top of page

Fatkeqja...


Fatkeqja... Sipas S.K. (tregim) Nga Përparim Hysi Ç'do lexoni më poshtë,është një histori e vërtetë.Është fati i keq e një vajze nga një fshat i Tiranës në vitet e luftës dhe,si ngjarje, e ka nisjen kur gjermanët hynë në Shqipëri. As që dyshoj në ato që më tregoi miku im,S.K. I vetmi dyshim im është sa do jem i zoti që të bëj për t'u pëlqyer lexuesëve. Si "parzmore" për të mbrojtur veten,kam fjalët e AT GJERGJ FISHTËS:"... o,atje nuk kena kanë,por ashtu na kanë thanë". * * * Kur erdhëm gjermanët në fshatin tonë,dëgjova nonën time që i thoshte Nafies,komshies:- Vërej tuna,Nafo,për atë Pejgamer,shyqyr që e thyen qafën ata breshkaxhinjtë,se na,gratë, nuk guxojshim të dilshim prej dere. Pak,por t'i ngrejshe sytë,të gallbronte me sy taljani si me të fluturue shamia nga kaptina. E ndryshe,fare këta nemselinjtë që janë aty tek"posta",pasha të madhin Zot,kam ra dje aty pari dhe nemseliu,sa ka pa që po afrohemi tek rruga,i ka ul kryet sikur kish ba foj. Do.me thanë ti, por të huaj janë dhe ata,moj Ishe (nonën time e quajnë Aishe):Të huej, të huej,po me luftën nuk kemi punë na.Ajo është punë për burra. Unë i dëgjojsha të gjitha fjalët e nonës dhe me vete (epo,oZOT,jam 16-vjeçe),po mendojsha: sikur të gjej një sebep me pa qoftë dhe një nga këta,nemselinjtë që paskan erz e nder. Kështu mendojsha unë,kur -për çfarë t'ju zë be/,- kur po dal nga qymezi i pulave,shoh një nemseli.Sikur ma kishte prurë Zoti. E kam ul kaptinën në tokë,kur ky bën me shenjë. -Qyqa,moj none, çfarë dojte ky rop i huej? E rroka tinëzish me sy dhe,për kokën e ISHES, si llokum i biri i botës,por unë kuq e skuq,vrap tek nona dhe jam rrëfye. Brof ka bo nona dhe i thotë shqip:-Çfarë kërkon? Ai në gjuhën e tij, epo hajde merre vesh,kur e qit prej një traste një vezë dhe me dorën tjetër do pare. Medemek,due vezë dhe i blejke me pare. Nona më thotë:- Ma mbush një kaçile plot se po ia krip kaptinën mirë. I muer vezët,nona u kënaq me paret,por unë,tek përgjoja, jam kënaq tuj pa. I huej,i huej,por djalë në vakt e nuk ngopeshe me e pa. Nemselliu i muer ato që deshti dhe u kthye andej nga erdhi. Ai iku,por mue më iku delli i syrit nga meraku. E re,16-vjeç,çupë fshati, e padalë dhe vetëm ëndrroja sikur ky,jermeni apo nemselliu,si e thojte,nona,po vinte prapë e të blinte vezë, Pula kishim plot dhe qe stina që pillnin. Mendoja,por nuk guxoja me i thanë as Merfas,shoqes sime.Qyqa,si me më pre gjuhën,po të thoshe për nemsen.Pas dy ditësh,nemsellu erdhi prapë. Tash,sikur të ishte toni, e kam pa drejt për drejt mu në sy: e pashë që qeshi dhe mua sikur u përmbys dynjaja.- O nonë,- thirra. Ka ardh prapë ky nemsja dhe tash veç paret ka në dorë. Ka dalë nona dhe,kur po ia numëronte vezët në kaçile, e kam ndje që po thoshte:"gut-gut" dhe me sy nga unë.Për atë Zot,nuk rrej.Këtë radhë as e kam ul kaptinën dhe e pashë që e çoi buzën vesh më vesh. Tash,kur iku. më krceu daci mbi kaptinë.Çfarë dojte me thanë me atë buzëqeshje, Iu gëzua kaçiles me vezë apo e kishte me mua.Po unë,ç'hyj në këtë mes? * * * Një ditë,kur njerëzit e shtëpisë kishin ik në një dasëm,unë mbeta vetëm. Kur shoh,mu aty tek gardhi,nemseliu. Qyqa?Po tani? Të dalë apo mos dalë? Dola që mos dalça.Ia shof paret në dorë dhe,pasi mbusha kaçilen,ashtu sikur po hyja në vorr,afrohem. Ky,erzeliu,po më shihte sikur terziu kur më mori masën për një fuston.Ia dhash kaçilen dhe,kur po më jepte paret,ma ka zanë dorën e ma ka shtërngue. Pupu,me bo me më pa kush? Doja me e hjek atë dorë,por prapë po më pëlqente ky"erzeliu".Prapë e çoi buzën vesh më vesh dhe tash vetëm për mue! Tërë kohën,sa ka ikë aj,vetëm kam thurur ëndrra.Dhe të gjitha të bukura. Asnji fjalë unë atij dhe ai se çfarë më thotë as vet nuk e dij.Po nuk mbaron me kaq. Ata sikur e sollën krejt nemsen në fshat,se firojshi vezët e bleme sikur kund shtëpi tjetër nuk kish a pula dhe as vezë me shit. Por llafi qe ndryshe: i paska ra nemsellit mu në kaptinë për mue dhe unë,për çfarë me iu betue që të më besoni,edhe dojsha me e pa,por dhe tutesha.Ku-ku si do vejë halli? E një tjetër ditë,si me e çue Zoti,se asnjë fjalë nuk e këmbenim,se nuk merremi vesh,nemselliu jo vetëm ma kap dorën,por më puthi. Tash më mirë të kisha cof në vend se me ndenjtë gjallë. Më puthi dhe në gjuhën e tij diçka më tha:- O nonë,o nonë,ça më ka gjetë! Kur një ditë ma ka mbërthyer dorën dhe rrugë e nën rrugë,ashtu si isha me rrobet fshatçe,më mori e më hipi në makinë. Jo në makinë,por drejt e në kiamet. Doja me u hudh nga makina,por ai veç buzëqesh e tash hapu dhe,dhe futu Mereme brenda. As e di se ku do shkonte makina, por të vërtetën e mora vesh,kur qëndruam në një qytet të KOSOVËS. U strehuam tek një famije shqiptare dhe nemselliu im (e quanin Franc).më la aty për ca ditë. Ndërkaq,pas një muaj mbeta shtatëzënë.Franci shërbente në një repart aty dhe një ditë prej ditësh,nuk u kthye më. Ishte vrarë nga një bombardim. Mbeta në atë familje aq të mirë dhe aty linda dhe çupën. Ndërkaq,lufta mbaroi,por rugët për t'u kthyer në Shqipëri,u mbyllën. Kjo mbyllje zgjati,pothuaj,për 50-vjet.

* * * Miku im S... Aty,pas vitit '90-të, unë,si goran,kisha pasaportë që mund të udhëtoja në EVROPË. Do shkoja në Sërbi dhe një miku im i ngushtë,më thotë:-Dëgjo! Në qytetin P... të Kosovës,qysh në fund të luftës,ka mbetur tezja ime.E quajnë Mereme. Kjo është fotografia e saj.Ngjante si dy pikauji me nënën e mikut. NGaqë di sërbisht,me sa dimë ajo jeton në një lagje ku ka sërbë dhe afërsisht është mu këtu tek kjo rruga. Më dha skicën e rrugës dhe po me një diagramë se ku ndodhej shtëpia e teze Meremes. Nuk ishte aq e lehtë,po për një mik të mirë si ai, bëra ç'ishte e mundur. E gjeta rrtugën dhe,sipas diagramës,edhe shtëpinë. Qe gati mesditë dhe duhej gjetur një sebep që të trokisje tek ajo portë e madhe. Ndalova dhe bëra sikur kisha nevojë për një bidon ujë për t'ia hedhur motorit të makinës. Mora bidonin bosh dhe trokita tek porta e madhe. Derën ma hapi një vajzë e bukur,me një trup të drejtë si një bredh alpin. -Dobra dan,-përshëndeta. * -Dobra dan! -Shta hoçish?** -Damu mallo vode *** -Nema vode:Hajde bërrzo!!! *** Ndërkaq,u rrëfye një grua e moshuar dhe,ndërsa ajo që më përzuri,ma mbushi bionin me ujë,unë,ngaqë njoha tezen e mikut,i zgjata fotografinë që më kishin dhënë. I ke mirë,- i thashë dhe kanë mall për ty. -Ik sa më parë që këtej,se rrezikon veten dhe ne. Dhe unë ika. Kur erdha në Shqipëri, e sqarova mikun se si u zhvilluan ngjarjet në Kosovë. Ndërkaq, pasi filloi dëbimi biblik i kosovarëve nga vendi i tyre,teze Meremja u kthye tek njerëzit e saj,pas 50 e ca vjetësh. Por dhe gëzimi i madh shkakton shok shëndetësor.Nuk arriti mirë as të çmallet,mjersisht ndërroi jetë mu në fshatin ku i ra koka dhe ku kaloi një"romancë" sa të frikshme me nemselliun që,megjithatë,qe i besës. Unë që po e shkruaj këtë tregim jam myzeqar që gjakun e ka nga Skrapari. Në Myzeqe kësaj ngjarjeje kaq të dhimbshme,i thonë:"Ferra e nisi.Ferra e grisi",kurse në Skrapar thonë:" Guna që qepet pa jakë,pa jakë griset". *Dobra dan-mirëdita! -shta hoçish?-çfarë do apo çfarë kërkon? -Damu mallu vode-dua pak ujë. -Nema vode-nuk ka ujë. -hHajde bërrzo!-ik apo mbathja Përkthimi është imi. Tiranë, 4 mars 2023

33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page