ERËZA LULORE


Fatbardha Myslimaj Xhani



ERËZA LULORE


Më merrni mes jush o Lule Të dridhem petalesh nën vesë Të ndjej aromën si pekule Tek mbij, lulëzoj, edhe vdes...

(2010)


DESHA TË DI


Desha të di A mos vallë koha është Ajo lejlaja e ëmbël që bie diellit Si petale të vesuara jasemini...

Apo ato retë e holla Që i preu përmes një helikopter i kuq Dhe dy dallëndyshe të fundit Harkuar qiellit si dy vijëza... Për pak Më mori frymën një manjolë Tek shkundi petalet nën erë, Me thuaj të lutem: Mos vallë Kjo është koha? Një burrë Me një buqetë trendafilash Shtrënguar me kaq përkujdesje Një grua flakëbardhë Tek përkëdhel qenin si bir; Thua, Kjo të jetë koha? Jeta, Që rrjedh në gishtat e mi Malli që pikon zemrën time Rrahjet ritmike dhe fryma Dashuria që më flet Fshehtë... Desha ta di, Kjo është koha??

ËSHTË RIVIERA

Është ëndërr që shkon Është Riviera!... Duke kaluar adhuroj I përulem secilës shtëpi të rrënuar Të braktisur, Çdo peme të tharë... Harroj detin, qiellin Harroj veten kredhur Në ujin që fundin tregon... Pastaj qesh me vete, Më kujtohet Se si dëshiroja të vallëzoja Buzë detit Me një burrë të panjohur, Por nuk ndodhi... Siç u rrënuan këto shtëpi, Si u dogjën këto pemë, Nga ndezja e pyjeve Pa e ditur si Pa u turpëruar, pse?! Është riviera Që më josh duke e parë Të ikë prej syve të mi Këtë të dielë vjeshte, Si ëndërr...

VJESHTËS I FLAS

Po kthehem Zogjtë e vjeshtës Më lanë ca pendë të lehta Të vishem me fluturimet e tyre Harenë t'ia rikthej shpirtit Buzëqeshje syve... Po kthehem, Pemët e vjeshtës Rrëzuan ca gjethe të verdha Supeve nuk ndjeva më peshën e fajit Sepse faji nuk ekziston, E keni sajuar ju njerëzit; Më thanë... Po kthehem, Puth dallgën e kripur E lejoj të më lëmojë faqen Të më përkëdhelë lëkurën, Si një "më fal", e burrit që dëshiron Me zjarrin që djeg pyje.... Po kthehem, Rruga shkurtohet pa u ndjerë Mendimet lëmohen si shkëmbi Buzë detit, Në lojën mijëvjeçare Me valëzat ledhatare Plot gënjeshtra të bardha... Po kthehem Po kthehem dashuri...

VETËM

I kishin marrë Të gjitha lulet, rrezet Edhe zogjtë i kishin ndaluar Të lodronin në hapësirat E ëndrrave të fëmijës Që ende beson Brenda trupit Të rritur... Me mbeti jeta Pa poezinë që më thurte Çdo ditë secili moment Me ndjesi te fshehta Nga gjithë bota.... Mbeta bosh Pa vend në të mirët Të pagabueshmit Përjashtuar isha: U ula mbi gabimet e mia Dhe u ndjeva E vërtetë E bukur Si natyra!

MASKA E DLIRËSISË

(Një burri) I thashë se e njoh gjer në palcë Atë dlirësi burrërore të pjesshme Atë mirëkuptim të sajuar prej dëshirës Për t'u besuar se s'bën prej femrave... Për të shitur shtrenjtë Të vërtetën Deri aty ku nuk preket Sedra dinake e dikujt që di mirë, Të rrotullojë fjalët Si një qyp prej balte Që përkulet e merr formë Prej syve të atyre që e shohin Prej zemrës së atyre Që dashurojnë të bukurën. Çfarë është e vërteta e pyeta, Mos vallë pamundësia Për të qenë i vërtetë? Ta shihnit, Se si e hoqi maskën prej "të vërteti" U skërmit Duke shpjeguar Vetveten siç e dëshironte; Dhe shkoi...

49 views

Shkrimet e fundit