e një intelektuali me biografi të mirë”. Si të thuash, hap një hulli disi të errët, lidhur me dukurinë e frikës, si proces psikologjik i lindur dhe i kultivuar më së shumti në sistemet e diktaturës, siç kaloi vendi ynë, apo edhe vende të tjera të Europës lindore.

Autori, besoj qëllimisht ka gjetur këtë titull të përgjithshëm “Frika”, si qëllim për të tërhequr vëmendjen e lexuesit, madje për ta vënë atë në mendim: frikë nga kush dhe pse? Synim për të kërkuar e gjetur përgjigje brenda faqeve të këtij libri të thjeshtë në pamje, por të çuditshëm si formë dhe sidomos në përmbajtje.


I gjithë romani është i ndërtuar mbi dy linja kryesore:

E para, një dashuri e zbetë, si puhi detare që të ledhaton e të freskon për pak çaste, që ndjehet e humbet në ditët dhe mbrëmjet e gushtit. Shpesh na duket si një fije e hollë që mezi dallohet, por që e mban lidhur lexuesin deri në faqen e fundit. Pikërisht atëherë kur shfaqet portreti i Lesa dhe dashuria e nisur kohë më parë, por e ndërprerë pa lamtumirë, për t’u rikrijuar përsëri pas gati njëzet-vjetësh. I gjithë ankthi i lexuesit mbetet pezull si mjegull që mbulon majat e alpeve, që duken e zhduken papritmas. Në fund, e tëra e sjellë mjeshtërisht nga autor Minguli, në një “Hapy end”, pas një lodhje të gjatë nga drama që e shoqëron Zafon, heroin e librit, pa bërë fjalë për dramën e bukuroshes Lea. Gjithçka e mbështjellë në lëmshin e “frikës”, e mbuluar nga një vello e hollë misteri, si dukuri që nuk duhet të ndodhte, por që ndodh për hir të frikës së madhe. Ajo frikë që nuk e le të riun Zafo, të ketë atë guxim të vogël, sa për të kapërcyer pengesën e vendosmërisë së një burri. Aq e dukshme është kjo dukuri, sa dikush do të ndjejë bezdi, që në roman kjo temë s’ka farë konflikt, sepse mbahet e ushqehet vetëm mendërisht e me hope, por nuk ndeshet fizikisht, as vazhdimisht, por edhe i befasuar, se dashuria nuk vdiq. Ajo jetoi kaq gjatë.

Së dyti, është gjethja e dushkut si simbol hershëm i Pellazgëve, Ilirëve dhe më pas i shqiptarëve, që i shfaqet Zafos fare rastësisht. Edhe në ballinë e ndeshim këtë gjethe, por të veshur me një sfond gri të errët, edhe kjo gjetje artistike, për të na thënë se ky simbol do kohë të zbulohet nga errësira e shekujve. Çuditërisht simboli kthehet në qëllim në vetvete, sepse dalngadalë e tërheq gjatë gjithë jetës, duke u madhuar e shpërfaqur pas një pune të mundimshme disa dhjetëra-vjeçar, nën peshën e padukshme të frikës, që ashtu si dashuria për Lean, nuk iu nda që nuk iu nda për asnjë çast.

Ky kapitull është edhe më i qënësishmi, pasi sipas mendimit tim është një studim shkencor i mirëfilltë, aq sa do të thosha, se pavarësisht nga mendimi i autorit apo gjykimi i lexuesit, kjo pjesë duhet të bëhet një broshurë e vogël historike, si libër i veçantë. E them këtë, pasi simboli i gjethes së dushku, nis si pa dashje, por përfshin gati të gjithë hapësirën e librit. Autori e çon Zafon nëpër gjetje të ndryshme, në dukje të vogla dhe që duke u mbledhur si pikat e vesës, të çojnë në përfundim logjik për shenjtërinë e këtij simboli të Pellazgëve paraardhësve tanë.

Autori jo pa qëllim e përcjell personazhin në gjetje të tilla: bie fjala gjethja e dushkut mbi faqe monedhe, (monedhë në kohën e Zogut në vitin 1926), apo në mantelin e Skënderbeut, të përshkruar nga Barleti, zbukurimet nëpër kangjellat prej hekuri punuar nga Kol Idromeno. Çuditërisht, pra si rastësisht e ndeshim edhe në Lezhë, në piedestalin ku ngrihet shtatorja e poetit Gjergj Fishta, madje edhe te kostumi i këngëtares Genta Ismajli, fituese e çmimit të parë në festivalin e pestë të “Këngës magjike”, Tiranë. Pra autor Minguli na i shtron parasysh shenjat, ndërsa unë që besoj, kështu edhe lexues të tjerë, shtroj pyetjen: Si është e mundur kjo rastësi? Meqë dikujt mund t’i duken vogëlsira, në libër na tregohet për lisin në Tempullin e Dodonës, në trojet Ilire në antikitet, për të vazhduar me librin e studiuesit Dhimitër Pilika, “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”, për të cekur edhe artikullin e shkruar nga studiuesi Moikom Zeqo, etj, etj.

Simboli i gjethes së dushkut, bëhet shkak për të ngjizur studimin akoma më me vlerë, Pellazgët paraardhës të Ilirëve. Nuk dua të hyj në labirintet e emrave të dijetarëve dhe historianëve tanë e të huaj, të vjetër nga antikiteti e mesjeta, por edhe të kohëve të reja, pasi janë shumë, dhe që bëjnë fjalë për popullimin e krejt Europës nga Pellazgët, popull që dikur zotëronte Ballkanin dhe rajonet e Detit Mesdhe e të Detit të Zi. Sa keq që historia jonë kombëtare është kaq e varfër, madje e zhveshur nga këto materiale e nga këto studime, do të thosha të jashtëzakonshme. Këtu shtyhem përsëri të pyes: Pse? Duke iu ngjitur pyetjes që bën heroi ynë Zafo: Ç’bën Akademia jonë e shkencave? Dhe që më pas i trishtuar, ai shton: “Akademikët hipin e zbresin shkallët e Akademisë, të qetë e të lumtur, duke tërhequr me zor çantat e mëdha plot me libra dhe me letra. Ç’kish vallë në ato letra? Ose më mirë të them; Ç’gjëra misterioze kishte në ato çanta? Një zot e di!. Për ta, aq i bën që të studiohet historia e shqiptarëve‼

Këto dy linja të romanit i bashkon frika, e lindur dhe e ngjitur si patologji psikike që në nisje, kur Zafo hipur në avion, kalon kufirin shqiptar, si fillim me dyshime, që më pas ushqejnë frikë. Pse….!?

Dukuria e frikës lind bashkë me njeriun, thonë të diturit, si reagim ndaj të panjohurës, si veprim për mbijetesë, etj etj. Disa e ndjejnë me shumë e disa më pak, por askush nuk mund të mburret se nuk ka frikë. Ndaj më kot bëjmë pyetjen: Pse ka frikë një intelektual me biografi të mirë? Çudi është për ata që nuk e kanë njohur sistemin e diktaturës te ne, që u vendos dhe sundoi për gati gjysmë shekulli.