ERJON MUÇA SËRISH ME NJË LIBËR TË RI


SHPENDI TOPOLLAJ



(Rreth romanit “Varret”)


Shkruarja e një romani, për cilindo shkrimtar nuk është një punë aq e lehtë. Prandaj, kur ai përfundon dhe botohet, autori meriton përgëzime. Dhe këto përgëzime marrin kuptimin e vërtetë, kur lexuesi vëren se ai është realizuar si artistikisht, ashtu dhe nga mesazhet që përcjell. Por ka edhe një faktor tjetër që e bën edhe më të respektuar autorin e tij; kur ndodh që ai, edhe pse qëndron larg atdheut të vet, me mendje e zemër ka mbetur po në Shqipëri. Dhe akoma më shumë, kur ai merret letrarisht me ngjarje historike, për të na bërë të mendojmë edhe për të sotmen. Ja këtë bën edhe (Hamdi) Erjon Muça, me romanin e tij të ri “Varret”, të cilin e ka shkruar atje pranë Pizës, ku prej kohësh jeton e punon, dhe sikurse pohon, ja ka kushtuar si dhuratë babait të tij të nderuar, i cili pasi e lexoi, ndërroi jetë, pa e parë të shtypur nga ADA - 2020. Angazhimi i shumëllojtë letrar i Erjon Muçës, tashmë është i njohur. Ashtu si edhe kultura e tij e gjerë. Kjo dallon edhe te ndërtimi i këtij romani, që duke u marrë me ngjarje dhe personazhe, që kanë qenë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tonë historik, janë të rrezikuara që të kundërshtohen. Por, kjo është bukuria e shfaqjes së lirë të mendimeve; gjithkush i shpreh bindjet e tij ashtu siç i perception dhe gjykon vetë, pa u kushtëzuar nga opinionet e të tjerëve. Në rastin në fjalë, duhet pranuar se Erjoni ndjek me rreptësi dhe saktësi kronologjinë e zhvillimeve dhe fatet e heronjve të tij. Ai, del në mbrojtje të interesave tona kombëtare, ka neveri dhe urrejtje për diktaturën komuniste dhe përçon ide të drejta për demokracinë që jemi duke ngritur sot. Të gjitha këto, shkrihen natyrshëm brenda një të tëre. Vetë gjinia e romanit të jep dorë për këtë, duke qenë njëri nga llojet kryesore të letërsisë epike - narrative që na paraqet fenomenet e ngatërruara e të përziera të vetë jetës tonë, pra një kompleks rrethanash e karakteresh që shpesh marrin kthesa krejt të papritura, për të mos thënë, edhe të çuditshme. Erjoni, kryesisht ka zgjedhur si vendbanim të heronjve të tij, një fshat në rrethinat e Durrësit, ku prapambetja ekonomike dhe mentale bije disi ndesh me qytetërimin mijra vjeçar të këtij qyteti. Dikush kthehet nga Turqia familjarisht dhe nis jetën e re në vendin e tij. Ky është Hajredin Kazazi që edhe pse qysh prej dhjetë brezave jetonte në atë Perandori, përsëri kishte mbetur shqiptar. E nis gjithçka nga e para, dhe dashje pa dashje futet në realitetin e fillimviteve 1900. Në atë realitet që me shumë vërtetësi e përshkruan autori. Natyrisht, mes fshatarëve ka analfabetizëm dhe injorancë. Këto i mbulon disi burrëria dhe pretendimi për nder, si dhe mikpritja karakteristike. Skenat e pazarit në Shijak, ku veç të tjerash shiten lopë e dele, bisedat mes pazarakëve, mburrjet, sharjet karakteristike, gjithmonë me zhargonin dhe dialektin e zonës, apo veset e shoqërisë, duke kaluar kohën burrat nëpër tabakhane, mes çingive e dylberëve, e japin të plotë atë panoramë, ku gjithmonë futet dhe i biri i Hajredinit, Eqeremi i vogël. Por, sa e deshi nevoja e Atdheut të sulmuar nga fqinjët, Hajredini i la hallet e tij, rroku armën si gjithë të tjerët, dhe o Burra! në Shkodër. Mirëpo, edhe atje e ndjek i biri që kish nisur të rritej. Po lufta si lufta, me trimëri, hile e tradhti dhe kur Hajredini plagoset rëndë i kërkon të birit ta vrasë që të mos vuaj më gjatë. Ky këtu njihet me drejtuesit e asaj lufte të llahtarshme; Esat Pashën dhe Hasan Riza Pashën që gjithashtu plagoset për vdekje, duke ngjalluar aq e aq diskutime se kush e vrau. Eqeremi e sheh me simpati guximin e Esatit në mbrojtje të qytetit nga malazezët. Koha ishte e turbullt, vështirësitë dhe mungesat të paimagjinueshme, vdekjet si mizat, por edhe gruaja e konsullit të Austro - Hungarisë, Hortensa, në kujtimet e saj e sqaron qëndrimin atdhetar të Esatit. Fjala e tij para parisë në kala, nuk duhet harruar. Ashtu si edhe tërheqja me dinjitet, me armatime, llogjistikë e mbi të gjitha, me flamunin tonë në krye. Këtë mendim ka edhe Xhelal Staravecka te libri i tij. Kjo është edhe bindja e vetë shkrimtarit, sikurse del gjatë përshkrimit të mëtejshëm të ngjarjeve që shkojnë deri në Amerikë e Paris. Skenat ndjekin njëra tjetrën: shfaqet turkoshaku Haxhi Qamili, një batakçi që ngatërroi dynjanë, derisa e varën, por që e mbronte si figurë Enver Hoxha, një tjetër batakçi. Eqeremi duke u rritur dhe duke u shquar si djalë që nuk ja bënte syri tërr. Shkon në Lushnje, kur u mbajt kongresi, fiton edhe respektin e vetë Zogut, i cili jo vetëm e merr pranë dhe ja dëgjon fjalën, por edhe i ngarkon detyra të rëndësishme. Më pas vendi pushtohet dhe ai lufton krahas Mujo Ulqinakut me shokë. Krijohen çetat e para. Por në të tilla situata, ato nuk i bashkonte e njëjta ideologji. Mjaft mirë na e sqaron autori mospajtimin me emisarët e Titos që donin dhe arritën të bëjnë ligjin te ne. Këtu nis dhe përçarja e madhe të cilën e dirigjoi vetë Enveri që qe nënshtruar ndaj serbëve dhe me larghedhje synonte pushtetin. Në Pezë, Eqeremi takon burra me autoritet, komunistë e nacionalistë, por dhe mban qëndrim të rreptë kur i duket se ata po gabojnë. Por mendoj se ky qëndrim ekzagjerohet disi nga autori dhe bëhet i pabesueshëm. Sikurse vihen në dyshim edhe konsultimet e pareshtura të figurave kryesore, deri dhe Naltmadhëria, Esat Pasha e Abaz Kupi, me të. Edhe më kryesorja është se autori ka zgjedhur si arsye jo mençurinë e këtij burri, por vrasjet e pafund që ai me gjakftohtësi bënte, duke i futur kujtdo që nuk i pëlqente një plumb ballit. Patjetër që në ato kushte do kishe dhe arsye për t`u futur në telashe. Ama, të mos mbërrijmë te thënia e N. Makiavelit se “Politika nuk ka lidhje me moralin”. Por kur vrasjet marrim trajtat e një krimineli, atëherë ndryshon puna. Kështu humbasin kuptimin e tyre edhe fjalët që i thotë i ati të birit: “Jeta është e jotja, vetëm një fjalë mos ma harro, mos e hidh tej kot. Nuk kthehet më, ajo që ikën” (fq. 274). Ose “…thirrja e gjakut prek katili, nuk e la që t`i bënte ndonjë përshtypje të madhe skena e përgjakshme (fq. 293). Lëkundjet politike, janë të kuptueshme dhe rreshtimet luftarake po ashtu, pasi ato i ka përshkruar më së miri M. Shollohovi në figurën e Grigor Melehovit te “Doni i Qetë”. Ndofta nuk ka qenë fare e nevojshme ndërhyrja e autorit për figurën e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeun, si dhe pjesa që poshtëron Kajo Karafilin. Shumë mirë dënohet nga shkrimtari vrasja e nënës së Hajredinit të ri me kokën e çarë nga Izet Karagjozi apo vrasja e tij nga vetë Kadri Hazbiu. E pra, krimet kanë përherë dhe për këdo një fytyrë. Saga e Kazazëve, dikur bejlerë me emër, vazhdon rrugëtimin e vet, me krenarinë e fisit, por natyrisht me të tjera mend. Nipi, është shkolluar në perëndim; ai e kupton tjetërsoj si demokracinë, si marrëdhëniet mes njerëzve. Koha ka bërë të vetën dhe ai di mirë se duhet të sundojë mirëkuptimi, dashuria, ligji, drejtësia e ndershmëria mes njerëzve. Nuk kërkon hakmarrje, por do të gjejë varret e të parëve. Motoja e tij më duket mjaft e drejtë: “Jeta është shumë e bukur, e shtrenjtë dhe është gjynah që ta humbësh, kur ke mundësi të mos e humbësh” (fq. 353). Dhe kjo është krejt njerëzore. Ai shprehet: “Njerëzit duhet të ndryshojnë, që të mos ketë më varrmihës dhe kërkues varresh të humbura”. Ka një pasazh mjaft interesant në roman rreth kotësisë së luftës, pas faqes 336, ku thuhet se “Si do të mund të jetojnë, ata që mbijetuan, me mendimin se kanë marrë shumë jetë njerëzish?” Dhe ajo që e mbyll romanin është lajtmotivi i tij: “Ah, mor njerëz! Jeni kaq të rëndomtë, saqë edhe jetën, dhuratën më të bukur dhe të paçmueshme, e mbushni me budallallëqe me okë” (fq. 379). Kurse përshkrimet e jetës së përditshme, dashuritë, xhelozitë, interesat, miqësitë, solidariteti, ndihma reciproke etj. nga ana e këtij shkrimtari janë vizatuar mjaft mirë. Ai e ka të plotë staturën e një romancieri të kultivuar. Mendoj se ky roman e vërteton mësë miri këtë. Me këtë punim të vyer, mendoj se njëkohësisht, ai i ka gjetur edhe varret e të parëve.

12 views1 comment

Shkrimet e fundit