Emisioni “Koha për t’u zgjuar” ka kuptim të dyfishtë...


GJOKË DABAJ

KOHË PËR T’U ZGJUAR APO KOHË PËR KLLAPI*?!

Emisioni “Koha për t’u zgjuar” ka kuptim të dyfishtë:

1. Është mëngjesi, kur njerëzit duhet të zgjohen dhe të fillojnë punët e ditës.

2. Është koha, periudha, epoka, kur populli duhet të zgjohet (nëse është në gjumë) dhe të qartësohet, në mënyrë që jeta e tij, në këtë rast jeta e popullit tonë, të mos jetë një ravgim nëpër ëndrra, një bredhje e verbër, duke mos ditur as nga po vjen, as ku po shkon.

Ky është qëllimi fisnik i këtij emisioni. Por, le t’ia bëjmë një analizë më të thelluar! Le të shohim mjetin dhe mënyrën që po përdor ky emision për ta zgjuar popullin dhe rezultatet që i ka arritur në kaq vite transmetim! Aq më tepër, kur të njëjtin shabllon pune ka kohë që po e praktikojnë disa nga televizionet tanë, këtu në Tiranë dhe jo vetëm në Tiranë.

Etapa e parë e këtij emisioni (ose e këtyre emisioneve) është leximi i titujvet në faqet e para të gazetavet.

Shikuesit (dëgjuesit), doemos duhet t’i shkojë mendja te përmbajtja, te lënda që këto gazeta i ofrojnë popullit të vet. Cila është tematika e gazetavet të sotme të Tiranës?!

Për mua, si shqiptar që e konceptoj Shqipërinë siç na e pat prurë historibërja deri në Epokën e Rilindjes dhe deri te Shpallja e Pavarësisë, gazetat e Tiranës janë gazeta thjeshtë lokale. Duke lexuar titujt e atyre gazetave, “Koha për t’u zgjuar” nuk bën tjetër, veçse i vë në gjumë mendjet e shqiptarëvet. Sigurisht, jo krejtësisht për faj të sajin, por për fajin e vetë mjetit (kambanës) që ai emision e përdor për t’i zgjuar shqiptarët.

Për çfarë u flasin shqiptarëvet gazetat e Tiranës?! Po i marr çështjet me radhë, duke e ditur që, në fund të këtij shkrimi, do të mbeten edhe shumë gjëra të tjera pa u thënë.

Gazetat e Tiranës, që na lexohen çdo mëngjes te “Koha për t’u zgjuar”, a u flasin shqiptarëvet për krejt Shqipërisë, apo vetëm për një pjesë të Shqipërisë?! Madje, a u flasin për krejt Republikën e Shqipërisë, apo kryesisht për Tiranën?!

Le t’i marrim një për një të gjitha gazetat e Tiranës, të cilat na i ka prezantuar rregullisht “Koha për t’u zgjuar”! Sa njoftime ka aty për Republikën e Kosovës, për shqiptarët që janë pjesë e Republikës së Maqedonisë Veriore, për shqiptarët që janë në pjesën e Shqipërisë Jugore që e ka pushtuar Greqia qysh në gjysmën e parë të shekullit XX, për shqiptarët jashtë Republikës së Kosovës që kanë mbetur nën sundimin sërb dhe për shqiptarët që rrethanat historike dhe dobësia jonë i kanë lënë nën sundimin malazias?!

Tirana konsiderohet, me të drejtë, Metropoli i Shqipërisë dhe i Shqiptarëvet. Është edhe Prishtina kryeqendër e njërit prej shtetevet shqiptarë, por ajo kurrsesi nuk mund ta ketë dhe as në të ardhshmen nuk do ta ketë rolin e metropolit tonë gjithkombëtar. (Një rol të tillë, në rrethana më fatlume, ndoshta në të arshmen do të mund ta merrte Prizreni.)

Ku duket ky rrol i Tiranës në shtypin që na e lexon ditë për ditë “Koha për t’u zgjuar”?

Sa njoftime në ditë, në javë apo në muaj, botojnë këto gazeta, me përmbajtje nga jeta e shqiptarëvet që jetojnë në Republikën e Turqisë? Në Republikën e Turqisë jetojnë më shumë shqiptarë se në të dyja republikat shqiptare. Sa shkrime në ditë, në javë apo në muaj, nxjerr shtypi i metropolit të shqiptarëvet lidhur me jetën e asaj mase të madhe, të cilët, afërmendsh, kanë nevojë për t’u zgjuar më shumë se shqiptarët e Tiranës? Kambana për t’u zgjuar shqiptarët, duhet të bjerë në qendër! Në mos rëntë kurrfarë kambane në qendër, nuk mund të presim që kombi ynë të zgjohet ndonjëherë për së mbari, siç është për t’u zgjuar.

Sa njoftime në ditë, në javë, në muaj, nxjerr shtypi i metropolit shqiptar lidhur me jetën e asaj mase shqiptarësh që jetojnë në Republikën e Greqisë? Masë shqiptarësh që jetojnë në pjesët e Shqipërisë të pushtuar prej Greqisë qysh në gjysmën e parë shekullit XX, masë shqiptarësh që kanë shkuar në Republikën e Greqisë mbas vitit 1990, një pjesë e të cilëvet janë efektivë edhe të ushtrisë greke, masë mijërabanorëshe që quhen arvanitë, të cilët janë ndër krijuesit edhe të historisë së shtetit grek.

Dua të them, kjo “kohë për t’u zgjuar”, a ka të bëjë vetëm me tiranasit dhe me ne që jetojmë këtu në Shijak, apo ka ndonjë kuptim më të gjërë?! Sepse po dëgjojmë çdo mëngjes: “Koha për t’u zgjuar!”, “Koha për t’u zgjuar!” Për ç’lloj zgjimi po bëhet fjalë?!

Sa njoftime, në ditë, në javë, në muaj, po u sjell kjo “kambanë zgjimi” shqiptarëvet që jetojnë në SHBA, në Australi, në Mbretërinë e Bashkuar, në Gjermani, në Francë, në Itali, në Zvicër, në Suedi, në Norvegji, në Spanjë, në Austri, në Kroaci, në Slloveni, në Bosnjë e Hercegovinë?! Në mos më shumë, të paktën ta dimë sa shqiptarë jetojnë nëpër këta vende, ç’lloj punësh bëjnë, a ka midis tyre të papunë, si i shkollojnë fëmijët, sa është kontributi i tyre financiar e kulturor në 6 pjesët e Shqipërisë. Jo vetëm në 6 pjesët e Shqipërisë, shpërndarë në 6 shtete, por edhe në Republikën e Turqisë, edhe në ata vise të Republikës së Greqisë, ku shqiptarët janë imigrantë, të hershëm apo të vonë.

Nëse është vërtet koha për t’u zgjuar dhe jo koha për të mos u zgjuar, me këso temash do të duhej të merrej shtypi ynë qendror? Nuk po them të gjitha gazetat e Tiranës, por të paktën disa prej tyre dhe atëherë vetëm ato të lexoheshin te emisioni “Koha për t’u zgjuar”.

Sa është kontributi ekonomik, kulturor e politik i shqiptarëvet në vendet ku ata jetojnë?! Kur është më efektiv dhe më i dukshëm kontributi i tyre, atëherë kur ata i harrojnë gjuhën dhe përkatësinë e vet kombëtare, apo atëherë kur ata e ruajnë identitetin e vet? Sigurisht, këto nuk janë punë të lehta për një gazetari, por, nëse nuk i kryejnë dot, të mos nxirren te “Koha për t’u zgjuar”!

Një fushë shumë e domosdoshme për t’u trajtuar në gazetat tona të qendrës, dmth gazetat e Tiranës-kryeqytet, është edhe pasqyrimi statistikor i dukurivet që, jo vetëm do ta zgjonin shqiptarin prej gjumit, por do ta linin pa gjumë, deri sa, bashkërisht, të gjendej një zgjidhje.

Sa fëmijë shqiptarë nuk shkollohen as minimalisht në gjuhën shqipe?! Sa vajza shqiptare kanë mbetur pa u martuar, brenda atdheut, dmth brenda 6 shtetevet ku shtrihen territoret e Shqipërisë dhe jashtë atdheut? Sa pleq e plaka shqiptare kanë mbetur pa kujdesin e bijvet e bijavet të veta dhe janë të detyruar ta ngrysin jetën të vetmuar?!

Sa toka po mbeten djerrë në krejt Shqipërinë, dmth në 6 shtetet ku shtrihen territoret e Shqipërisë dhe pse po ndodh kështu?! Shqiptarët që po e mjellin tokën dhe po vjelin prodhime, pse nuk po mund t’i shesin prodhimet e tyre as brenda, as jashtë atdheut, por po konkurohen prej të huajvet?!

Sa është numri i shqiptarëvet të burgosur jashtë atdheut dhe sa është numri i shqiptarëvet të burgosur brenda atdheut?! Vetëkuptohet, përfshirë këtu jo vetëm Republikën e Shqipërisë, por krejt Shqipërinë. Këto pasqyra statistikore, shtypi ynë qendror kombëtar do të duhej t’i trajtonte të paktën periodikisht, për shembull njëherë në vit, në mënyrë që të shihet: Jemi zgjuar ndopak dhe sa jemi zgjuar, si komb?! Këto shifra shqiptarësh të kapur, dënuar e burgosur, të krahasohen (me raste dhe proporcionalisht) edhe me numrin e të burgosurvet shqiptarë në kohën e sundimit të Ahmet Zogut 1925-1939, në kohën e sundimit të Enver Hoxhës në vitet 1944-1985, si dhe në dy apo në tri kohët e sundimit të sllavëvet dhe grekëvet në ato pjesë të Shqipërisë që i kishin, apo që i mbajnë ende të pushtuara sllavët edhe grekët.

Dihet që këto janë tema të cilat u takojnë studiuesvet të ndryshëm. Por, kur shohim që gazetat tona të Tiranës botojnë me dhjetëra faqe listash emërore të personavet që u “shtohen” pensionet apo të personavet që u kompensohen pronat, s’ka pse të themi që këto statistika nuk u takojnë gazetavet.

Mund të thotë dikush që shtypi i Tiranës merret me ato tema që i interesojnë lexuesit të sotëm të Tiranës. (Për shembull, duke botuar çdo ditë në çdo faqe të parë nga një femër gjysmë lakuriq.) Nëse është vërtet kështu, nëse vërtet lexuesit të Tiranës nuk i interesojnë informacionet që lidhen me krejt kombin, atëherë le të mos quhet Tirana kryeqytet shqiptar. Le të quhet kryeqendër e njërës nga provincat e Shqipërisë dhe, kur të thuhet “koha për t’u zgjuar”, të shtohet aty dhe të theksohet: “për tiranasit dhe për shqiptarët që jetojnë rrotull Tiranës”! Le të zgjohen pensionistët e Tiranës! Le të zgjohen ata tiranas, të cilëvet u është kthyer apo rirrëmbyer prona Te Vorri i Bamit! Le të zgjohen dhe le të marrin vesh: tiranasit, durrësakët, shkodranët, fierakët dhe vlonjatët, sa djem vranë njëri-tjetrin dhe sa të tjerë iu sakatuan nëpër aksidentet rrugorë, brenda ditës apo brenda javës! Dhe me kaq, të marrim çantat e të nisemi për punë, shekullisht jo të zgjuar, por të trullosur!

Si është e mundur të konceptohen kështu detyrat e një gazetarie, veçanërisht asaj qendrore?! Si është e mundur të ngushtohet kaq kretenisht diapazoni publicistik i një kryeqyteti të një kombi, të cilit i kanë mbetur kaq shumë punë pa i kryer?!

Mua më vjen keq, por jam i detyruar ta them: Asnjë gazetar i sotëm shqiptar nuk e përdor ashtu si duhet emrin Shqipëri! Në vend të shprehjes Republika e Shqipërisë, ata përdorin abuzivisht emrin Shqipëri dhe as që u shkon mendja se në këtë mënyrë i kanë mohuar dy të tretat e Shqipërisë!

Për çfarë zgjimi po u flet Bashkim Hoxha mëngjes për mëngjes shqiptarëvet, kur gazetarët, pjesa më e informuar e kombit, për 30 vjet nuk kanë mësuar të dallojnë konceptin shtet prej konceptit atdhe?!

* * *

Pjesa e dytë e emisionit “Koha për t’u zgjuar” është ajo e bashkëbisedimit me shikuesit (dëgjuesit). Ajo është aq e parezultatshme, sa, drejtuesi i emisionit, çdo mëngjes, në çdo tridhjetë minuta, detyrohet të thotë mbi 20 herë “Ule zërin e televizorit. Do të mjaftonte vetëm kjo, për të kuptuar, sa dhe si po arrijmë t’i zgjojmë, veten tonë dhe popullin tonë, në këtë kohë, qëllimisht ose jo qëllimisht, gjumënxitëse.

*kllapi: Gjendja e një njeriu që e ka humbur vetëdijen.

41 views0 comments

Shkrimet e fundit