top of page

EMIGRANTËT


Hasan Kostreci

Tregim

Torvoianicca ishte një qytet i vogël dhe i bukur turistik në perëndim të Italisë dhe buzë Detit Tiren, ku si dhe shumë emigrantë të ardhur nga ish vëndet komuniste të lindjes si polakë, rusë, bullgarë, por edhe shqiptarë, u stabilozova përkohësisht edhe unë me gjithë familjen aty. Patëm aplikuar për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prisnim të na njoftonin për datën e nisjes. Ishte fund Dhjetori i nëntëdhjetës.Viti i Ri po afrohej dhe qe hera e parë që do e festonim larg Atëdheut, Shqipërisë. Aty, u miqsova, pothuajse, me të gjithë shqiptarët, por më shumë me njërin, sepse m’u duk natyrë serioze, i qetë dhe fjalëpak. Andrea e quanin dhe ishte nga Fieri, por u bëra kurioz, sepse ai shoqërohej gjithashtu edhe me një rus dhe kur një ditë qenë ulur të dy përjashta dhe po këndonin këngën e preferuar edhe nga unë, Oçin Çiorrnoja, iu afrova dhe po i dëgjoja. - Hajde – më ftoi Andrea dhe u ngritën më këmbë – të prezantoj me Dimitrin. Është nga Moska dhe ka aplikuar edhe ky për të shkuar në Amerikë, I dhamë dorën njëri tjetrit dhe u ula edhe unë pranë tyre. Ai ishte një burrë rreth të dyzetave, i gjatë, flokë biond dhe të përziera me thinja. - Po si komunikoni bashkë? – u bëra unë kurioz. - E flas edhe unë pak rusishten, sepse kam qënë atje nja dy vjet – m’u përgjigj ai - studioja për kanto, por s’arrita t’a përfundoj, sepse ma ndërprenë bursën dhe më kthyen në Shqipëri. - Do jesh ngatërruar, ndofta, me ndonjë vajzë, që të ka hapur probleme – qesha unë, meqënëse edhe në këtë moshë, ai dukej që ishte pak çapkën dhe i hedhur. - Për gjëra ordinere ata nuk para pyesnin dhe shumë, por kur të fusnin në kallëpe të tjera, gjeje belanë jo vetëm ti, por e gjithë familja – shtoi, por nga që e pashë se nuk kishte dëshirë ta vazhdonim më atë temë, nuk e ngacmova. - Është intelektual – vazhdoi të fliste Andrea për të – ka mbaruar konservatorin dhe siç më thotë, luan bukur në violinë, por meqënëse edhe unë e di fizarmonikën, diskutojmë shpesh me njëri tjetrin jo vetëm për muzikën, por dhe për artin në përgjithësi. - Do jetë nga familje me prejardhje komuniste – i thashë. - Jo more, sepse ka lindur në Siberi – m’u përgjigj Andrea - ku familjarisht ishin të internuar dhe u liruan vetëm kur vdiq Stalini dhe në pushtet erdhi Hrushovi. Pikërisht në këtë kohë përfundoi edhe studimet, por me ardhjen në fuqi të Bulganinit, e heqin nga qyteti dhe e degëdisin si mësues të thjeshtë në një fshat në veri të Rusisë dhe në kufi me Finlandën. Nga radio e një lokali pranë nesh, u dëgjua që po interpretonte Pavarotin, prandaj për një moment e ndërpremë bisedën dhe po e dëgjonim. - Kurse unë e pësova nga im atë – nisi Andrea të rrëfejë këtë herë për jetën e vet - si inxhinier që ishte e përzjenë me “grupin sabotator” të naftës në Fier dhe e arrestuan. Besoj se je në dijeni për atë ngjarje. Apo jo? – më pyeti – Sigurisht – iu përgjigja. - Dhe mua me këtë rast më prunë menjëherë në Shqipëri dhe përfundova puntor në N. Sh. N. e Fierit. S’kaloi shumë kohë dhe zyra e emigracionit nisi të njoftojë dhe sipas destinacionit dhe grupe grupe filloi edhe depërtimi yne, por koinçidoi që udhëtimin për në New York ta bënim sëbashku me Andrean dhe familjen e tij në të njëjtën ditë dhe me të njëjtin avion dhe mbasi shkëmbyem vëndet me gratë, u ulëm pranë dhe ia nisëm përsëri bisedës. - Po ti me se je marë në Shqipëri? – më pyeti ai. - Per nje periudhe, si mësues në fshatrat e rrethit të Gramshit, ndërsa njëzet vitet e tjera dhe deri në nëntëdhjetën, kur ika, kam punuar si mekanik makinash – iu përgjigja dhe i tregova duart dhe gishtërijtë të bërë me kallo. - Sikur më the që i bije pak kitarrës, po me këto gishta, ti kap dy tela njëherësh – qeshi ai dhe nga që në atë kohë lejohej cigarja, kaluam në fund të avionit dhe e ndezëm. Në aeroportin J.F Kenedi në New York, kur zbritëm, u hutuam aq shumë, sa u shkëputëm pa dashur me njëri tjetrin dhe nuk u pamë më. Atë e morën njerëzit e vet dhe ikën, kurse mua disa të afërm të s’ime shoqe. Kaluan kështu mjaft vite, Unë vazhdoja punën dhe si zakonisht shkoja çdo ditë me trenin “E”, në Manhhatan e pikërisht në Lexington Avenue, por New Yorku, siç dihet, është një qytet gjigand, ku ka mjaft gjallëri jo vetëm mbi tokë, por edhe nën tokë. Trenat shkojnë e vijnë njëri pas tjetrit dhe në njëzet e katër orë qarkullojnë katër miljon e më shumë njerëz. Platformat në të dyja anët janë, pothuajse, gjatë gjithë kohës të mbushura plot, por atë mbas dite, meqënëse ishte edhe prag feste, sepse mbyllej 2007, dhe do niste Viti i Ri, lëvizja e njerëzve, qe akoma edhe më e madhe, por midis zhurrmës dhe fishkëllimës së trenave, veshi papritmas më kapi edhe disa tinguj të bukur muzikorë dhe meqënëse koncerte aty jepeshin, pothuajse përherë, u afrova që t’i dëgjoja. Çava grumbullin e njerëzve dhe kur dola në krye, u përballa me një burrë të moshuar që i binte violinës, ndersa një tjetër pranë tij me fizarmonikë e shoqëronte. Dukeshin të lodhur, por edhe të egzaltuar prej publikut të shumtë që i kishin rrethuar dhe kur nisën që të luajnë një polka, ambienti u gjallërua dhe njerzit përreth po i shoqëronin duke përplasur, sipas ritmit, shuplakat. I lanë për një moment veglat që të pushonin, por kur ngritën kokën, dallova se ata ishin dy miqtë e mij, Andrea dhe Dimitri, me të cilët isha njohur gati shtambëdhjet vjet përpara në Itali. - Ti këtu? – më thanë ata, kur më njohën dhe u përqafuam. - Dimitri kishte dëshirë që të jepnim një koncert sëbashku këtu në metronë e New Yorkut dhe ja ku iu plotësua – më tha Andrea. - Sa mirë, por qënkeni vërtet virtuozë – u thashë. - Koncertin e fundit e kam dhënë para shumë vitesh, ose dekadash më mirë, në “Balshoi Teatër” në Moskë, por edhe ky këtu para publikut të New Yorkut më ka emocionuar po aq shumë – tha Dimitri në anglisht, por me një aksent të dukshëm rusishteje. -Është fatkeqësi që mjaft elementë të talentuar nga ish vëndet komuniste të lindjes s’kanë mundur që ta gjejnë dot veten – shtoi Andrea. - Sepse fajin e kanë qeveritë tona, të cilat ndërtonin vetëm rraketa apo bunkere dhe popullin e tyre e lanë në skamje e në varfëri dhe kjo qe edhe arsyeja që ikëm e morëm rrugët e botës – u thashë – por megjithatë gëzohem që jeni mirë, të urojmë “Gëzuar Vitin e Ri” dhe e lemë që të takoheshim përsëri një ditë tjetër. Emigrantët, pavarësisht kombësisë, po mendoja mbasi u ndamë, i lidh një diçka e përbashkët, që është “Mungesa e Atdheut”….

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page