
Nga Petrit Malushi
Faleminderit, o të mirë njerëz !
Faleminderit nënë, më solle në jetë!
Baba, ti më rrite, bëre lis,
Vëlla, peshën ma bëre të lehtë,
Motër, s´më le të bëhesha pis !
Faleminderit mësues, më mbushët me dije,
Që të mos frikem në Univers.
Të sinqertët miq, s´ju lë në hije,
Të mirët shokë , e imja jeni pjesë.
Faleminderit bashkëshorte, ikonë në familje,
Gjurmëndjekëse brenda e jashtë dere,
Fëmijë, vrapues, në kilometra e milje,
Nipër e mbesa, zogj, ditë pranvere.
Vallë,ç´do të isha unë, pa ju ?!
Ndoshta, tokë e mbetur djerrë,
Mundet, i harruar s’dihet ku,
Apo rrënjëtharë e degëprerë !
Faleminderit ! Një fjalë! Eshtë fare pak...
O të mirë njerëz, hapave jetësorë
U ndjej pranë e kurrë s’ju flak.
Mirënjohje ! U kam kryekurorë !
“Bisedë me babanë”
Me barrët e punëve, përherë ngarkuar,
Si kuajt kur nisen në rrugëtim të gjatë.
Hua kohë marr „për të takuar“,
T´ia shtrojmë bisedës, bir dhe atë.
Bashkë ca fjalë të këmbejmë,
(E di, meraku s´të lë të qetë).
“Si të ecën punët ? Si do të venë ?...”
Përgjigje të kthej, ti prapë më pyet.
Gëzojmë, dhe hallet qajmë të dy,
Se jeta mbushur është me to !
E kush më tepër se sa ty,
Me zemër më deshi edhe më do ?!
Të tuat këshilla në sirtarë floriri
I kyç dhe i nxjerr kur kam trazime.
Prej botës së përtejme, si mysafiri
Vjen, për të më sjellë veç lehtësime.
Njerëz – pëllumba
Shëtit rrugëve të qytetit tim,
Në verë, në dimër, mbrëmje,mëngjes.
Vetëm, me shokë, vajtje e kthim
Njerëz dhe pëllumba përshëndes.
Ma kthejnë pëllumbat butësisht
Përshëndetjen, me gu-gu-gu.
Vazhdoj shëtitjen,në shpirt i trishtë…
“O pëllumba, njerëz ka pak si ju !”
„Vaditje“
E mbushi gruaja kovën me ujë,
Çapitet ngadalë nëpër ballkon.
Lulet vadit, pa bërë rrëmujë,
Currila lehtëz mbi to lëshon.
I ka merak lulet ajo.
Them “E dashur, a mundesh dot,
„Vaditje“ t´u bëje, butë si kjo
Mendjevyshkurve, dy herë në mot ?!“