top of page

Emi Krosi: Për poezinë e Lindita Ahmetit. 

  • Apr 11, 2024
  • 4 min read

Lindita ahmeti


Tema: Simbolika e “ajzbergut” nëpër thellësi më (përtej)kohës dhe hapsirës, në poezinë e Lindita Ahmeti-t.

 

Poezi është një kategori që formalistët e quajnë letrarja por vetëdija krijuese  brenda poezisë, vjen vetëm nëpërmjet gjuhës poetike, sepse poezia e mirë mund të njihet nga drithërima që na kalon nëpër shpinë, se nëpërmjet leximit elementet individuale edhe nëpërmjet intonacionit të zërit, lidhet dhe me përvojën e lexuesit, se poezia lirike lidhet edhe me përvojën tërësore të vetëdijshme ose të pavetëdijshme të poetit  gjatë kohës së krijimit, nëpërmjet modeleve tingullore, (Lanz: 1931), duke mëtuar më përtej lajtmotivit modern, ku poezia thyhen kodet e saj duke u kthyer në një  alter ego, me shtjella ligjërimesh, që kalon në kolazhe  drejt një polifonizmi stukturor, me rrënjë të forta shpirti.  

 

Fjala.

 

fjala e bardhë si çelësi

labirinteve të erosit

e si petk i shumësisë së mendimit

nuk bën punë nëpër këto kaçuba të përgjumshme

asaj mund t’i ketë kaluar afati i përdorimit

në këto anë

kërkoni diçka tjetër

ta zëmë erë

erë kërkoni

era është e lirë

e lodron degë më degë e lule më lule

fjala jo

fjalën e kanë futur në palimpsest

ose e kanë hedhur në këndet e errëta të pakuptimësisë

të mbështjellë me ferra

atje e mbajnë të heshtur

e mbajnë edhe nën dërrasat e tribunave

e kanë prridhur cinikët

dhe ka mbetur pa frymë

kot e kërkoni fjalën

nëpër këtë visore të përgjumur

                                      (“Nga mështeknaja e babait me mallëngjim”).

 

Vetë poezia është fjalë dhe “fjala” si tingull është fjala biblike, se e para është fjala, (Bibla: 2002), nga fillon jo vetëm fillesa biblike e botës, jetës, njeriut dhe vdekjas, por fjala është elementi fonemor bazë i poezisë. Jo gjithmonë fjala është magjike, por një realitet i thellë i metaforave sunduese, nëpërmjet vargjeve: fjala e bardhë si çelësi /labirinteve të erosit /e si petk i shumësisë së mendimit, sepse poetja e shumfishon fjalën në mijëra dekodime si:

a)    dekodimi i fjalës si mesazh,

b)    dekodimi i fjalës si kod gjuhësor,

c)     dekodimi i fjalës si mit/logos,

d)    dekodimi i fjalës, si figurë dhe shenjë,

e)     dekodimi i fjalës si metaforë simbolike, por fjala i vishet përfytyrimit, duke brendësuar 

përshkrimin dhe përceptimin ndiesor, (Lewis: 1947), edhe nëpërmjet mitikes gjuha gjuha poetike shtresëzon mitiken dhe simbolin, biblikën dhe metaforën si  një shënjim i pamundësisë:  nuk bën punë nëpër këto kaçuba të përgjumshme/asaj mund t’i ketë kaluar afati i përdorimit/ në këto anë/kërkoni diçka tjetër të fjalës si “bindje” për njeriun, por tashmë në një nocion klasik, më përtej arsyes, më përtej të vërtetës, më përtej identitetit, më përtej ironisë , se vetë fjala është emancipim universal, (Eagleton: 1996). Në vazhdimësi si thellim të një interteksti të pastër,  (më)përtej poetes, (më)përtej gjuhës, (më)përtej lexuesit, edhe pse fjala mbart  konotacionin e të pozitives/negatives apo të mirës/të keqes, përsëri, teksi është dhe nuk është njësi referenciale, sepse në vargjet: kërkoni diçka tjetër/ta zëmë erë/erë kërkoni era është e lirë/e lodron degë  degë e lule më lule/fjala jo /fjalën e kanë futur në palimpsest , poetja ka zbritur nëpër shkallët e poshtme të Purgatorit të Dantes nëpër nëntë rrathët e tij duke kërkon fjalën e humbur, si substancë të virtytit njerzor por edhe poetik. Fajla është erë, pra është ajër, eter, liri, që nuk ka “çelës” që  ta mbyllë edhe kur ajo e “resaturon” atë në këto aspekte:

-       transtekstualitet, (poetika stukturale marrëdhënia mes dy teksteve),

-       metatekstualiteti, (marrëdhënia me elemente të një teksti tjetër, pa u cituar atë, p.sh.

bibla),

-       hipërtekstualitet,(çdo marrëdhënie që  bashkon një tekst me një tekst të mëparshëm), në

këtë dimension, ajzbergu i poezisë së Ahmeti-t, lundron thellësive, me përmasën e panjohur të visoreve të saj , me paradoksin dhe groteksin e saj,  se fjala është mendimi, fryma, kodi, vizioni i njeriut për Njësinë  Eprore të Unit të tij ekzistencial. Vargjet: ose e kanë hedhur në këndet e errëta të pakuptimësisë/të mbështjellë me ferra/atje e mbajnë të heshtur/e mbajnë edhe nën dërrasat e tribunave, në kërkim të udhës së fjalës kodet mitike dhe biblike, lartohen dhe lartohen, nga ajo që kemi nevojë: e bukura në shpirt, tek ngjallmon një ngjizje tjetërlloji të metaforave, që shpalojnë problematikën, shqetësimet, vetminë, kohën, dashurinë,  marrëdhënien njerëzore në raport me ekzistencën dhe varësinë e individit me mjedisin rrethues, një “marrëdhënie” , për të zotëruar të bukurën poetike, kur vozisim  mes  vegimeve figurative (Maulpoix: 1996), sepse integrohet dhe (ri)mishërohet konkretia dhe emotivja me gjendjen shpirtërore brenda tekstit, kjo formë e strukturuar poetike, nuk barazohet me narracionin e sforcuar lirik, (Shala: 2010), por kjo poezi, në shtresëzimet e saj synohet qasja drejt mesazheve të tërthorta, një lloj tëhuajëzimi, që ka një koncept individualist, se “individualizmi” është konfiguracion ideologjik modern, (Dumont: 1997) dhe së fundi: e kanë prridhur cinikët/dhe ka mbetur pa frymë/kot e kërkoni fjalën/nëpër këtë visore të përgjumur, ajo që e kërkon fjalën e bukur poetike e gjen edhe nën rrënoja, në vegime, nëpër ëndërra, në humnera, tek cinikët, tek egoistës, se Lindita ka gjuhën e saj dhe mënyrën e ndërtimit të gjuhës poetike, që “shtrydh” nektarin e gjuhës së bukur shqipe.

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

1.      Ahmeti, Lindita: (2015), Nga mështekna e babit me mallëngjim  “Portalb” Tetovë.

2.      Bibla: (2002), Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e re, Zanafilla, kap. 1, v: 1-2, “Shoqëria Biblike Shqiptare”, (Sh.B.Sh), Tiranë.

3.      Dumont, Louis , (1997), Ese mbi individualizmin, “Korbi”, Tiranë.

4.      Eagleton, Terry: (1996), The Illusions of Postmodernism, Blackwell, Oxford.

5.      Lanz, Henry: (1931), The Physical  Basic of Rime, Stanford University Press.

6.      Lewis, Cecil Day: (1947), The Poetic Image, London.

7.      Maulpoix, Michel- Jan : (1996), L’Lilusion lirique, la poesie malgré tout, Mercure de France.

8.      Shala, M. Rexhep: (2010), Analiza - Kognicioni dhe modelimi, neokultura,  Prishtinë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page