top of page

Fasho postmoderne për praktikën e lirisë


Fasho postmoderne për praktikën e lirisë

Fatmir Terziu


I fundit ishte meraku që la pas shkopin. Shkopi e kishte strukur tashmë hijen dhe kësisoj meraku ishte një venë ushqyese midis trurit dhe zbritjes së poshtme strukturore të Njeriut. Në tërë këtë pikë kishte kuptuar se ishte përfshirë instiktivisht në Leksionin më të fundit për praktikën e lirisë.

Dhe tashmë shekujt ishin fshirë.

Ishin zhdukur bustet e bëra pis nga pulëbardhat në Greqinë e lashtë, klasikët kishin mbetur mes fletëve.

E - pika (post)moderne e filozofisë nënqeshte e trembur për efektin aestetik të gjetjes. Gjetja me shkop kishte dalë nga Xheneti!

Dihej si e tillë.

Dihej dhe kuptohej edhe në ditët kur shkopi ishte tretur në ajër. E goditja, si goditje ishte disi e padukshme. Kjo padukshmëri shkopiste kishte të bënte drejtëpërdrejtë me praktimin e lirisë. Dhe ja po të doje mos ta mësoje…

Praktikimi i lirisë po i lejon vetes të vëresh bukurinë në çdo ditë.

-Jo çdo ditë në fakt. Mirë e ka, në këtë kontekst, se pas kësaj fashe të mbrodhur hundës dhe gojës, vetëm sytë mund të ndjehen të devotshme të realizojnë një gjë të tillë. Se ndryshe nuk do të ishte kështu, që praktikimi i lirisë është të dish që të thuash asgjë ose gjithçka është krejtësisht në rregull. Pra më saktë, vetëm nën këtë fasho e kupton se sytë janë në mirëkuptim, se praktikimi i lirisë është të duash lëkurën tënde në çfarëdo ngjyre.

Shkopi tashmë nuk mund të konsiderohej patriarkal. Aspak. Ai kishte hyrë në një fazë të re. Pos kësaj që mësohej pa letra, pa libra, e që shfaqej detyrimisht në ekrane të racionuara, kuptohej se praktikimi i lirisë po fuqizon me gjithë zemër si gratë ashtu edhe burrat. Duhej kuptuar ndoshta edhe kështu? A do të ishte e qartë dhe kjo: praktikimi i lirisë është lufta për ata që janë të shtypur?

Ndryshe dhe më qartë.

Më qartë?!

Praktikimi i lirisë është të dish, që edhe djemtë mund të veshin një fustan. Praktikimi i lirisë po çlirohet nga pritshmëria shoqërore.

-Dhe ti mbetesh tek shkopi. E meraku vazhdon të lë në hije vetë shkopin. Ndryshe ku mund ta mësoje pa fashën e kohës se praktikimi i lirisë është respektimi i atyre që jetojnë jashtë prezantimeve normale. Nëse do të dish ta kujtosh, duhet të gjesh ndonjë nga bustet e Platonit, dhe diku nën to mund të jetë shkruar: praktikimi i lirisë është deklarimi i së vërtetës mbi gënjeshtrën.

Po frika?

Frika e kërkimit në Lashtësi, e ikjes pas? Ajo le të jetë një pikë më vete…, se fundja praktikimi i lirisë është të mësosh të lësh frikën pas.

Kështu udha bën pikëtakimin e saj në Udhë. Udhë e lirisë, e fytyrës së strukur të Njeriut para parasë dhe ti e nënkupton se praktikimi i lirisë është përparësia e njerëzve para parave. Pra, praktikimi i lirisë po kupton se jeta njerëzore është pafundësisht më e vlefshme se ekonomia?! Shkopi sa herë tundej, aq herë derdheshin para nga Thesi i Madh!

E Thesi i Madh të bindte se praktikimi i lirisë është të besosh se je mjaft.

Mjaft!

Por jo vetëm kaq, ti hesht dhe nuk mbetesh i qetë, se çdo prejardhje, etni dhe gjini e meriton dashurinë. Ti e di, se praktikimi i lirisë është përpjekja për unitet.

Unitet.

Or, mik, or vëlla, or koleg, ore Njeri kuptoje se praktikimi i lirisë është njohja e ndarjes që po na shkatërron mua dhe ty.

Dije mirë përtej asaj fashoje post-moderne të Kohës Pandemike se praktikimi i lirisë është njohja e ëndrrave tuaja, jo më shumë se kaq praktikimi i lirisë është mbajtja gjallë e shpresës pavarësisht nga të gjitha gjërat.

I nderuar Njeri pa dashje të kam shqetësuar, por dhe të kam ftuar në Leksionin e ri…, ai ka të bëjë me Ty, me të gjithë, përtej shkopit të dukshëm e të padukshëm, ka të bëjë me praktikën e lirisë.

 
 
 

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page