top of page

ERËRAT E KOHËS


Fiqri Shahinllari

Nuk është fjala për erërat që sjellin shiun nga qielli në tokë , as për ato që shkaktojnë tufanet, uraganet , tajfunet apo tsunamet. Nuk do të "flasim" as për erërat që fryjnë duke fërshëlllyer nëpër hatullat e shtëpive, që të ftohin e kallkanosin në dimër e të flladitin në vapën e verës. Fjala është për erërat historike që sjellin shëmbjen e mbretërive, perandorive e diktaturave , sistemeve shoqërore.. Euha, sa ngjarje historike kanë ndodhur para e pas Krishtit, si pikë referimi, që ndryshe quhen Para apo pas Erës së re. Erërat e Kohës në këtë ese që po përpiqem t'i sjell modestisht për lexuesit, nuk janë stuhi të stinëve të vitit por janë stuhi historike, përmes të cilave ecin shoqëritë njerëzore tok me lëvizjen e Tokës në kohë e hapësirë. Para se të shkojmë në thellësitë e shekujve, le të qëndrojmë në erërat historike të kohëve të fundit në Shqipëri ku brezi im mban mend dhe ka jetuar kohën e Komunizmit dhe po jeton Kohën e Demokracisë. Për sejcilin sistem njerëzit kanë pikpamje të ndryshme. Për komunizmin shumica me të drejtë ka vrejtje. Për Erën e Demokracisë, po ashtu, shumica me të drejtë ka mendime pozitive. Komunizmi shpesh identifikohet me diktaturë, me shkeljen e të drejtave të njeriut, me krimet që ka sjellë era e asaj kohe. Unë do të shtoj këtu edhe përçudnitë e luftës së klasave dhe luftën kundër fesë. Mirëpo a është e udhës t'i shikosh gjërat vetëm nën prizmin bardhezi?. Mirë është të përmenden edhe gjërat që janë bërë në atë kohë në dobi të popullit: Zhdukjen e analfabetizmit, elektrifikimin e gjith vëndit, shkollimin e nxënëvse e të rinjve, hapjen e Universiteteve dhe krijimin e armatës së madhe të specialistëve në gjithë fushat e jetës dhe ekonomisë, vënia nën fre e fenomenit të gjakmarrjes dhe kjo nuk është pak , bonifikimin e tokave, tharjen e kenetave. Shkurt fjala, edhe në atë kohë ka patur gjëra të mira. Në Italinë fqinje me Shqipërinë kur isha me shërbim para ca viteve vura re se njerëzit atje në Emiglia Romano, fjala vjen, dinin të çmonin edhe gjerat e mira që ishin bërë në kohën e fashizmit të Duçes. Përmendnin jo pa krenari sistemin e ujitjes e kullimit të tokave qe prshkphen nga lumi "PO" si vepër madhështore bërë në atë periudhë që i reziston kohës edhe sot.



Kështu, mendoj, është mirë të shihen gjërat edhe në kohën e demokracisë në Shqipëri. Palët politike, partitë e ndryshme janë kundërshtarë politikë por jo armiq me flakadanë e ura zjarri urrejtjeje në dorë për palën tjetër. Disa njerës të frymëzuar nga politikanë jo racionalë por inatçinj, sulmojnë palën tjetër për gabimet që janë bërë gjoja me dashje për çështjet që lidhen me pronësinë e me kriminalizimin e ekonomisë e të jetës në përgjithësi. Të tjerë mbështeten vetëm në liritë e shtypit, të fjalës e të tubimeve e protestave. Gjë e mirë, sigurisht. Politikën aktive nuk e kam provuar. Si gazetar që jam larg Shqipërisë shikoj qartë, me gjykim të ftohtë gjërat sidomos ato politike përmes lajmeve. Gëzohem e mërzitem, sipas rastit. Ndonjëherë gjërat negative më përcjellin në brendësinë time ndjenjën që shkakton gërrvishtja fare e lehtë por torturuese e thëngjillt të shuar, të thatë kur e prek dhe e fërkon me dorë. Dikujt këtë ndjenjë ia përcjell fërkimi i shkumësit në dërrasë të zezë apo në duar. Të ngjethet mishtë edhe pse nuk ke dhimbje fizike. Dalloj mirë se si politikanët shqiptarë kur flasin në publik ata injektojnë ose optimizëm ose pesimizëm në popull. Nuk janë të rralla rrastet kur kundërshtarëve u kërkohen qiqra në hell, kur nuk meren parasysh gjërat e mira që ka bërë pala tjetër në dobi të popullit por duke kërkuar gjilpërën në kashtë me lupë para syve mundohen ta përgjithësojnë edhe ndonjë të meta të bërë pa dashje. Harrojnë ata se kështu në vënd të rregullojnë vetullat i nxjerrin sytë vetvets. Edhe sikur kokën ta kenë sa një shinik të mbushur me tru ta harrojnë se e drejta është vetëm te ata .Sepse njerëzit e arësyeshëm, larg mllefeve gjykojnë vetë kur shikojnë se nga cili krah anon barra në samarin e punëve. Nëse ajo anon nga e mira e përgjithëshme atëhere falet ndonjë gabim i vogël bërë pa dashje që nuk ngre kandar.Për këta njerëz thuhet në popull: Kali i kuq e ka një huq!

Si gazetar shqiptar i vjetër gëzohem për gjërat e mira, dëshpërohem për ato të ligat. Dhe them: Politika shqiptare ka shumë nevojë të emancipohet, të mendojë që sjellja e saj reflekton në publik, ndez gjakra dhe qetëson situata. Duhet lufta politike sigurisht por ajo ka vëndin e saj në parlament ku cdo palë ka lllogoren e vet për luftë parimore e të argumentuar me synim mbarëvajtjen e punëve. Shëmbull janë politikanët pa një pa dy. Më ka mbetur në mendje një veprim i kulturuar dhe tepër emancipues në situata të ndezura politike, veprimi i dy politikanëve shqiptarë të krahëve të ndryshme politike. Xhesti i Namik Dokles dhe i Jemin Gjanës. Namiku njihet nga kushdo në Shqipëri si politikan i spikatur, nuk po futem këtu në fushën e gazetarisë e të letërsisë ku ka bërë e po bën emër. Kishte shkuar në rrethin e Kukësit për vizitë pune si deputet. Po ato ditë ishte në atë rreth edhe deputeti Jemin Gjana i Partisë Demokratike, edhe ky i spikatur në fushën politike.Rastisi që ato ditë në Kukës u organizua një festë, nuk më kujtohet cfarë feste ishte. Organizatorët e festës kishin ftuar edhe dy deputetët, djemtë e popullit të Kukësit..Shumë pjesmarrës në festë. Këngë e valle. Kur ç'të shoh? U bëra me krahë, zhiva në termometrin shpirtëror m'u ngjit lart.Në një moment Namiku mori shaminë në dorë dhe e dridhte atë lart duke hedhur gëzueshëm

vallen e njohur të Kukësit. Pas tij, zënë dorëpërdore me Namikun ishte Jemin Gjana! Oh, sa u kënaqa! Ja -thashë me vete-ky është sinjal emancipues i politikës së kreshpëruar në Shqipëri që i duhet transmetuar publikut shqiptar. Këtë e kërkon fryma e kohës, era e saj.

Le të shkojmë tani më thellë në kohët historike që kanë marë emra të perandorive apo mbretërive. Që në bangat e shkollës fillore kemi dëgjuar për perandoritë Romake, Bizantine, Turke e të tjera. Por periudha kohore ka patur edhe udhëheqës, sundimtarë të. shquar të cilët i"kanë vënë"emrin epokës kur ata kanë sunduar. Sepse historia, kjo "zonjë" e nderuar nuk pyet fare për ngjyrime politike. Ajo me "fshesë në dorë" fshin e përlan lëmizhga e vogëlsira që i dalin rrugës gjatë kohërave me stuhi ere duke lënë në vend të pastrat vlera të cmuara të njerëzimit e të njerëzve të mëdhenj të cilët kanë bërë Epokë. Kështu kemi kohën e Aleksandrit itë Madh, kohën e Cezarit, të Pirros së Epirit. Napoleonit etj. Në Shqipërinë tonë kemi kohën e Skënderbeut, të Ali Pashait. Këta emra janë, le të themi, maja e kohës kur ata kanë sunduar. Por, siç e theksuam, historia nuk meret me politikë. Duam, s'duam koha ka marë edhe emrin e diktatorëve si të Stalinit, Hitlerit, Duçes e në Shqipërinë tonë kemi kohën e Zogut, të Enverit që gjatë sundimit të tyre për shumë gjëra, jo për të gjitha, mbollën Erën e korrën furtunën. Diktatorët nuk kanë mëshirë. Sipas tyre mëshira u errësonte arësyen për të sunduar.

Rreth "majave" ka njerës të tjerë, ka ca "kodra"që i mbajnë këto maja. Ma ka kënda ta ilustroi këtë ide me një emër shqiptari jo shumë të njohur. Në kohën e Sulltanëve në Turqi ka shërbyer edhe një shqiptar i çuditëshëm, pa shkollim i cili quhej Mustafa Pasha nga fshati Goskovë e krahinës së Korçës. Ai nga një njeri i zakonëshëm arriti të bëhej Valiu i Rumelisëe, më vonë Vezir i Madh i Turqisë. Kish arritur deri atje sa vetë Sulltan Selimi i tretë ta quante baba për shkak të besnikërisë dhe dashurisë që Mustafai shfaqte ndaj Sulltanit. Shëmbuj të tillë ka plot në pusin e thellë të kohëve historike njerëzore në tërë Kontinentet. Dje dhe sot, pa përjashtim.

Kur vjen në moshën e tretë njeriu, vec të tjerave, në mënyrë instiktive kujton jo vetëm historitë familjare apo të fisit të tij por edhe të fshatit, qytetit, kombit të tij por edhe historinë botërore . Kupton se dhëmbët e kohës nuk ndryshken kurrë. Përkundrazi, rigjenerohen. Disa nga teoritë shkencore, fjala ven, gjatë kohës vyshken e humbasin peshën që kanë patur më parë por nuk zhduken. Ato zëvëndësohen me teori të tjera, të reja.Po sjell këtu një shëmbull që kur e lexova

diku mbeta pa fjalë. Një eksperiment që qënka bërë në Moskë në vitin 1970 ka vërtetuar se edhe bimët kanë jetë shpirtërore. Aparati elektronik me ndjeshmëri shumë të lartë ka regjistruar "klithmën" e një bime të njomë kur atë e futën në ujë të përvëluar! Sa keq për vegjetarianët! A duhet t'i venë ata gishtin kokës? Ha, haaa. Erërat e kohës sjellin me vete edhe ndryshimin e mentaliteteve, ndryshojnë edhe tabutë ose vihen në pikëpyetje disa prej tyre. Si shkrues i këtyre radhëve po bëj këtë pyetje: A është e vërtetë që Aleksandri i Madh vdiq në moshën 33 vjecare dhe Jezu Krishti,tre shekuj e gjysëm më pas, vdiq edhe ky në atë moshë, 33 vjecare? Ç'është kjo përputhje për dy njerëzit më të njohur e më të famshëm në botë, njëri si mbret dhe Komandant legjendar që pushtoi më tepër se gjysmën e botës në kohën e vet dhe, tjetri në botën e Krishterë u shfaq si biri i zotit në formëm e njeriut që u sakrifikua për të larë mëkatet e njerëzimit? Po e çoj pak më tutje arësyetimin tim dyshues. Shtylla kurrizore e njeriut ka 33 kocka që mbajnë trupin drejt dhe ruajnë palcën kurrizore. Mos vallë numëri 33 shtrihet edhe ne fushën politike apo sociale që ndikon në mbajtjen e pushtetit dhe dhe mbizotërimin e bestytnive fetare? Pse festohen datat e lindjes e të rilindjes së Krishtit siç janë Krishtlindjet dhe Pashkët dhe nuk meret njeri me datën përkujtimore te vdekjes së tij?? A është e vërtetë që në botë ka, siç thonë disa, 39 sëmundje për njeriun aq sa goditje me shkop kanë rënë mbi trupin e Krishtit? Ec e shkokolepsi këto mendime budallaqe që mua më vijnë ndërmend teksa shkruaj!.

Unë i dua bashkëkohësit e mi. Sepse jetojmë në të njëjtin segment kohe në rrugën e gjatë miliarda vjecare të jetës së planetit tonë. Kur them se i dua bashkëkohësit kam parasysh njerëzit e të gjithë kontinenteve. Sepse të gjithë mërziten me luftrat, nuk i duan ato. Edhe të mirën edhe të keqen e përbotëshme e ndjejme njëlloj. I gëzohemi paqes, hidhërohemi nga e keqja e përbashkët, siç janë sëmundjet e pandemitë. A nuk u mërzit njerëzimi për shkak të koronavirusit që shpërtheu në muajt e parë të vitit 2020 dhe vuri nën këmbë tërë botën? Do kalojnë vite e vite e kjo gjendja e sotme e Kovid 19 do quhet"Koha e Koronavirusit" ashtu sic quhet koha e Gripit Spanjoll në vitet 1918 e vazhdoi deri në vitin 1922 në mos gaboj. Në atë kohë vdisnin njerëzit si pulat. Jehona e atij gripi famëkeq vijon edhe sot e do të vazhdojë edhe më tutje. Ka kaluar fiks një shekull nga ajo kohë. Është vëndi këtu të sjell një çast si fakt tronditës nga ajo kohë, fakt që e kam përshkruar gjerë e gjatë në librin tim :" Kushtrimi i gjakut"...... Feim Iliazi dhe Qazimeja, burrë e grua nga Boshanji i Kolonjës për të shpëtuar nga andardët grekë morën rrugën si muhaxhirë. Me vete kishin familjen e tyre dhe ndonjë kushëri si Xhemalin e Hysenin të familjes "Metko", një vajzë të vogël të Musait, kushëririt tjetër i cili ishte vrarë dy muaj më parë. Gjithësej grupi përbëhej

mbi dhjetë veta. Ik e ik,ik e ik, ik e ik kaluan me ditë të tëra rrethet Kolonjë, Skrapar,Berat, Elbasan e me ndihmën e disa miqve të tyre qëndruan në Bërzeshtë të Librazhdit. Para se të arrinin në Bërzeshtë dy djemve të Feimit e Qazimes, Hasanit 11 vjec dhe Selimit 8 vjecar, papritur u kapi trupin temperatura e lartë. Oh, pik' e zezë! Flitej se ato ditë po bënte kërdinë sëmundja që e quanin "Gripi i Kuq" Në malet e Bërzeshtës prindërit e gjorë u kontrollonin temperaturën dy djemve te tyre të vegjël. Në mesnatë ethet dhe temperatura e lartë e fëmijëve u bë e padurueshme. Si t'i shpëtonte korba nënë? Çfarë të bënte i ziu baba? Të gjithë jepnin mendime se si duhej vepruar. Përvoja personale e sejcilit u bë pronë e përbashkët. Por edhe çarçafët e lagur me ujë brisk të ftohtë që mbështollën trupat e njomë të djemve vëllezër nuk bënë derman. Ata ranë në kllapi. Forca vullkanike e ndjenjave të nënës e parandjeu gjëmën. U duk se gjëndja u qetësua pak. Atëhere Feimi dhe Xhemali shkuan pak më tutje për të prerë ca makazë që të ndërtonin ndonjë kasolle tjetër të vogël. Befas Xhemalit i ra çelikrani nga dora dhe ai u platit përdhe. Po përpëlitej sikur ta kishte kapur murtaja. Feimi i ndihmuar nga dy barinj e çuan Xhemalin te dy djemte e tjerë që i kishin lënë të sëmurë. Po ç'të shihnin? Tok me djemtë lëngonte edhe vajza e vogël e Musait. Oh, nën'e zezë! Tragjeditë krijohen nga shkrimtarët dramaturgë por jeta ama krijon me mijëra tragjedi të tilla si kjo që po tregojme e shumë të tilla të ngjajshme më të mëdha? Pjestarët e tjerë të familjes para katër trupave pa jetë i lutshin perëndisë duke kthyer kokën drejt qiellit . Por nga qielli"shikojnë" vetëm yjet që qëndrojnë aty kush e di sa miliona vjetësh. Indiferente ndaj halleve të jetës së shkurtër të njeriut këtu në tokë. Ata të bëjnë nervoz me shurdhërinë e heshtjen e tyre.

Flitet se njeriu gjatë jetës së tij takon mesatarisht rreth 80 mijë njerëz. Kur flasim për jetën miliona e miliona vjeçare të njerëzimit në planetin tokë kuptojmë qarte se njeriu vjen në jetë sa për të bërë xa e shpejt ikën , transformohet fizikisht. Në raport me gjithësinë njeriu nuk është gjë tjetër veçse një krrimb toke, grimcë rëre. Megjithatë edhe te ky "krrimb toke" koha shfaq labirinthet e saj. Ashtu si natyra ka stinët, dimër e verë, ditë e natë, edhe njerëzit kanë gëzime e hidhërime, dashuri, mërzitje e urrejtje. Jeta përbëhet nga segmente e çaste kohe. Lum ai që e jeton mirë çdo çast të jetës. Erërat e kohës janë ndonjëherë edhe mashtruese të mëdha, shpesh hipokrite!? Rruga më e mirë është ajo e mesmja-thonë disa. Dakord. Po a vlen kjo sentencë kudo e kurdoherë? Ecën filan fëstëku andej nga fryn era - thonë për ndonjërin që shikon interesin e tij të çastit. Kjo tendencë shfaqet në politikë kur dikush ecen "me lugë në brez" duke proklamuar se nuk është i asnjë partie. Synon kështu të sigurojë ndonjë vend pëllumbash pas zgjedhjeve politike të radhës .Dhe sipas tij nuk do shkojë të votojë. Oj? Si kështu?

Mirë që nuk je i asnjë partie por në votime duhet të shkosh për të kontribuar për ecjen përpara me reformat e nisura ose për të ndryshuar gjëndjen në të mirë të popullit. Hipokrizia e kohës duket edhe në jetën personale e familjare. Një nënë u mundua të mbronte me trupin e saj djalin e vetëm kur tërmeti i 26 nentorit 2019 në Shqipëri shkundi dhe rrëzoi shtëpinë e tyre. Nëna i thoshte djalit të mos kishte frikë se ja, po kalon, po kalon rreziku! Mirëpo a kishin fund ato 30 sekonda të flamosura ?! Nuk po kalonin, nuk mbaronin kurrë. Dukeshin si 30 orë! Kështu orë e ditë të tëra të duken castet e padurimit për të zbuluar një të fshehtë përvëluese. Koha ngrin në ajër, nuk ecën. Pale kur ndodh ndonjë fatkeqësi që rëndon plumb shpirtin e njeriut. Ai mbetet si peshku pa ujë. Kthen sytë nga qielli i paanë. Lutet. Ndryshe ndodh me kohën kur njeriu është i lumtur dhe nuk ngopet me të. Orët, ditët, javët i duken minuta e sekonda! Njerëzit janë të prirur që të shijojnë kënaqësi të mëdha. t'i gjejnë ato edhe në gjëra të vogla. Një dite të vetme ndahet në 100 e ca ngjarje të vogla si bluazhga që duhen mbledhur në osfalkën e kohës që të mos mbeten të ngrira në vetminë e tyre. Çdo çast i lumtur duhet jetuar. Jeta përbëhet nga segmente çastesh kohe. Dhe veprimet e njeriut në këto çaste? Çdo gjë në kohën e vet kanë thënë të mënçmit e kësaj bote. Veprimet para kohe i bëjnë dëm vetes. Ke këputur nga dega një frut të pabërë. Veprimet pas kohe nuk pijnë ujë. Fruti i dobisë ka humbur freskinë e aromën, ai është fishkur e tharë. Mishi është shndrruar në cingaridhe.

48 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page