top of page

Enkileda Carja: Kampionia e parë botërore e Shqipërisë



 

Kjo vajzë që shikoni në fotografitë e mëposhtme ka lindur në Elbasan, dhe është shpallur Kampione Bote e 3-fishtë në Lima të Perusë. Enkileda Carja vajza nga Elbasani, mbesë e Mjeshtrit të Ndërtimeve, Nihat Oruçit nga Trebishti i Gollobordës ka ngritur tre herë Flamurin Kombëtar të Shqipërisë në Amerikën Latine. Kështu kjo vajzë e talentuar, sportiste që në moshë të vogël, ka vendosur edhe 3 rekorde europiane për të reja, në shkëputje me 98 kg dhe në shtytje 115 kg dhe 213 kg. Ky është quajtur një lajm fantastik nga shumë media, nga shumë politikanë, e nga shumë pushtetarë, të cilët kanë mbushur rrjetet sociale. Dhe pse?

Fakti dihet. Carja ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në Kampionatin Botëror të peshëngritjes për U-17 dhe U-20 që po mbahet në Lima të Perusë! Shtangistja e talentuar shqiptare ka qenë protagoniste absolute, duke u shpallur, pra, kampione e trefishtë për U-17 falë një performance fenomenale, duke realizuar me sukses gjashtë provat në kategorinë e peshave 64 kg. Kështu Carja mahniti që në fillim në stilin e shkëputjes, duke ngritur me radhë 94, 97 dhe 98 kg, për të merituar medaljen e parë të artë. Më pas shkëlqeu edhe në shtytje, teksa finalizoi me sukses provat me 110, 113 dhe 115 kg, duke shtuar medalje ari edhe në këtë stil.

Me 213 kg në total, sportistja kuqezi koleksionoi gjithashtu edhe medalje ari në dygarësh, duke e mbyllur si kampione e trefishtë e botës për U-17. Jo vetëm kaq, por Carja vendosi edhe 3 rekorde të reja europiane për U-17 me rezultatet e saj, me 98 kg në shkëputje, me 115 kg në shtytje dhe 213 kg në dygarësh. Gjithashtu rezultati prej 98 kg në shkëputje përkthehet në medalje bronzi botërore për moshat U-20. Carja, peshëngritësja elbasanase që garon për Teutën, e drejtuar nga trajnerja Eglantina Kalemi, konfirmohet edhe një herë tjetër si e ardhmja e madhe e shtangës shqiptare. Vetë trajnerja Kalemi u shfaq shumë emocionuar pas këtyre rezultateve historike që sportistja e saj arriti në Peru.



“E kemi pritur këtë ditë”, u shpreha trajnerja Kalemi menjëherë pas cereminisë së dhënies së medaljes, teksa më pas shtoi: “Përgatitjet na shkuan mirë dhe Enkileda tani është një peshëngritëse me kohë të plotë. Kampionia e parë botërore e Shqipërisë dhe tre rekorde evropiane, kjo është shumë mbresëlënëse”, u shpreh trajnerja Kalemi.

Duhet theksuar se njëmbëdhjetë muaj më parë peshëngritjsa e Teutës, Enkileda Carja, shkëlqeu në Kampionatin Europian, që u zhvillua në Selanik të Greqisë, duke marrë medalje ari. Sportistja e talentuar shqiptare mori medalje ari në stilin e shkëputjes, pasi ngriti 86 kg, ndërsa në shtytje doli e katërta me 104 kg dhe që nga ai konkurrim ajo dha shenjat e para të këtij rezultati botëror, ndërkohë që atje në dygarësh Enkileda Carja, mori medalje argjendi, pasi ngriti në total 190 kg. Në atë kohë u shënua si një arritje historike për shtangisten Enkileda Carja, dhe trajneren e saj Eglantina Kalemi, ndërsa e Perusë e bën krenari Botërore vajzën elbasanase mbesë të Mjeshtrit të Ndërtimeve Nihat Oruçi nga Trebishti i Gollobordës.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page