top of page

Fatmir Minguli: Mbi kërkimin e një stili poetik  transformist


(Shënime kritike për librin “Kërkoj të zbuloj një shkëlqim” të Rifat Ismailit, FastPrint, Tiranë, 2023)

  Poezia është arti që bën të futet deti

brenda një gote.

Italo Kalvino


          Poeti është fjalë. Eshtë Tingull,

Kapur dorë për dore me shqisat

  Në valle të shenjtë mes yjesh e ëngjëjsh.

                                                             Rifat Ismaili, poezia “Poeti”

Rifat Ismaili është një shkrimtar dhe poet i njohur shumë dimensional. Eshtë e kuptueshme se puna e madhe që bën ky shkrimtar është si rezultat i talentit dhe punës së pa cak gjatë këtyre tridhjet e ca viteve. Ai është një vullkan që shpërthen herë pas here dhe si i tillë nuk arrin të përcaktojë madhësinë e “flakëve” që dalin nga zemra e tij vullkanore.

Por gjithçka lidhet me shpirtin, me një konceptim tejet shoqëror që ky shkrimtar zotëron edhe në mardhëniet me shoqërinë duke qëndruar larg fenomeneve negative si cmira, përbuzja, nënçmimi i veprës apo talentit të tjetrit.

Mendoj se ky zotërim koncepti e bën atë një shkrimtar dhe poet e më tepër si analist letrar që të shohë përpara e t’i ruhet momentit kur drita e semaforit të kuq antihuman e ndalon. Ai ndalon. Ai është i thjeshtë dhe modest.

Eshtë i qetë kur shkruan në poezinë “S’jam i sigurtë për asgjë”  se “E djeshmja/ nuk fshihet/ me majën e lapsit.” Dhe ky koncept e bën atë njeriun poet të ditëve tona ku lajkat dhe nojmat atij s’i shkojnë për shtat.

Në gazetën e së shtunës “Nacional” Anton Papleka ka një poezi që titullohet “Të shkruash një libër” ku mes të tjerash thotë:

“Të shkruash një libër do të thotë

Të trokasësh në derën e kujtesës së botës.

Kush ka të drejtë ta bëjë një veprim të tillë?

…………………………………………..

Këto pyetje vijnë nga dy drejtime:

Nga thellësia e së shkuarës

Dhe nga horizontii i pakapshëm i ardhmërisë.”

 

Këto vargje i përshtaten luftës së vetë heroi im Rifat ismali, tashmë hero i poezisë, bën në çdo mInutë, në çdo sekondë të regëtimave të shpirtit. “S’jam i sigurtë për asgjë: thotë ai. Me  të drejtë. Por ai ndoshta edhe në aspektin social e shpreh këtë, por unë këtë pasiguri e shoh në luftën që ai bën në kërkim të stilit të tij poetik, një stil që nuk e ka tjetër njeri.

Në poezinë e librit që po studjoj “Ndonjëherë vargjet…: ai shkruan:

Nganjëherë vargjet burojnë vetiu

Si shiu i rrëmbyer në mes të verës

Ku dhe ti habitesh nga kjo cartje kënaqësie

Nga ky thesar, ku fshihej, s’e dije…


Po pra në shkrimin tim po merrem pikërisht me këtë thesar që fshihet në shpirtin e poetit e nuk është thesari i Ali Pashë Tepelenës që nuk është gjetur akoma.

Në librin ““Kërkoj të zbuloj një shkëlqim” gjen poezinë për Moikom Zeqon, çka tregon se ai, poeti Ismaili është në kërkim të atij thesari që ka shumë pamje, por që për mendimin tim është stili vetjak i Rifat Ismailit në poezi. Kam bërë dy shkrime për prozën e tij dhe duke lexuar këtë libër med poezi  thellohem në labirinthet e krijimtarisë së këtij autori.

Por në poezitë e librit “Kërkoj të zbuloj një shkëlqim” ndjehet ekzistencializmi, ajo frikë që ai e quan evidente prandaj në poezinë “E ardhmja ime” shkruan

E ardhmja ime

Është

Pelegrin i shpresës.

E dhe një poet i haikut nuk do të mund ta shkruante më bukur dhe më me sinqeritet preokupimin për të ardhmen si poet.

Në poezinë për Moikom Zeqon ai  vajton ikjen e tij në amëshim, një poezi plot figura të fuqishme artistike. Kjo poezi më kujton një autorrëfim tejet të sinqertë të vetë Rifatit në një nga esetë e tij ku përmend edhe Moikom Zeqon në të gjallë të tij.

“Kur, i ri dhe pa përvojë mendoja se letërsinë në Shqipëri e bënin vetëm Kadare, Agolli e një grusht poetësh. Më pas, shtova në listën time Migjenin, Lasgushin, Fatos Arapin, Moikom Zeqon, Zija Çelën e të tjerë. Sa më shumë kalojnë vitet, edhe kultura jote rritet, gjithashtu dhe botëkuptimi, kështu që rrethi i shkrimtarëve të preferuar zgjerohet dhe i ngjan atij vullkanit që ka shpërthyer dhe ka lënë një gropë të madhe rreth e rrotull.”

 Nëse në prozë Rifat Ismaili ka një meritë tejet sublime në vlerat narrative dhe subjektet e veçanta në letërsinë shqipe kur lexon poezotë e tij, të paktën unë ndjehem ngushtë. Në përgjithësi i kam pëlqyer narratorët e prozës dhe poetët në veçanti por kur këto proza dhe poezia janë brenda një trupi njerëzor…!?

Pabarazitë dhe barazitë midis prozës dhe poezisë- është një temë ekuacionale, është një nga dilemat ku aksh kritik letrar mund të hezitojë në përpjekjet për zgjidhjen e ekuacionit. Eshtë një peshore magjike, sado e sofistikuar qoftë ajo, sikur edhe të ndihmohej nga inteligjenca artificiale nuk do të arrinte të dallonte diferencat e talentit, apo barazimet e tij  në krijimtarinë e shkrimtarit Rifat ismaili.

Edhe po të krijosh ekuacione matematikore  për të gjetur “x” -in  të fshehur mbas një “y”-i ndoshta do të ishte e vështirë po kaq sa është dhe gjetja e kësaj diference. Në shikim të thellë, në “errësirën” e pafundme të detit shpirtëror  të Rifat Ismailit, me një mendje të kthjellët kupton dhe sheh deri diku zgjidhjen e këtij ekuacioni që është dhe biologjik. Poezia dhe proza e rifatit  janë biologjike, jetësore deri në kapjen e indeve të imta me mikroskopin transformues të poetit.

Kjo zgjidhje është në faktin se Rifati  është një eseist i përkryer dhe eseja hyn si katalizator për të bërë lidhjen mes prozës dhje poezisë së Rifat Ismailit. Ndryshe nuk ka zgjidhje!

Fakt tjetër është dhe vetë transformizmi që ai përdor sidomos në poezi, ku ai nuk e njeh linearen narrative poetike, por  stili i tij shërben si një katalizator për ndryshime transformuese duke ndyshuar mentalitetet, duke tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve që shpesh injorohen dhe duke zgjuar përgjigje të thella emocionale që lidhen me jetën e përditshme.

 Ai e ve stilin në udhëheqje për transformimin e sistemeve, duke treguar  se si poetët dhe shkrimtarët  mund të promovojnë ndryshime sociale përmes të menduarit vizionar. Ai lufton për  integrimin e artit në përcjelljen e paradigmave  të reja për një botë të drejtë dhe të barabartë, duke theksuar rëndësinë e dëgjimit të poetëve  në formimin e transformimeve shoqërore të ardhshme.

Në kërkim të stilit të ri ai, poeti, ndryshe nga prozat e tij e ndërton figurën poetike me anë të projeksioneve të thyera fotografike duke e sjellë realitetin jetësor me nuanca dhe ngjyra të përndezura.

Në poezinë “Dehem me jetën” ai shkruan:

Shëtis nëpër muzgun

krahënderë dallëndysheje…

pi eliksirin e vesës,

Në lëndinat e heshtjes;

Sy mbullura e të përgjumura

Mbi sup më mbështetën

…………………………………….

Luaj symbyllur me mjegullën,

dehem me jetën,…

Në maja pemësh, si gjethe

Le dëshirat dhe veten.

 

Në botën e sotme mbushur me poetë të Inteligjencës artificiale apo konformistë është vështirë të shkruash realen siç e shkruan Rifati. Edhe pse kjo teknologji është transformuese edhe në poezi përsëri ajo nuk e arrin poezinë e njeriut natyror, thjeshtë e pasuron atë me ide e forma të reja.

Ajo që më pëlqen më shumë te poezia e Rifatit është diversiteti i mendimeve për gjithçka, jo vetëm ana ekzsitenciale por dhe ajo lloj frike që vetëm zemrat e poetëve e kanë, një lloj angushtie reale për të panjohurën, për pafundësinë e përgjithshme të pa kohë. Ai shkruan se “Koha për mua është pa akrepa” ose “e panjohur është loja e jetës që më thërret”  deri sa shpërthen në poezinë “Mes mungesave në dhomën time”:

Nëpër këtë botë pa shpirt, herbarium

Rri i fshehur librave, errësisrës, reve…

Si ajri në shpellë mungoj, madje më shumë,

Mungoj në mes njerëzve si shiu lumenjve…

 Këto simptoma të pezimizmit nuk janë vendimtare në jetën e poetit por janë evidente duke u kthyer në instrumenta transformizmi, në pasqyra ku ai sheh të keqen e kërkon ta kthejë në të mirën.

Dhe me të drejtë Zekerija Idrizi shkruan  për Rifatin:

“Ai bëhet i kapshëm, i kuptueshëm, interesant në “mistikën” dhe “metafizikën” e tij letrare”. Dhe ka shumë të drejtë sepse dhe Borgesi i madh shkruan se “Ҫdo poezi është misterioze. asnjë nuk e di plotësisht se ҫfarë është vendosur për të shkruar.”

Mistika e Rifat Ismailit duket qartë në shumë poezi të vëllimit“Kërkoj të zbuloj një shkëlqim”. Eshtë kërkimi i vetë të panjohurës, mistikës së largët dhe të afërt, prandaj ai dallon në poezitë e tij nga proza e tij. Eshtë një dhunti që nuk e gëzojnë shumë autorë. Në prozë ndryshe dhe në poezi ndryshe po është ai, Rifat Ismaili me kostume shprehëse të ndryshme.

Durrës 22 qershor 2025

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page