top of page

Eshref Ymeri: Letër mikut tim vlonjat Rainhard Haxhiraj


Viti Jubilar i Gjyshes së Dashur

 

(Letër mikut tim vlonjat Rainhard Haxhiraj)



       I dashur Rainhard,

    Viti 2024 është vit jubilar për Gjyshen Tuaj të shtrenjtë Vilhelme Vranari Haxhiraj Më 08 dhjetor, Familja Juaj e Nderuar do të festojë 80-vjetorin e lindjes së Saj. Në mbrëmjen e asaj date, Ju do të uleni rreth tryezës, me në krye Gjyshe Vilhelmen dhe Gjyshin Fitim. Prindërit Tuaj, Mami Rezi dhe Babi Ladi, bashkë me Ju, do të jenë organizatorët e asaj Darke Jubilare. Të pranishëm në tryezën Tuaj do ta ndiejnë veten edhe Halla Linda me Lekën dhe fëmijët e tyre, pavarësisht se ndodhen me banim në Itali.

       Ju, i dashur Rainhard, jeni një nxënës shembullor dhe jeni më se i bindur se kontributi i Gjyshe Vilhelmes, krahas kontributit të padiskutueshëm të Mami Rezit dhe të Babi Ladit, për edukimin tuaj me pasionin e dashurisë për mësimet dhe përgjithësisht për dije dhe kulturë, është i jashtëzakonshëm. Si kudhër e kalitjes Suaj me të gjitha tiparet më të mira të një nxënësi shembullor, kanë shërbyer drejtpërsëdrejti, së pari, këshillat e saj të çmuara dhe, së dyti, përmbajtja e librave  artistikë, të cilat ajo ua ka kushtuar bashkëmoshatarëve Tuaj.

       Nxënësve të moshës Suaj u duhet diçka e kristalizuar në jetën e tyre, në mënyrë që të ruajnë lidhjet kulturore, ndjenjën e përjetimeve gjatë viteve të kaluara dhe shpresën për të ardhmen e vet të suksesshme. Më shumë se për çdo gjë tjetër, ata kanë nevojë pikërisht për ato gjëra që Juve Ju kanë futur në gjak Gjyshja dhe Gjyshi.

       Kur të jeni në moshë madhore, ju do të kujtoni me nostalgji fëmijërinë tuaj, mbresat për të Ju do t’i ruani me kujdes në “sirtarin e kujtesë”, në zemrën Tuaj. Vitet që keni kaluar pranë Gjyshes dhe Gjyshit, do t’Ju ngjallin emocione të fuqishme. Prandaj, i dashur Rainhard, duhen ruajtur përjetësisht në kujtesën tuaj ato çastet sa të paharruara, aq edhe të shenjtëruara, në mënyrë që herë pas here t’i riktheheni asaj bote plot ëndrra dhe mrekullish flatëruese.

       Unë jam i bindur plotësisht se Ju, duke u rritur dhe pjekur më shumë, do të pajiseni me kulturë të gjerë dhe do të mësoni se sa lart e kanë pasë vlerësuar figurën e Gjyshes personalitete të ndryshme të kulturës botërore.

       Po ju përmend këtu njërin prej tyre. Ai është shkrimtari suedez, 45-vjeçari Fredrik Bakman, i cili ka thënë:

       “Nëse ke gjyshe, mendo se ke pas vetes një ushtri të tërë. Nipërit kanë të drejtë të dinë se për ta ekziston një njeri, i cili është gjithmonë përkrah teje. Pavarësisht nga rrethanat. Madje edhe kur ty të shpëton ndonjë gabim”.

       Është e vërtetë që Gjyshe Vilhelmja Juaj e Shtrenjtë flokët tani i ka prej argjendi, por ama zemrën e ka prej floriri të kulluar.

       Ju, i dashur Rainhard, përveç dashurisë së flaktë që ushqeni për Gjyshe Vilhelmen, Ju ndiheni edhe mjaft krenar për dy gjëra:

Së pari, për prejardhjen e Saj nga një Familje Fisnike Shqiptare. Ajo, siç e dini shumë mirë, rrjedh nga Familja Fisinike e Arianitëve të Kaninës, nga dera e të cilëve kanë dalë figura të shquara të kombit shqiptar. Pranë kësaj Familjeje Fisnike të periudhës së mesjetës, renditeshin edhe të tjera Familje Fisnike, si Aragjinajt, Balshajt, Dukagjinajt, Jonimajt, Kastriotajt, Matrangajt, Muzakajt, Spanajt, Topiajt, Zahariajt. Po nga një Familje Fisnike - Haxhirajt - e ka prejardhjen edhe Fitimi, Gjyshi Juaj Shpirtflori - artisti i talentuar i skenës dhe i koreografisë.

Së dyti, Ju ndiheni shumë krenar për korpusin e krijimtarisë së Gjyshe Vilit, i cili përbëhet prej më shumë se 55 vepra artistike dhe studimore nga fusha e historisë. Veprimtaria e saj krijuese, si mjeshtre e poezisë, e prozës artistike, e studimeve historike dhe e publicistikës nacionaliste, zë një vend mjaft të nderuar në kulturën tonë mbarëkombëtare, ku ajo lëshon dritë si një ikonë e saj e padiskutueshme.

Ju, i dashur Rainhard, e dini me siguri se një rol tepër të spikatur për nxjerrjen në pah të vlerave artistike të veprave të Gjyshe Vilit, ka luajtur intelektuali i shquar erudit, Prof. dr. Fatmir Terziu, si kritiku më i shquar i kombit shqiptar. Vlerësimet që ai ka bërë për mjeshtërinë artistike të Gjyshe Vilit, janë një enciklopedi e vërtetë e mendimit kritik mbarëkombëtar.

Unë kam bindjen e plotë se Ju jeni i vetëdijshëm për rolin e pazëvendësueshëm që ka luajtur dhe vazhdon të luajë Gjysh Fitimi, i cili, si një moderator i talentuar, ka dhënë ndihmesën e vet të paçmuar për përhapjen në masën e lexuesve të veprave të Gjyshe Vilit.

Ju, krahas lëndëve të tjera në shkollë, jeni duke studiuar si gjuhë të huaj gjuhën angleze. Ju uroj nga zemra ta studioni me pasion dhe me shumë këmbëngulje këtë gjuhë të mrekullueshme, e cila shërben si një institucion komunikimi mbarëbotëror. Por kini parasysh që gjuhën tonë amtare, Shqipen Tonë Hyjnore, ta studioni dhe ta përvetësoni me themel, në mënyrë që të bëheni mjeshtër i drejtshkrimit, i morfologjisë dhe i sintaksës së saj.

Ju uroj shëndet dhe të gjitha mbarësitë dhe dëshiroj me zemër që të bëheni një intelektual me autoritet, me brumosje të thellë nacionaliste, si një trashëgimtar i denjë i vlerave më të larta morale të Familjes Suaj.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 02 prill 2024

90 views3 comments

3 Comments


Përshëndetje i nderuar Akademik, që me kujdesin e nje mësuesi të mirënjohur dhe të një gjyshi të prkushtuar, i drejtoheni me nje letër të bukur Reinhardit, nipit të Vilhelmes dhe Fitimit. Një vlersim i lartë për një nxënës shkolle. Një dhurat e pa imagjinueshme për një djalosh që po rritet, për të njohur dhe ngulitur mirë në vrtëdije, se ku janë rrënjët e gjyshërve dhe prindërve të tij: Pinjollë të familjeve fisnike , që lanë gjurmë në histori.

Ju admiroj për një përkujdesje të tillë miqësore.

Miqësisht!

Kadri Tarelli

Durrës. 04. 04. 2024.

Like

Prof. Eshrefi ka shkruar një leter pa pehlivanllëqe gjuhësore dhe, me të tillë, ia ka dalë me sukses të provoj edhe prejardhjen, vazhdimsinë e nipërve nga gjyshrit, të shtroj dukshëm dimensionin krijues të tyre dhe përkushtimet atdhetare. Mesazhi nga letra është vërtetë fisnik dhe i tillë një shtytes për pasardhësit që të ruajnë dhe të ndalin katandisjen e Atdheut. Se treguesit e gjëndjes së Atdheut nuk janë dhe aqë inkurajues. Dhe, brënda kësaj letre, apostrofimi i z. Terziu, është një cilësi që rritë vleren e letres kurse lartëson me plot arsye personin poliedrik të z. Fatmir Terziut. Këtij krijuesi dhe promotori të fuqishëm të letersisë, kultures e historisë shqiptare. Veçori kjo e z. Eshrefit e shpërfaqur jo vetem këtu. …


Like

Në këtë ekzistencë të fushës së komunikimit dhe letrave bota tashmë ka dhe një peshë të konsiderueshme të një letre shumë domethënëse që mban brenda saj peshën diskursive të 55 veprave, peshën e tetëdhjetë viteve që u bashkëngjiten vlerave, rezidencën e një moshe që tashmë reflekton për moshat e tjera, e kështu pra jo thjesht një Letër, por një „Vepër“ që flet e paraqet atë që mund ta bënte një dokumentar më vete. Kjo letër e Prof Dr Eshref Ymerit, është respekt, është realitet, është hulumtim.

Rëndësia e këtij hulumtimi është të japë informacion dhe të kontribuojë për lexuesit e shkrimtares së mirënjohur Vilhelme Vranari Haxhiraj „Mjeshtër i Madh“ dhe më tej për atë që duhet të shkruhet përditë e…

Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page