Dy shpalime* për Zotin dhe dashurinë!
“Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde”
(Shën Tereza).
Të shkruash për një njeri, me përmasë të pakufishme dashurie, për/ndaj njeriut, si Shenjtore Tereza, është misioni më i vështirë për çdo shkrues të çdo lëmie, pavarësisht vendit, kohës gjuhës apo besimit, nuk na duhet të shpikim ndonjë “gjuhë tjetër”, përpos gjuhës së zemrës, arsyes së dashurisë, mirësisë apo si kumt i Epërm i Hyjit, “E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” (A. N. Berisha, ndoshta studimi më i plotë, për Nënë Terezën), se ajo ishte më shumë se njeri dhe më shumë se një shenjtore, ajo ishte një Hyjni Tokësore. T’i qasesh afër figures së saj, duhet të përcaktosh dy linja:
a). linja tokësore
Kjo linjë shpalon përvuejtninë e mëshirës të pafundme, të tejskajshme, që përmjes poezisë së njohur nga e gjithë bota, “Jetoje jetën”, një poezi mesazhdhënie, që përplotnon enzimën e tharmit të shpirtit më human të botës. Ajo ishte më e thjeshta e të thjeshtëve. Një tokësore, që “puthi” çdo dhimbje, që përqafoj çdo trishtim, që mëkoj çdo lot me shpresë, që preku çdo trup lebroz, që prehëroj çdo jetim të flakur nga mjerimi, që ndihmoj çdo të varfër, mes të varfërve, ndaj ajo poezi/mesazh, që himnizon jetën, aq e madhëron Shenjtëreshën tokësore, si një motiv, për cdo kalimtar, lakmitar, harrestar, nevojëtar, humbës, refuzues, mohues, mallkues, urryes, shpëtimtar, apo vdekatar.
Jeta është mundësi, përfito nga ajo.
Jeta është e bukur,adhuroje.
Jeta është ëndërr, jetoje.
Jeta është sfide, perballu me te.
Jeta është loje, luaje.
Jeta është detyre, plotesoje.
Jeta është e shtrenjte, vleresoje.
Jeta është pasuri, ruaje.
Jeta është dashuri, shijoje.
Jeta është mister, zbuloje.
Jeta është dhimbje, sfidoje.
Jeta është këngë, këndoje.
Jeta është tragjedi, shmangiu.
Jeta është fat, përfito.
Jeta është aventurë, kujdes.
Jeta është shumë e çmuar, duaje.
Jeta është luftë, mesohu dhe me të.
Jeta është jetë, lufto për të…”
Kjo poezi, me fjalëçelësa si këshilla për jetën, por të strukturuar [në formë 9/10/11 rrokësh], ku togfjalëshi kryshenjor (emër/jeta + folja/është] si anaforë, kanë krijuar folje me rrokje fundore tingëlluese, në të gjitha llojet e foljeve kalimtyre/jokalimtare/veprore etj., të diatezës veprore me [mbaresat-je], pra folje që kanë forcë vepruese, lëvizëse kundrejt jetës, njeriut, dashurisë. “Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe”, ka thënë Shën Tereza. Në poezinë tjetër, “Jep çka ke me të mirë…” ku shenjtorja e nis me njeriun, me vargun: njeriu është i paarsyeshëm, i palogjikshëm, egoist/ nuk ka rëndësi, duaje, duke zbërthyer thelbin e shpirtit të kalbur të “njeriut”, ndërmjet dy mbiemrave dhe një emri, por pjesëza [s’] me apostrof zëvendëson pjezësën mohuese [nuk] me foljen ndihmëse [kam/v.III, nj.], që del si anaforë. Jo qëllimisht, shenjtorja ka ndërtuar një poezi në formë këshillash për njerëzit, po bëre mirë, do të të veshin qëllime dytësore egoiste/s’ka rëndësi, bëj mirë, sepse njeriu si natyrë egoiste është i prirur për të rritur në çdo kusht, mirëqenien, pasurinë, pushtetin, lumturinë, po realizove objektivat e tua, do të gjesh miq të rremë dhe armiq të vërtetë/s’ka rëndësi, realizoji., duke shijuar çdo mirësi të kësaj jete, përmes “shijeve” materiale, ama do të shtohen “miqtë e rremë” dhe armiqtë e vërtetë, e mira që bën do të harrohet nesër s’ka rëndësi, bëj mirë, sepse gjithmonë e mira nuk shpërblehet, por kur ke një ideal, qëllim të lartë, zgjidh të jetosh mes baltës dhe pluhurit, mes varfërisë dhe sëmundjeve, zgjidh të lodhesh, të rraskapitesh, zgjidh fatkeqësitë dhe vdekjen, zgjidh të shkosh drejt Përkryrjes njerëzore, ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të lëndueshëm/s’ka rëndësi, ji i sinqertë dhe i ndershëm., se njeriu me veset e tij, nuk mund të jetë kurrë tërësisht i “ndershëm” as më pak i sinqertë dhe pse hiqet si i tillë, sepse është një qenie morale e “thyeshme” që anon nga vesi, pabesia, babëzia, imoraliteti, dëshirat epshore, pamëshira, vjedhja, mashtrimi, materialiteti, se duhej dikush, - thotë Shën Tereza në letrën drejtuar kryepeshkopit Périer, të dërgonte mëshirën dhe “Krishtin në “vrimat” e palumtura të lagjeve të varfra të Kalkutës” se , ajo që për vite ke ndërtuar mund në një çast të prishet/s’ka rëndësi, ndërto, se të ndërtosh ura ku të kalojë dashuria njerëzore, të mbledhësh gurët që hidhen ndaj njeriut të ndërtosh, shtëpi për të pastrehët, për të varfërit mes të varfërve, mjeranëve, lypsarëve, lebrozëve, jetimëve, të sëmurëve, nuk ka rëndësi nëse prishet apo jo, vetëm ndërto, ura, udhë, shtëpi, ndërto një botë më të mirë, pa luftra, pa frikë, pa sëmundje për Njeriun.
Nëse ndihmon njerëzit, do të lodhesh/s’ka rëndësi, ndihmoji/Jepi botës çka ke më të mirë, e do të zënë me shqelma/s’ka rëndesi, jep… çka ke më të mirë., dystrofëshi i fundit nxjerr nga skutat, sepse shenjtorja e errësirës, në planin shëlbyes të Krishtit me indentifikimin me të varfërit, si një narrativë sublime të identitetit edhe nga origjina etnike e saj, aq përunjëse sa dhe përvuajtëse me shtresën më vulgare, atë që njeriut të ashtëquajtur modern, i quan “qenien të ndyra”, apo “të pështira”, apo “kashfë mjerane”. Thënia e saj, “të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, tregon me pozitivitetin e saj, shpirtin e çlirët, ajo kishte edhe një shpirt poetic. Këto poezi-lutje apo poezi-këshilla , jo vetëm që kanë në thelb artin, por burojnë vetishëm, në formë lutjesh, për paqen, për dashurinë, pa rënë në prozaizëm të pështirë, si një kult i dashurisë, bashkë me filozofinë e saj të thjeshtë: dashuria si veprim!
Ajo tokësorja shpërndau mëshirën Hyjnore duke:
- duke përkrahur të dobëtit,
- përmes mëshirës dhe shpresës,
- duke mbrojtur të braktisurit,
- përmes lutjes dhe dashurisë.
b). linja Hyjnore
Në këtë linjë është pjesa më sublime, ajo që vetë ka shprehur se ishte vetëm “Shërbëtorja vullnetare e vullnesës së Zotit”, pasi shumë prej atyre që e njohën nga afër, e kanë cilësuar si: “Ungjilli i gjallë ”, si një grua e varfër, që i lutet Zoit t’i mbushë shpirtin me dashurinë për dritën e Hyjit dhe njesimin me TË, përmasa e saj Hyjnore, shkëlqente me dritën që shenjtëroj veten dhe botën, me dashurinë e pafund, që vetëm një shenjtore mund të dhurojë. Në poezinë tjetër, “Mos jeto kurrë pa jetë!”, do ta quaja poezi, sepse ka ndërtim vargor, se është ndërtuar në formë pyetjesh me pikëpyetje dhe fjalë ose fjali të thjeshta si përgjigje, është një dialog, në formë vetërrëfimi që pyet dhe përgjigjet po vetë, me karakteristika të prozës, por një prozë në vargje. Dita më e bukur? Sot./Pengesa më e madhe? Frika./Gjëja më e lehtë? Të gabosh./Gabimi më i madh? Të heqësh dorë./Rrënja e çdo të keqeje?/ Egoizmi./ Mëndjeheqja më e mirë? Puna./Humbja më e madhe? Mospasja e kurajës./Profesionistët më të mirë? Fëmijët./Nevoja e parë? Komunikimi nëpërmjet këshillave si Lartësi Supreme, ndaj së keqes, egoizmit, cmirës, indiferencës, zilisë, frikës, gabimit, humbjes, moskurajos, dorëheqjes, shpresëhumjes. Komunkimi, e para është fjala, - thotë Bibla, se fjala “vret më shumëse plumbi”, - thotë populli. Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët./Misteri më i madh? Vdekja./E meta më e keqe? Të qenit pa humor./Personi më i rrezikshëm? Ai që gënjen.
Ndjenja më e shëmtuar? Mëria./Dhurata më e bukur? Falja./Ajo më e paçmuara? Familja.
Drejtimi më i mirë? Rruga e duhur./Sensacioni më i kënaqshëm? Paqja e brendshme.
Pritja më e mirë? Buzëqeshja./Ilaçi më i mirë? Optimizmi./Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer./Forca më e madhe? Besimi./Personat më të nevojshëm? Shërbyesit e Zotit (priftërinjtë etj)./Gjëja më e bukur në botë? Dashuria. Dobinë për të tjerët ajo e shikon tek marrëdhënia e “fshehtë”, “sekrete”, “nënshtruese”, “mistike” dhe bashkë me vullnesën e saj, si një përvojë tërësisht shpirtëror, për të qenë një misionare, fundja “po të buzëqeshësh e ndien veten më mirë. Alter-egoja e intertektualitetit, sipas (Kristevës), “s’ka tekst pa intertekst, është loja e ligjërimit si filozofi postmoderne në letërsi, se çdo shenjë gjuhësore, brenda kufijve të rrëfimit, për të predikuar të vërtetën, për Eco-n; “të kuptojmë shenjat përmes shenjave të tjera” do të thotë të ushqesh fenë tënde me lutje, kërkimfalje dhe përulësi. Mund të jetë “errësi shpirtërore”, që sipas një nocioni mistik katolik, të “natës së errët të shpirtit” ose “natës së errët të shqisave”, sipas (Shën Gjoni i Kryqit, 1542-1591 e.s), si proces purifikimi, dhe zvrazje së shpirtit, që duhet të shkëputet nga çdo “prekje” tokësore, duke arritur bashkimin me Perëndinë, del tek vargu: forca më e madhe? Besimi, sepse tashmë “purifikimi”, drita dhe dashuria e plotë e Hyjit, komunikohet nëpërmjet shpirtit të varfër dhe të (pa)pësosur njerëzor, duke përjetuar Dritën Hyjnore, si vuajtje, errësirë, thatësirë, mundim, për të arritur kënaqësinë e Zotit, se tek vetë vargu: Shërbyesit e Zotit priftërinjtë etj, se përtej shenjave të errësirës njerëzore, përballen me dritësinë Hyjnore, për të arritur tek bashkimi me Zotin, “pasionit dhe vuajtjes shëlbyese të Krishtit. Ky besim përbënte për të “përvojën shëlbyese të jetës së saj”, shprehet At Neuner. Poezia tjetër, ka me shumë shenja të besimit: “Duaj”, ku mesazhi jo vetëm i besimit përulës të Shenjtores, sipas Biblës, “ besimi pa vepra është i vdekur” (Jakovi 2 : 26). Vargu: duaj deri në dhembje/ne nëse të dhemb,/pikërisht për këtë do të jetë më mirë./Përse të ankohesh?, se dhembja dhe besimi janë të barazvlefshme, se ai që beson duhet që ta tregojë besimin te Jezui, duhet të jetojë sipas besimit të tij, se: nëse vuajtjen e pranon/e ja ofron Zotit, do të të japë gëzim./Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit:/kush e vjel/kush do me gjithë zemër, ishte edhe Qëllimi i Misionit, ishte vokacioni misionar dhe shpëtimi i shpirtrave. Vuajtja për të qenë e denjë për Hyjin dhe besimin, duhet të vuash, që të vuash duhet të shkosh në vendet ku nuk mund të jesh kurrë, “duke i shërbyer më të varfërve në vende ku ne nuk do të shkonim kurrë. Ajo është me të vërtetë një shenjtore e gjallë!” tregonte në një komunikatë të saj, Dioqeza Katolike e Pretorias në SHBA, e frymëzuar nga misioni i saj si “shërbëtore” e përulur ndaj Krishtit dhe Zotit. “Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë; një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi” (Psalm 46:1), se Shenjtorja Terezë, nuk u mposht aspak as nga vështirësitë, kur brenda shpirtit të saj, ishte ndezuar zjarri i dashurisë ndaj të pamundurve dhe të harruarve, kudo në botë. Një shpirt i mishërura në shpirtit e Hyjit, një “shenjtore të gjallë” si mbrojtëse” shprehet Eileen Egan, por ajo ndoshta e dinte se një ditë do të ishte një shenjtore, “nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtore, do të jem me siguri një shenjtore e errësirës. Do të mungoj vazhdimisht nga Parajsa për të ndezur dritën e atyre që në Tokë jetojnë në errësirë”, - shprehet Brian Kolodiejchuk.
Ajo hyjnorja kishte;
- mëshirë (për)kundër varfërisë,
- misionare fjalëpak dhe veprashumë,
- model i shenjtërisë,
- modeli i dhurimit të dashurisë,
- modeli i përuljes ndaj Hyjit dhe Hyjnores.
Me shpalljen të Lume më 19 tetor 2003, nga Papa Gjon Pali II, deri me kremtimin e kanonizimit të saj me 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke e shpallur Shenjte të Kishës Katolike Romake, nga Papë Françesku, ku Shën/Nënë Tereza, është shembulli i përmbysjes së çdo skeme njerëzore, në duart e Zotit, për të jetuar fenë me vepra, jo vetëm me fjalë, ku vepra e saj ishte takimi i shenjtores me Zotin.
Si përfundim: për Shën Terezen janë shkruar shumë libra por edhe shumë kritika, madje se ajo me shumë mendonte të përhapte mesazhin biblik, sesa bamirësinë, duke “çmitizuar” një figurë madhore, nga njerëz që nuk e kanë pranuar “shenjtërimin e saj” si një bamirëse misionare për të varfrit, të sëmurët dhe të braktisurit e gjithë botës.
(*Shënim: para se të shugurohej Shenjtore Nënë Tereza, shqiptarja e Kalkutës, shkrova dhe unë disa rrjeshta, për këtë misionare të përjetshme të dashurisë së pafundme njerëzore, se janë shkruar shumë libra, histori, rrëfenja, kujtime, monografi, për atë figurë madhore, por këto shkarravina do mbeten këtu. Titulli është ndryshur, si kujtesë për studiuesin kosovar prof. Anton N. Berisha, që ka shkruar një sërë librash për Shenjtoren shqiptare të titulluar “Shtatë shpalime”, ndaj po i referohem edhe emrit si citim, sepse atë fjalë e kam huazuar prej tij).
©copyright EMI KROSI
Comments