FAQE NGA BETEJA INTELEKTUALE PËR “RRUGËN E ARBRIT”



Ndërtimi i “Rrugës së Arbrit” do të mbetet në histori si beteja më e madhe intelektuale dibrane. Njerëz me dije të thella historike, ekonomike, sociale i “ranë me grusht”, “malit që s’bëzan” duke nxjerrë në pah thesaret ndër mijëravjeçarë të një rruge që bëri histori të papërsëritshme. Ka ardhë dita që ata që zgjuan malet me zërin dhe penën e tyre, që bënë kronikën e përditshme të betejës për hapjen e tuneleve dhe trasesë, që e çuan këtë vepër-histori në besimin absolut të njerëzve se ajo tash është e gjallë, e kalueshme, me histori të vjetër e të re... Si pjesë e kësaj pene, në disa numra, do të përcjell atë që ruaj në arkivin tim ikanak, ndjenjat dhe meditimet, të miat dhe të bashkëluftëtarëve në këtë betejë të lavdishme. Një libër, madje voluminoz, nuk do të arrinte të përshkruante atë që ndodhi, dhe atë që do të ndodhë e që brezat duhet ta njohin. Është një histori e një ndjenjë e përshkruar në NJË ÇEREK SHEKULLI...

Abdurahim Ashiku Athinë,15 prill 2021

* * *


MARS 1996


“RRUGA E DIBRËS” - DREJT DIBRËS


1. PARK HISTORI

Egnatia, rrugë e lashtë që zinte fill në Adriatikun shqiptar për tu zgjatur e bashkuar me rrugë të tjera të lindjes, po merret sot si trase e lidhjeve të kohës me lindjen, lidhje aq të domosdoshme për popujt sa çdo fjalë e thënë është teprinë. Egnatia e vjetër në zhvillimet e kohës së vet ka qenë si një lumë me degë të shumta. Një ndër këto degë, më e madhja, ka qenë Rruga e Dibrës, rrugë që niste nga Durrësi e duke kaluar nëpër Tiranë, Shkallën e Tujanit, Klos, Bulqizë, Dibër, Pollog...degëzohej duke sjellë e përcjellë mallra e ushtri pushtuese e çlirimtare. Dibra, nëpër të cilin kalonte boshti gjeografik e ku ndodhej “Verduni” Arbënor nuk mund të mbetej jashtë interesave të kohës, interesa ekonomike, politike e ushtarake. “Egnatia”, e pranishme në këtë “Qendër” me një degë e shumë degëzime të saj, luan një rol të veçantë si në kohën romake-bizantine ashtu edhe në dyndjet e mëdha sllave e osmane. Nuk janë rastësi as vërshimet osmane në boshtin rrugor Pollog-Dibër-Krujë dhe as betejat e Skënderbeut në Torvioll (fusha e sotme e Kastriotit dhe Shumbatit) as në Vajkal (lugina e sotme e Bulqizës) dhe as kështjella të tilla të kësaj periudhe si Sfetigradi, Petralba, Stelushi etj. “Egnatia” dibrane do të ishte “pikë e rëndësishme strategjike” edhe në synimet e njohura serbe të fillimit të këtij shekulli. Nëpër të do të kalonin edhe forcat demokratike të revolucionit të Qershorit të vitit 1924 ashtu siç do të kalonin edhe mercenarët që e mbytën në gjak demokracinë e parë shqiptare në dhjetor 1924. Historia e të tëra kohëve rrugën nga Durrësi në Tiranë, Klos, Bulqizë, Dibër e quajti me një emër “Rruga e Dibrës”, emër që jetoi në shekuj dhe jeton edhe sot.

2. RRUGË ME EMËR - PA EMËR

Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ka disa rrugë kryesore, rrugë të cilat e lidhin atë me qendra të rëndësishme të vendit. Në Tiranë ka një rrugë që quhet “RRUGA E ELBASANIT”, ashtu siç ka një të dytë që quhet “RRUGA E DURRËSIT”, një të tretë që quhet “RRUGA E KAVAJËS”... Ka edhe një rrugë që quhet “RRUGA E DIBRËS”.... Ndryshimi midis tyre është se ndërsa të parat lidhin me të vërtetë Tiranën me Elbasani, Durrësin e Kavajën... ndërsa këto rrugë janë të gjalla, “RRUGA E DIBRËS” është e vdekur, rrugë në thonjëza, në faqe muresh, në adresa reklamash, në adresa njerëzish. Është njëlloj si të gjitha rrugët e tjera në adresat e kryeqytetit. Rruga e Dibrës nuk shkon drejt Dibrës. Ajo është një rrugë e harruar, një relikte e historisë, një rrugë me emër – pa emër.

3. TIRANDAT DHE KOLLANI

Dibra shehër, qytet, mbiquajtur edhe Dibra e Madhe, prerë nga një bisturi makabre në tryezën e operacionit të superfuqive të fillimit të këtij shekulli, prerë në boshtin gjeografik shqiptar në “Verdunin” arbëror do të lidhej me Tiranën dhe Durrësin, jo me “KOLLANIN” e saj të natyrshëm, Egnatian e moçme, por me “tirandat”. Dibra, trevë e me “Nëntë male”, një “Bajrak” dhe “Topalltinë” (fushën) do të lidhej (në vitet tridhjetë, dyzetë e më pas me Tiranën në shumë drejtime, drejtime që çuditërisht vetëm zgjateshim. Dibranët do tu duhej të udhëtonin mbi kamionë fillimisht nëpërmjet Strugës. Më pas nëpërmjet Elbasanit e Qafës së Kërrabës. Më pas drejt Burrelit e Rubikut, nëpërmjet Burrelit e Qafë-Shtamës, nëpërmjet Burrelit e Shkopetit, nëpërmjet Qafë-Murrës dhe Lisit, nëpërmjet Lurës e Mirditës... Në këtë gjysmë shekulli nuk mund të themi drejt Dibrës nuk kanë kaluar rrugë. Vetëm se, po të shikoni skicën hartografike këto rrugë janë piketuar e orientuar larg saj. Ato u ngjajnë tirandave që kalojnë “krahëve” e “qafave”, larg “kollanit”. Në fund të viteve ’30-të Peshkopia (qendra e trevës së Dibrës pas prerjes makabre të ’13-s) do të “udhëtonte” drejt Tiranës nëpërmjet Muhurrit, Qafë-Murrës e Burgajetit. E hapur që atëherë kjo rrugë nuk do të ishte asnjëherë “Rruga e Dibrës”, ashtu siç nuk do të ishte rruga Gollobordë – Elbasan – Tiranë. Në Klos, me ndërtimin në kohën e pushtimit italian të rrugës së Bulqizës, rruga nuk do të kalonte asnjëherë nga Shëngjergji as nga Qafë-Shtama por (deri në vitin 1957, me ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës) nëpër Rrëshen e Rubik e më vonë nëpër Ulzë e Shkopet. Në këtë trase (në fillim me “kalldrëm” e më vonë “me asfalt”) do të rridhte një lumë i tërë kromi (në disa vite edhe një milionë tonë) lumë i cili do të bënte një “shtrat” tejet të madh rruge për cilëndo trevë në fatin e së cilës do të ishin “burimet” e tij... Duhej...dhe...duhet. Ajo që nuk u bë dje duhet bërë sot.

4. RRUGA E DIBRËS – DREJT DIBRËS, KËRKESË E KOHËS

“Rruga e Dibrës” duhet të dalë nga thonjëzat, të shkojë drejt Dibrës. Nuk është një kërkesë e dibranëve të thjeshtë, kërkesë e intelektualëve të kësaj treve të gjerë. Po të ulësh e ta mendosh mirë, në gjerësi dhe thellësi, ajo është një kërkesë e tërë Shqipërisë, është një kovergim i interesave të të gjithë shqiptarëve. Theksuam se nëpër Klos, nga Dibra dhe Martaneshi, kanë kaluar vetëm krom një milionë tonë në vit. Me paratë e marra nga kromi (vetëm Bulqiza ka dhënë 13 milionë tonë) është ndërtuar Shqipëria, janë ngritur fabrika e hidrocentrale, janë tharë këneta... Bulqiza me krahët e saj; me Batrën, Krastën, Theknën, Tërnovën, Selishtë, Cerujën...është në lulëzimin e vet gjeologjik. Pohohet se në thellësi të Bulqizës janë lehtësisht të kapshme 6-7 milionë tonë krom i pasur. Pohohen rezerva të mëdha kromi në të gjitha krahët e sipërpërmendur të saj, rezerva të momentit dhe të perspektivës. Kromi me rezervat e mëdha dhe koniunkturat e qëndrueshme përbën argumentin e padiskutueshëm ekonomik të hapjes së rrugës së Dibrës. Por kromi nuk është i vetëm. Nëntoka dhe mbitoka e Matit dhe e Dibrës janë teje të pasura me minerale metalorë e jo metalorë, me pyje e vende të mrekullueshme malore. Drejt tyre shkohet me rrugë... Argumenteve ekonomike mund tu shtojmë edhe shumë argumente të tjera midis të cilave vend kryesor zë ai social...

5.- FJALA ËSHTË PËR PAK INVESTIME E SHUMË INICIATIVË.

U zgjatëm nëpër “tirandat” e “Rrugës së Dibrës” për tu ndalë tek “kollani”, tek “Veza Kolombit”. Fjala tashmë zbret për “pak investime” dhe “shumë iniciativë”. Vëzhgoni skicën hartografike. Vëzhgoni “tirandën” Klos-Burrel-Ulzë-Milot-Krujë-Tiranë. Vëzhgoni “kollanin” Klos-Zall-Dajt-Tiranë. Pjesa më e madhe e rrugës është e hapur si trase, e shtruar me gurë e zhavorr, e kalueshme për makinat. Vetëm një pjesë e rrugës, një e pesta e saj (treguar me viza të ndërprera) është pa hapur fare. Specialistët thonë se hapja e saj nuk përbën ndonjë problem të mprehtë teknik. Fjala është pra për “pak investime”, investime të cilët i paguajnë me grumbull pasuritë e zonave nga kalon rruga. Fjala është për “shumë iniciativë”, iniciativë të cilën më mirë se kushdo i futet shteti që ekonominë e tregut, pasuritë e mëdha të nëntokës dhe mbitokës së zonave nga kalon rruga i sheh me syrin social. Është koha që “RRUGA E DIBRËS” të përcjellë makina, mallra e njerëz DREJT DIBRËS dhe më gjerë.

Abdurahim Ashiku

Mars 1996

Zbardhur nga dorëshkrimi në arkivin e gazetarit

8 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif