
Shkrimtare, anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave, profesor universitar. U lind më 1950 në Prizren (Kosovë), nga prindërit Margarita Mjeda dhe Muhamed Shukriu. Kreu studimet në Fakultetin Filozofik – Dega e Arkeologjisë (1972), si dhe magjistraturën në Universitetin e Beogradit (1979) dhe doktoroi në Universitetin e Prishtinës (1990).
Krijimtaria letrare përfshinë shtatë libra me poezi, tri drama dhe një roman. Ishte Visiting Scholar në Universitetin e Harvardit (2002), mori pjesë në International Writing Program të University of Iowa (2005), International Festival Voix Vives (Francë: 2010, 2015; Marok: 2013), Vilenica International Festival (Slloveni: 2007), Poeteka (Shqipëri: 2009), Forum Tomiza (Slloveni-Kroaci-Itali: 2008) e në takime të tjera ndërkombëtare, përfshirë dhe Konferencë Borëtore të Gruas në Pekin (1995), Habitat II në Stamboll (1996), Food Summit në Romë (1996), Konferencën mbi Globalizimin në Santiago de Compostela (1997), Asamblenë e NATO-s (Barcelonë – Spanjë: 1998) e të tjera.
LIGJI I HAMURABIT
Neni 226: Nëse kirurgu… e shlyne damkën nga robi, le t’i priten duart.
Neni 282: Nëse robi i thotë të zotit: Ti nuk je zotëria im, le t’ja prejnë veshin.
Neni 231: Nëse është mbytur robi, le të ipet robi për rob.
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
ditën e djeshme
gishtërinjtë m’i shkurtuan
se damkën e mjerimit
tentova ta bëj të kaluar
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
mbrëmjen e djeshme
më gjymtuan,
se këngën e zogjve
desha nga e nesërmja
ta sjell në të sotmen
Më vranë në mëngjezin e sotëm
dhe në mbështetje të nenit 231
të të njëjtit ligj
më zëvëndësuan sipas tyre
me një rob tjetër
Të mjerët, nuk e dinë se ai jam përsëri Unë,
me njëmijë gishtërinj,
me njëqindmijë veshë
dhe
me një të vetme
dëshirë të çeliktë
të kalitur ndër brezni.
YLLI
Më the se yllin
ma zbritët nga qielli –
ma dha ndër duar
e pashë me sytë e mi’
derisa më tregoje për
Fatbardhën
damkat i fshije
në përralla
Bija ime s’e do më
rrëfimin për Kësulëkuqen,
mpreh mendjen
t’ia zë pritën ujkut
dhe gjakon yllin tënd.
RINGJALLJA
Bini daulle të fisit bini
jeni bërë nga lëkurë e trupit tim
prandaj bini fort e më fort
le të pëlcasë pëlhurë e shpirtit
dhe zemra me të
mbase sjellin ringjalljen
Dua të vallëzoj
në ritmin e tingujve paganë
sa të përgjaken thembrat
nga thepat e gurëve të zhvendosur
e trupi të përplaset
në muret e mendjes së mykur
Pastaj
le të më quajnë bishë
dhe le të qeshen gjarpërinjtë
aq më bën
Dua të bien daullet
FATI QË NUK ISHIM ZOGJ
Sulmi i policisë serbe në lagjen Ulpiana të Prishtinës, 25 shkurt 1990
Ora policore: 21.10
Dritat e qiriut
Përshëndesin hënën
në orët e ngujimit
Në banesën e ngrohtë
dy terroriste mprehin armët
unë lexoj „Uliksin“
vajza „Borëbardhën“
TV bluan në vete
“Shtëpinë për varje”
Ora policore: 21.30
Vetëtima çan qiellin
e predhat nga tanket
vjellin zjarr
në bebëzat e syve
Nata bëhet çmendi
e egërsisë së shekujve
dhe futet në banesë
pa fije turpi
Plumbat lotësjellës
përhapin helm
e nuk di
ka më shumë në ajër
apo në brendi të mitrës
Frymë, frymë!
tmerrohen muret,
vazot lotojnë dhunshëm,
qiriri drithëron vdekshëm
e Satiri zhvesh lëkurën
Frymë, frymë!
klith për veten
si bishë njerëzore e pashpresë
duke harruar frytin
Ora policore: 22.30
Nuk dëgjohet më cicërimë
zogu njëjavësh i ditëlindjes
ka shtrirë krahët
e përshëndetjes së fundit
Ëmë e bijë
hidhemi në përqafim –
loti i hidhërimit
dëbon lotin e helmit
lotët e frikës
bëhen lot dashurie
në natën e egërsisë serbe
Fati që nuk ishim zogj!
Comments