
Grushti që goditi Prof. Dr. Sali Berishën, pa përmendur ish-Presidentin, ish-Kryeministrin, apo Liderin e Opozitës, Kryetarin e PD-së, rrëfeu jashtë dhe brenda perdes së shoqërisë së sotme se ka ende shtresë të padukshme komunizmi, konfrontizmi, ateizmi, e mjaft forma të tjera të ngjashme. Kjo ka mbetur një simptomë e të menduarit të sotëm. Dhe natyrisht që është një mënyrë e çuditshme e të menduarit. Kjo është ajo që ndodh kur burimet e mëparshme të autoritetit moral janë zhdukur, ose tretur. Dikur ishte Zoti, të cilin komunizmi e grisi në librat e Shenjtë dhe e zëvendësoi me ato të fillit të kuq, ose ndonjë formë humanizmi, si „bujaria, mirësjellja etj“, që ndikoi në pikëpamjet tona morale. Por në të tashmen tonë nihiliste, relativiste, ne nuk kemi asgjë përveç, me sa duket, një apel për kalendarin e datën e ditës që jetojmë dhe anashkalojmë pa e kuptuar. Nëse ende tek ne ndikon ateizmi i detyruar dhe mungon feja, sidoqoftë me atë që thuhet se „Feja e shqiptarit është Shqiptaria“ ajo që kuptohet dhe mund të thuhet, apo dhe mund të përshkruhet është vetëm si feja e „përparimit“ shqiptar „alla-pakohor“.
Dhe në një skenar të tillë, në një mjedis të tillë rilindin dy kampet. Dy kampet kanë më shumë për t'u kuptuar se sa për ti kuptuar. Janë të kënaqurit dhe janë të dhembshurit. Por me sa duket, kjo e fundit na mëson më shumë se është e njëjta histori e vjetër sot: kujdes nga të dhembshurit, ata që nxitojnë të kritikojnë e të bëhen pjesë e dhimbjes në absurd të historisë. Ashtu si shprehja "ana tjetër e historisë", kjo lutje për "ndëshkim" të autorit zbulon një moral që bazohet në kotologji, asgjëshmëri, në larje të gojës, për hir të faktit, për faturë të kolltukut, për llogari të kohës. Kjo është ideja se kalimi i kohës çon në mënyrë të pashmangshme drejt politikës gjithnjë e më regresive, fallso, jo reale, e kotë dhe shtirëse.
Dhembshuria e pasinqertë, agresive e dukshme, e frymëzuar nga kotësia dhe kotologjia ky është një ves i përjetshëm njerëzor. Ditët e fundit është bërë e njohur me neologjizmin ‘virtyt-sinjalues’, do të thosha në gjuhën e gjyshes sime „qoftë për të mirë!?“. Dhe për t'u kthyer edhe më tej, Niçe ku shkroi në „Njerëzore, shumë njerëzore“ (1878): 'Kur shprehjet e keqardhjes e bëjnë njeriun fatkeq të vetëdijshëm për këtë epërsi, ai merr një lloj kënaqësie nga ajo, imazhi i tij për veten ringjallet.' Dhe kështu mund të kuptohet edhe reagimi i krerëve të institucioneve të pushtetit menjëherë pas grushtit. A ka sinqeritet në to? A është kjo në anën e kohës, faktit dhe realitetit?
Tani është krijuar një version i ri i frazës „në anën tjetër të historisë“. Ajo vjen nga një rrëmim gjithnjë e më të tërthortë në të shkuarën, gabimet, inskenimet dhe mjaft të ngjashme. Në një pikë të tillë të dyja kampet na informojnë padashje se njerëzit duhet të zgjidhin veten. Dhe ndërsa dhimbja shkon përtej asaj që duhet të kritikohet si krim, shfaqen kartela, shënime mentale, anashkalim nga realiteti dhe qasje meskine të grushtdërguesit me qëllim të paramenduar. Nëse kjo ndodh si mund të ekzistojë thirrja që dëgjohet nëpër dhëmbë 'Bashkohuni me shekullin e 21-të.'
Në anën tjetër është dhe një paradoks tjetër. Ai është vetvetishëm paradoksi i liberalëve 'të dhembshur', të virtytshëm, të vetëquajtur si të tillë, të cilët sillen në mënyrë çnjerëzore ndaj të tjerëve. Edhe ai është i kahershëm. Diku kam lexuar të thuhet „Nëse besoni se keni sigurinë e duhur dhe morale në anën tuaj dhe se armiqtë tuaj nuk janë thjesht budallenj, por në të vërtetë të këqij, atëherë duket se mund t'i abuzoni, ndëshkoni dhe anuloni ata me një ndërgjegje të pastër.“ Po sa është kjo e kuptueshme? Si mund të kuptohet kjo ndjenjë? A është kjo një nxitje, apo një nxitim?
Në të tre këto pyetje që dalin vetvetiu, kuptohet se përgjigja është një, sepse një nga ndjenjat më të frikshme të kohës sonë është nxitja për të 'të qenë të sjellshëm'. Kjo në vetvete fsheh dy të vërteta të pakëndshme. E para është se "klasa e kujdesshme" shpesh shqetësohet më shumë për t'u dukur mirë, sesa për të bërë mirë në të vërtetë. E dyta është se ata në grupin "të jenë të sjellshëm" shpesh nuk janë vetë shumë të sjellshëm. Ne e shohim këtë lukuni të dhembshurisë së dukshme në veprim në krizën e sotme e të gjithanshme të fenomenit integrues, edhe pse fasada e Këshillit të Europës zbriti, në të njëjtën ditë me një protestë të lirë e demokratike në Tiranë, në të njëjtën kohë kur ajo duartrokitej dhe grushtshtrëngohej ishte dhe goditja e grushtit ndaj Liderit të Opozitës në detyrë e sipër, në të drejtën e tij të përcaktuar me ligjin demokratik. Grushtdërguesi i parapërgatitur, për përdorimin e këtij krimi të shëmtuar, është dënuar ashpër si një person me të meta mendore. U nxitua deklarata shëndetësore, a ku di unë dhe sipas gjasave u thanë shumë fjalë në ekrane e në prani të kamerave e mikrofonëve, apo dhe në rrjetet sociale, e kjo ishte padyshim thjesht një zgjedhje fjalësh të dykahshme, jo e mençur dhe nxitëse. Por të paktën Kryetari i PD-së, dhe tërë Opozita, kanë shprehur hapur shqetësimin për këtë qeverisje, për këtë fasadë qeveritare, dhe për një çështje si korrupsioni e largimi i të rrinjve nga vendi, për të cilën shumë votues janë jashtëzakonisht të shqetësuar. Në të kundërt, shumica e klasës politike hezitojnë të flasin për këto probleme, nga frika se mos duken të pamëshirshëm me ata që i vunë nëpër lista dhe preferojnë të marrin rrogën e të heshtin.
Kjo do të thotë që shumë të votuar, shumë të tillë nëpër zyra e të lidhur me zyrat, apo dhe të tjerë në kahje të tilla e jo të tilla, përdorin pandershmëri të plotë. Në një situatë të tillë zërat u shtuan javën e kaluar, për shembull, për prishjen e një resorti, që sipas fakteve qëndronte i ligjshëm deri në momentin kur mbi të u vendos dinamiti shtetëror. Zërat u bënë bashkë dhe lidhja e tyre ishte me fjalën e lirë, pasi prona i takonte një grupi që ka në veprimtarinë e vetë disa media të shkruara, online dhe vizive. E gjitha ishte në fakt një dhimbje, ndërsa pluhuri shkrumbonte me forcën e dinamitit një objekt, që kishte të gjithë faturën e ligjit për të mos ndodhur kështu. Kjo injoron, anashkalon ose kundërshton qartë faktin se shumë nga problemet aktuale nuk mund të mbyllen me forcën e dhëmbëve të fadromave të shtetit në një objekt, që tashmë u konsiderua ndryshe nga të dy anët. Shumë janë objektet që marrin lejen nga zyrat për një mur e më pas bëhen pallate dhe biznese në qendra urbane, e këtu nuk ka fadroma, nuk ka paligjshmëri. Kjo paaftësi për t'u përballur me të vërtetën për këta fatura dhëmbësh me fadromën e shtetit është simptomatike e të njëjtit ngurrim për t'u parë si i padobishëm në vendin tënd, me një shtet që fshihet pas heshtjes mbi bandat e kujdesit në zyra e jashtë tyre. Në të dyja rastet, imperativi për t'u dukur i kujdesshëm i tejkalon të gjitha.
Mentaliteti 'të jesh i sjellshëm' është gjithashtu shpesh hipokrit. Kjo u demonstrua gjerësisht para disa ditësh kur një ekspert i sigurisë foli që „grushti ndaj Sali Berishës mund të jetë edhe një skenar nga vendet jo-mike“. Për vite me radhë kemi ndjekur skenarë të tillë, kur në zyrat e njerëzve që punojnë për sigurinë, sekretin shtetëror e të informimit taksapaguesit shtrydhin miliona vit për vit. Asgjë nuk është zbuluar prej tyre, por të gjitha kanë ardhur në veshë e janë zhdukur si „Dosja e zezë“, e përfolur në shumë raste. Ai theksoi me padurim 'skenarin e mundshëm' të vendeve jo-mike (vetë mishërimi i gjetjes së padukshme). Por, siç u ekspozua me dhimbje në media gjerë e gjatë, dhimbja për agresorin është deri tek letra e përshpejtuar e sëmundjes mendore të grushtpërdorësit. Eksperti i dhembshur i sigurisë është i lumtur të qëndrojë në aktivizëm për të forcuar imazhin e tij publik, por nuk pranon të përballojë çdo kosto morale, politike, sigurie e më gjerë materiale, që shkon qoftë edhe nga një qëndrim i tillë.
Pastaj është paradoksi 'i këndshëm por i keq' që vjen në rrjesht në komente, shkrime e padukshmëri autoriale në rrjetet sociale. Shpesh janë ata të së majtës agresive, duke u hijeshuar dhe nga ata të së majtës liberale të dukshme që janë më abuzuesit, sigurisht në mediat sociale. Në të gjithë këtë dhe atë që nuk është thënë këtu është gatishmëria e njerëzve me të meta të thella për të qenë në mënyrë mashtruese të pamëshirshëm ndaj të tjerëve, ndërsa sillen sikur ata janë aktorë të pathyeshëm dhe të ndershëm të moralit pa moral të shoqërisë së sotme. Ata provojnë se ende janë dhe jetojnë me mentalitetin e frikshëm.
Rasim Ahmati
Professor,e lexova me shum vemendje, nje pershkrim dinjitoz I situates aktuale te politikes se ketije regjimi I pasuar nga eterit e tyre, qe po e trashigojne pike per pike nxitjen e percarjes dhe urrejtjes mes shqipetarve “percaje e sundo” kur ata as nuk e cilesojne dr berishen si ish kryeminister e ish president dhe as lider te opozites kjo ka nje domethenje se keta u thone se ithtarve te tyre, se ne jemi dhe vetem ne e ska tjeter, Urimet me te sinqerta per ju zotni professor doktor Fatmir TERZIU te paqim dhe shum dekada te tjera Respekte dhe mirenjohje te thelle per ju professor
Artur Shemaj
Te pergezoj prof Fatmiri per shkrimin ,eshte nje prej atyre esseve qe ju dini t'i beni ne menyren me brilante te mundshme,per nga qasja dhe analiza dhe mesazhi qe perçon , Te lumt pena .. Shendet e suksse uroj per ju ne krijmtarine tuaj letrare qofte ne poezi edhe ne prozen e gjate romanore Resepekte