top of page

Faleminderit Astrit që më dhe kënaqësinë


Parathënie

I kalova vringthi skicat e tua, që herë pas here i lëçis me kënaqësi kur boton syresh.

Pra, i përpiva, i shklluqa, siç kthehet me fund gota me verë

të mirë nga të Omar Khajamit.

Mendimi i parë që më erdhi në mendje për këto skica letrare e filozofike ishte sikur t’i titulloje “Shkëndijime Fluturake” apo “Xixëllime Mendimesh”. Dhe kisha parasysh në mënyrë simbolike xixëllonjën, magjinë e tyre për të qenë si dritëz mendimi, refleksioni e erudicioni mes territ e misterit, dritëz shprese që përcillet kudo e te kushdo.

Por jo, shpejt ndërrova mendje, duke kërkuar më thellë mes skicave të tua, me atë stil karakteristik tëndin, të hovshëm, të hopshëm, konciz, të ngjeshur e marramendas.

Janë këto skica si ato dhëniemarrje mendimesh të shpejta dhe impresionesh të vrrullshme, tek kalon a kapton nga një fushë apo gjini letrare në tjetrën, hidh e prit, shi si ajo loja e futbollit që bënim dikur në moshë fëmijërore e që e quanim “lojë me pasa të shkurtëra”.

Sepse në këto skica, nuk bëhet fjalë thjesht për një lënie

gjurme efemere, të aty-atyshme, me jetë të shkurtër kalimtare, si vetë dritëza e xixëllonjës apo si fishekzjarre rrëmbyese vëzhgimesh, mendimesh, gjykimesh.

Jo, jo, ka në to shpërthime ngjyrash të zjarrta, dritësime mendimi, ndriçime e përshkënditje, larushi formash të befta, të brishta e arratisëse, si trok i shpejtë i kalit që hovet guximshëm mbi stërkalat ylberore të një ujëvare ndijimesh apo ndjesimesh, me gjerësi e thellësi Niagare.

Atëherë, sikur joshem unë vetë nga një titull më domethënes, e konkretisht: “Përshkëndijime”, ku brenda termit shqip, me kuptim figurativ e simbolik, ka edhe shkëndija erudicioni, por edhe ndijime të thella, ndjenja të ngrohta, që e grishin lëçitësin për refleksion të thellë.

Faleminderit Astrit që më dhe kënaqësinë të shijoj shpejtazi e ëmblazi lëndën tënde letraro-artistike e filozofike.

Fotaq Andrea, Strasburg

26 views0 comments

コメント


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page