top of page

Epizmi dhe lirizmi në poezinë e Bujana Malajt




Shënime për librin me poezi “Jam poetja e mërgimit”


Nga Rexhep POLISI


Botimi i një libri është një gëzim i veçantë jo vetëm për autorin, apo autoren, por edhe për lexuesin e vëmendshëm. Këtë ndjesi përjetova kur më ra në dorë libri me poezi “Jam poetja e mërgimit” i autores Bujana Malaj. Sot botohen shumë libra me poezi, por secili autor ka profilin e vet dhe shtjellon aty ndjenjat, mendimet dhe përjetimet shumëdimensionale. Poetët jetojnë, punojnë dhe krijojnë në botën e tyre individuale. Secili krijon në fushën e vet dhe hedh në letër përjetimet shpirtërore, ndodhitë, historitë dhe ngjarjet sociale të përditshmërisë.

Libri “Jam poetja e mërgimit” të mbërthen teksa je duke e lexuar dhe nuk të le për asnjë çast të shkëputesh prej tij. Në mjaft poezi të këtij libri gjejmë motive nga eposi ynë i pasur ku autorja me epikën dhe dramacitetin depërton thellë në artin poetik. Në poezitë e saj ndjehet ngarkesa shoqërore e epikës së trevës së saj të lakmuar nga shumë autorë.

Epizmi dhe lirizmi buron përmes toponimeve të vendlindjes dhe njerëzve të saj të dashur. E lindur në Bujan të Tropojës, prej nga ka marrë edhe emrin, ndonëse autorja ndodhet në mërgim, i përjeton zhvillimet kohore të Atdheut dhe vendlindjes së saj dhe i përcjell ato mjaft bukur në poezi. Kjo vjen nga që autorja përvëlohet nga malli për Atdheun, për të afërmit e saj, miqtë dhe gjithçka që ka përjetuar në vendin e saj, për ngjarjet patriotike e sociale.

Në qendër të poezive të Bujana Malajt është atdhetarizmi, qëndrimi patriotik dhe historik për trevën prej nga ajo vjen. /Moj Shqipëri me rrënjë të thella,/ Herë të humbas e herë të gjeta./ Të krasita, por nuk të preva,/ Përsëri te ty u ktheva.../ (“Moj Shqipëria ime”).

Fëmijëria ze një vend të pashlyer në kujtesën e autores, e cila herë-herë bie në nostalgji për atë kohë të shkuar që ndonëse ishte një jetesë e vështirë, për të është mjaft e vyer. Në poezitë e saj përcillen mesazhet e një dashurie të përjetshme nëpërmjet imazheve të pashlyera nga kujtesa fëminore. Këto përjetime i gjejmë tek poezia “Kujtime dhe nostalgji të kohës”. /Edhe sot do të kthehem mbrapa në fëmijëri,/ Ato festa me pak, por me shumë dashuri.../.

Poezia e saj paraqitet me gjithë tonet, tematikat dhe nuancat jetësore duke e bërë lexuesin që të ndjehet mirë me poezinë e Bujana Malajt. Ajo mbart ide që gulçon shpirtin e njeriut. Ndaj në mjaft poezi gjejmë përjetimin e kujtimeve fëminore dhe mallin për vendlindjen.

Ja disa nga vargjet e poezisë “Hojdadahoj për ty Tropojë”. /Dua me këndu për ty Tropojë,/ Këngë asjerçe e hojdadahoj,/ Këtë traditë ka pasë Malësia,/ Me tupana e çiftelia.../.

Autorja ka ditur të evidentojë elementët poetikë të ngjarjeve, të cilët përbëjnë dhe thelbin e lirizmit ku mbi të gjitha evidentohet njeriu. Përmes vargjeve poetike Bujana sjell tek lexuesi një botë të gjerë shpirtërore, një panoramë paqësore. Ajo depërton thellë në botën njerëzore duke e bërë poezinë më prekëse dhe më të ndjerë për lexuesin.


Përvoja e jetës në emigrim ka bërë që autorja të shprehë në vargjet ndjenjat e atdhedashurisë, mallit për vendlindjen dhe dashurinë për njerëzit. /Marak kisha e shumë dëshira,/ Si gjithkush si m’sy te e mira,/ Mos me e zgjatë shumë me pëlqime,/ S’ka ma t’mirë se Tropoja ime/. (“S’ka ma t’mirë se ti Tropojë”).

Vargjet e saj janë rrëfime historike, epike dhe sociale, ku herë-herë shfaqet edhe një pesimizëm i brendshëm që buron nga i të qenit larg Atdheut, larg vendlindjes dhe njerëzve të saj më të dashur.

Lirizmi si shprehje e përjetimeve të brendëshme ze një vend të rëndësishëm në librin “Jam poetja e mërgimit”. Autorja shkruan me ndjeshmëri përjetimet emocionale të jetës së saj, por edhe të njerëzve që e rrethojnë. /Moj e mira gështenja mbledh,/ Këndon gjinkalla rrem më rrem,/ Lule gështenje me ngjyrë të verdhë,/ Unë i mbledh ti djal m’i derdhë./ Ku po shkon ti djalë pa mue,/ Ti Tropojën s’mun me kalue,/ Çoma dadës veç një fjalë,/ Tana punët përgjys i la./ I la punët, kurrë mos u bafshin,/ Veç na bashkë me ty djalë qofshim.../. (“Moj e mira gështenja po mbledh”).

Bota shpirtërore e tejvuajtuar nga barra e jetës është një kthim tek realiteti dhe është e pranishme edhe tek vjershat e saj. Në këtë vëllim me poezi të Bujana Malajt, nuk kishte assesi të mos zinin një vend të rëndësishëm vargjet për nënën. Bujana jeton jashtë Atdheut dhe përjeton pengjet që i kanë mbetur pa i thënë nënës së saj. /Ah moj nanë,/ Sa andrra pa fund/ Ngelën pa thanë... Ah moj nanë,/ Asgjë s’besova deri tani,/ Mendoja që do ngelem/ Gjithmonë fëmijë,/ Po sot çdo gjë po e vuaj vetë,/ Në mendje më rri si gjithnji.../. (“Ah moj nanë”).

Në mjaft vjersha dallohet lirizmi dhe mendimi i valëzuar si uji i kristaltë i Valbonës, ku krahas rimës dhe ritmit gjejmë vargje melodioze që lexuesit i vijnë si këngë. /Pash këtë vapë ti mori çikë,/ A pate kund ti me u flladitë./ Pasha mua djalë, pasha ty,/ Herë n’Valbonë e herë në Dri/. (“N’këmishë të hollë t’pafsha opet”).

Libri “Jam poetja e mërgimit” na bën të shpresojmë në një fuqizim e gjallërim të mëtejshëm të poezisë së kësaj poeteje, në një zgjerim e thellim të botës ideoemocionale, në një paraqitje më të gjerë e më të shumanëshme të realitetit e të kohës që jetojmë.

43 views1 comment

1 comentario


Lola Shehi
Lola Shehi
12 nov 2021

Me shijon stili i Bujanes

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page