Fara do vlagë ashtu si mielli do ujë të bëhet brumë e të gatuhet bukë.


EH, Ç’MË KTHEVE GJASHTË DEKADA PAS LURË E BUKUR !

Meditim


Atëherë isha dhjetë vjeç, në klasën e tretë të shkollës fillore në katundin tim të lindjes, Brezhdanin e Dibrës.


Një ditë prilli na morën në rresht e me nga një shat në krah të rëndë për supet e një fëmije dhjetëvjeçar, kapërcyem kodrën e parë të Kubenit për tu ngjitur në të dytën. Kishin çelë gjethe manaferrat e kishin plasë sythat e fierit...

Na thanë të hapim gropa e të hidhnim në çdo gropë nga dy kokrra gështenja. Gropa u thënçin, furrik pule më mirë thuaj. Se gropat hapen me bel e pastrohen me lopatë. Shati është ndërtuar nga frëngu për të prashitë e për të tërheq ujin për të vaditë...

Gështenjat nuk mbinë. E si të mbinin kur edhe atë pak vlagë që kishte mbetur nga dimri e përcollëm në qiell? Fara do vlagë ashtu si mielli do ujë të bëhet brumë e të gatuhet bukë.

Mbase kaq dinin dhe kaq bënin...

Do kalonin vite, jo shumë, as edhe një dekadë...

Në Zdojan, në livadhet midis fshatrave të Vakufit, Brezhdanit e Rreth Kales, Livadhet e Frangut, siç quheshin çuditshëm, do të mbilleshin fidanët e parë të një lloj mbjellje tjetër. Fidanë mollësh, dardhash, kumbullash, arrash... të shartuar e me moshë 2-3 vjeçare e me kurorë të formuar. Do të mbilleshin në gropa një metër të thella, një metër të gjera e një metër të gjata. Në çdo gropë do të hidhej një gjysmë koshi kali pleh organik, tek 25 kilogram. Për mbjellje do të përdoreshin beli, kazma, lopata dhe shati...

Pas Livadheve të Frangut u erdhi radha kodrave të Gjarajcës e Pasmarit. Më tej i erdhi radha Fushës së Kastriotit, kodrave të Ostushit e të Shumbatit. Kubeni i “gështenjave” do të shndërrohej në plantacionin më të bukur me kumbulla “Roza gjigande” e “Tropojane”. Kodra e Kabe do të shndërrohej në plantacionin e veçantë, mbase ballkanik, me vishnje.

Ravnat e Grevës do të merrnin gjithë plehun organik të ndërmarrjes së grumbullimit dhe të ndonjë kooperative të afërt për ti dhënë jetë bllokut prej 70 hektarësh të vreshtave të para të organizuara në Dibër.

Më tej kodrat e Qenokut do të formonin një bllok frutor me mbi pesëdhjetë mijë rrënjë pemë frutore...kumbulla, mollë, arra, gështenja.

Së fundi fidanët e qershive dhe vishnjave e lajthive do të ngjiteshin në Kuplon, në 800-900 metra lartësi mbi nivelin e detit duke krijuar konvejerin më interesant bio(logjik) ku qershitë piqeshin në gusht, kur të parat në Luginën e Drinit ishin pjekur në maj.

Të gjitha këto në gropa një herë një, herë një metro, me një gjysmë koshi pleh organik e kur erdhi koha edhe një kilogram superfosfat...

Të mbjellësh për të vjelë do punë dhe mend. Do mendjen e specialistit dhe krahun e lidhur fort pas punës të bujkut.

Me mbjelljen fillon puna. Për të arrirë tek korrja, vjelja e fryteve duhen vite. Vite ujitjeje për të përballuar thatësirën e verës, vite që do të kërkojnë të marrësh ujin e Drinit me gjyma (siç ndodhi në thatësirën e jashtëzakonshme të vitit 1962) që gjethi i gjelbër i pemës të mos bëhej kafe, të mos thahej. Vite me krasitje formuese e prodhuese, punim toke e prashitje, luftim sëmundjesh e dëmtuesish.

Frute mbi pjatë, mollë, dardhë, portokall, ulli, rrush... ka në përbërje një lëndë të padukshme, vitaminën e punës së njeriut...

Tërë këtë rrjedhë agronomike nuk do ta kisha bërë sikur të mos më ngacmonte një miku im gazetar që së bashku me të shoqen la Tiranën për të mbjell “pesë fidanë pishe” në “shkretëtirën e kohës sonë, Parkun Kombëtar të Liqeneve të Lurës”.

Mbi Lurën e braktisur nga lurasit.

Mbi Lurën e shfrytëzuar deri në palcën e pishave shekullore, arnenin e mrekullueshëm të një masivi pyjor më të bukurin e vendit.

Mbi Lurën e prerë nga sëpata së cilës i dha bisht të gjatë shteti (dhe mileti) në këto njëzet e pesë vjet rrënimesh, shkatërrimesh, prerjesh e shkuljesh masive.

Miku im me siguri në gazetën “Rruga e Arbërit” do të bëjë një reportazh ashtu siç bëri në numrin e marsit për Selanen, fshatin që do ta mbysë “Qeveria e Katundit të Ri”, për ti dhënë “dritë parash në xhep” dreqi e di se kujt.

Do të shkruajë për fidanët e pishave sukulluar me një dorë dheu në një qeskë plastmase. Do të shkruajë edhe për dhjetëra vullnetarë që lanë Tiranën dhe me “shatë në dorë” rrëmihën tokën e zezë formuar nga kalbja e gjetheve shekullore, hapën nga një “furrik thëllëze” dhe mbuluan fidanin një pëllëmbë mbi tokë.

Nuk e di në se do të shkruajë se nga erdhën këto fidanë dhe në se nga ana biologjike ishin të njëjtë me fidanët që dalin nga farat e pishave të Lurës. Se në biologjinë e bimëve ka një lloj procesi që quhet “procesi i aklimatizimit”, i përshtatjes së farës apo fidanit me kushtet klimatike e tokësore të vendit ku mbillet. Po qe se fidanët janë mbjellë në ndonjë fidanishte në bregdet dhe kanë fara të pishave bregdetare, lëshoju dushke, siç thuhet në Dibër...

E vlerësoj hapin e shoqërisë civile që kërkon ta kthejë Lurën dhe pyjet e saj siç kanë qenë, por nuk e vlerësoj me asnjë pikë (zero) nismën e Ministrisë së Mjedisit, nismë e cila më ngjan njëqind për qind me atë të fëmijërisë time tek mbillnim gështenja për tu...tharë.

Fidani është si fëmija i porsalindur.

Me një ndryshim.

Fëmija me duart grusht qan, e thërret. Me thirrmën e tij ai kërkon qumësht nga gjiri i nënës, kërkon të jetojë e të rritet.

Fidani i pishës i sapo mbjellë në Lurë as qan, as thërret, as bërtet.

Vullnetarët më gëzimin që mbollën disa fidanë pishash kthehen në shtëpitë e tyre për tu treguar shokëve, prindërve, të afërmeve gëzimin se mbollën “dhjetë fidanë pishe”.

Fidani, nën diellin e këtyre ditëve të nxehta prilli, do ta thithë shpejt lagështirën.

Askush nuk do të kujdeset për të.

Maji, korriku dhe gushti do ta shndërrojnë në një piketë kafe në “folenë e thëllëzës”.

Sikur kjo punë të ishte bërë në tetor apo në nëntor, para se të binte dëborë, mbase lagështia e mbledhur në gropë do ta ushqente fidanin për të përballuar thatësirën e pranverë-verës.

Mbase...

Udhëtova nëpër dhjetëra dekada të jetës sime.

Mes gëzimesh dhe trishtimesh...

Ma bëri Lura që e dua aq sa dua mrekullitëe tjera të pyjeve të Dibrës shkatërruar rrënjësh që asnjë moratorium, qoftë edhe shekullor, nuk i kthen në jetë.


Abdurahim Ashiku


15 views

Shkrimet e fundit