Evolucion i dështuar
- Nov 27, 2021
- 2 min read

................................................................. (Diogjeni akoma kërkon njeriun) .................................................................... 1. E kam prerë pyllin, shkurret i kam shkulur barin e relievit tim korr rregullisht, nga parfumi i lëkurës së limët starton seksi, rrënjët e farërat nuk di në i shfarosa ndonjëherë. 2. Në eshtrat e mia dinosaurët kruhen çdo ditë, kërkojnë territorët e humbur, për padrejtësi të njerëzimit flasin, u përvetësuan rruzullin, pronën e kadastruar nga qielli, kësisoj nuk është çudi mosdorëzimi i shpirtit.
Dinosaurët, banorët autoktonë të indit tim, çajnë paretet e venave, sulmojnë trurin, këlthasin. Ndal evolucionit! Trualli, pylli, lumi, deti janë tonat dhe jo të tjetrit.
3. Nuk janë skelete, natë e ditë më udhëtojnë nëpër shinat e ngushta të gjakut, çast pas çasti më alarmojnë shpirtin, Shpirti materie bëhet, hop vertikalisht, si somnambul përparon, shkel gjymtyrët e vet, përtyp nervat, u fryn flakëve të syve, gjithësinë lakmueshëm e dhimbshëm sheh, ia rrëmbyen pronat, ligji vonoi, vjen treni i ikjes.
Ç’bëhet këtu?! Këtu, në shpirtin njerëzor, ç’bëhet?! U bë oqean lakmia, nuk paska kufij të sipërm. 4. Por ikja vjen, ndonëse padëshirueshëm, rrëmben edhe lakminë, ndonëse kjo ka votë kundër për ligjin e vdekjes. 5. Vonova. Humba shansin e vetëm. Burgosa dinosaurët nën pllakën e vdekjes, dinosaurëve të gjakut tim frymën u zura, pronat e tyre pas i harrova.
Mbeta pa pronë në këtë botë ku gjithkush asaj ia ka falë shpirtin. Ku do të shkoj, thua do më hapet porta me aspak lakmi në pore, me drejtësi të lënë në mëshirën e të vonëve? 6. Këta të vonëtit anatomi ndryshe kanë, zemra bluan portofole për pasurimin e gjakut, ngujuar drejtësia në mbishkrimet monedhore. E humba shansin. 7. I dëgjoni? Ende dinosaurët, burizanë në tubat e arterieve të mi, klithma e pallma aplifikojnë, bombardojnë të ardhmen: Pronat-busulla e jetës, pronat ose nuk zbardh dita tjetër. 8. Dita që vjen ikjen afron, veçse, nuk shpërngulet kurrë shpirti im pronat pa ia njohur. 9. Dinosaurët në rremba, evolucion i dështuar.









Comments