top of page

Emine S. HOTI: E vërteta, mikesha e rrallë


 

 

Disa poezi nga vëllimi im i ri poetik, i cili pritet të dalë së shpejti.

 

 

E vërteta, mikesha e rrallë

 

E vërteta s’bëhet gënjeshtër,

çfarëdo erë e furtunë të fryjë,

ajo qëndron, ka rrënjët thellë,

edhe kur mbulohet, është aty.

 

Mos e humb o njeri të vërtetën,

atë s`ka asnjë forcë që ta ndalë,

mos lejo askënd ta shkelmojë,

është mikesha jote e rrallë!

 

 

Femrat shqiptare

 

Dikur thoshin pareshtur:

burri odën hijeshon,

gruaja hijeshon oborrin,

aty ishte kufiri i gruas sonë.

 

Por çfarë do të na thonë,

kur gruaja shfaq zotësi madhështore,

kur gruaja është e barabartë me burrin,

kur hijeshon qytetin, shtetin, botën njerëzore?

 

Paragjykimet na mbanin në hije,

ne femrat energjike të  vendit tonë,

sot ne nxitim e frymëzojmë zhvillimet,

siç po frymëzon botën Shën Tereza jonë!

 

 

Pa atë unë s`mund të roj

 

Poezia në mendjen time

s`ka të ndalur, si burim vërshon,

kur ndodh që s`ia hap dritaren,

ajo brenda meje gjëmon.

 

Fort shtrëngoj lapsin,

pareshtur, shkruaj e punoj,

nëse një çast nuk shkruaj,

ajo bëhet zog, tej do që të fluturojë.

 

Do ta mbaj pranë, s`do ta braktis,

le të më lodh, le të më dëshpëroj,

le të më hidhëroj, le të më trishtoj,

është zemra ime, pa atë s`mund të roj.

 

 

Mërgimtar

 

Ne mërgimtarët,

kemi fluturuar si zogj shtegtarë,

në vende të ndryshme të globit,

atdheun me vete kemi marrë.

 

Ikëm larg nga gjenocidi i Serbisë,

shumë gjak u derdh për pavarësi,

shumë u integruan, shumë u flijuan,

e paguam me çmim të lartë këtë liri.

 

Atdheun e kemi përherë si një  diell,

më të shtrenjtë se veten atë e kemi,

e kemi në shpirt, e kemi në zemër,

në çdo grimcë t ‘gjakut tonë do ta gjeni.


1 comentário


Convidado:
4 days ago

Urime çika e Drenicës., Temat e poezive gjetur e zdhedhur me shumë kujdes. Kumti i tyre duhet dëgjuar sidomos nga të rinjtë.

Miqësisht dhe Mirënioje!

Kadriu

Durrës

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page