top of page

Emi Krosi: Mozaik ngjyrash lirike me kumte universale, në poezinë e Viktor Gjikolaj-t



Nga Emi Krosi


Poezia sot nuk është më "apriori" e një lexuesi të kultivuar, si dikur që poetët ishin si uji i pakët. Dje, nderoheshin si qenie "hyjnore" dhe kur botoheshin nëpër gazeta, përpiheshin nga çdo lloj lexuesi, madje dhe në cepin më të largët të Republikës. Sot, poezia është kamuflim, mes gallomanisë së delitantëve dhe shkarravitësve dhe imituesve dhe vjedhësve, që "montojnë" ca vargje këtu dhe ca atje, me përshpirtshmërinë e qenies poetë ekzotikë, lirikë modernë, apo post/ modernistë. Poezia e ka humbur misionin e saj parak: atë të ngjallimimit të shpirtit nga zëshmëria e brendisë së saj, nga tingëllimi i fjalës së bukur figurative. Por, ka akoma kultivues të estetikës së muzës poetike. 

Poezia lirike, gjithherë ka tentuar të sjellë referenca kulturore, stilistike, ndërtekstuale, por gjithashtu duke u futur dhe në procese “dialoguese” me lexuesin. Për më tepër, ajo de/hierarkizon marrëdhëniet shoqërore dhe ndërton forma të larmishme polifonike të jetës dhe përdishmërisë, përmes temave të spikatura të saj, duke sjellë intesitet dhe diversitet përmes të gjithave llojeve të lirikës (Bhabha: 1994: 9). Lirika moderne shqiptare, shpehshmërinë e saj e kultivon përmes traditës, si një ndërthurje mes postmodernes dhe traditës. Ka dhe shumë elemente të traditës gojore kryesisht, që rimerr përsëri elementet autobiografike ose kthimit në të shkuarën. Kështuqë, ciklet e poezisë lirike qasen dhe si ndërlidhëse me shumë rryma moderne dhe asasjelltas. Në këtë kontekst lirika e Viktor Gjikolaj-t, me librin poetik “Atlasi i plagëve” (Gjikolaj: 2023 ), një lirikë që ngërthen poezinë rurale dhe poezinë urbane, përmes përshkrimeve  poetiko-lirik, me efekte individualiste estetike.  

 

1.     Poezia, ka një ndërtim dy kohësh. Kosha e shkuar dhe bashkëkohësia. Vargjet:

udhëkryqe provinciale u lage/Dhe u tere në ikje-kthim,/Një poçe dheu e pjekur në shi Ti,/Fati im, nga poezia “Fati im”, autori ndërthur lirikën provinciale me atë metropolitane dhe anasjelltas, sendërton natyrën dhe fshatin, me ndërtimet traumatike dhe pa kriter të qyteteve. Ka një lloj lirike që quhet “lirika në tranzicion”, ku termi “tranzicioni” kuptohet si një parim formëdhënës që zhvendos dhe transformon kufijtë letrarë ose lëviz përtej tyre: për shembull, midis zhanreve dhe formave të gjuhës, ku funksionet estetike dhe pragmatike, si kontekste të komunikimit (Culler: 2015: 13), përfshin poezinë, ku hapësira urbane dhe rurale lidhet vetiu me poetikën dhe përvojat e mëparshme të shkrimit. Lirika në këtë tekst poetik ndahet në:

-       lirika socio-shoqërore (qëmtimet përmes vëzhgimeve të qëllimshme të poetit, sidomos

 të shtresave të minatorëve, mësuesve, fshatarëve etj.);

-       lirika e dashurisë (përmes elementeve të vendlindjes dhe mallit për njerëzit e punës

sidomos minatorët, barinjtë, vreshtarët etj. Nuk mungon as lirika dashurore për gruan/vajzën/bashkëshorten etj., përmes vargjeve: “një fjalë belbëzova për ty -/Ma përpiu vala;/Pas më ndiqte si magji/Imazhi yt me të bardha…”)

-       lirika e natyrës apo e përshkrimit (të natyrës së fshatit dhe kujtimeve të fëmijërisë);

-       lirika me motive të vendlindjes, me poezitë: “Gryka e Selitës”, “I kam thënë të bardhës

nënë”, “Meditim buzë lumit Urakë” etj.;

-       lirika e lirisë dhe fateve njerëzore (ku sendërtohet njeriu ekzistencialist dhe fatet e tij, ku

përmes sarkazmës dhe ironisë, goditet vesi dhe ligësia e tij), me poezitë: “Plagë, “Jam arbër”, “Pesha”, “Qendresa e fajit”, “Brishtësi”, “I bukur”, “Përralla të vërteta për tim bir”, “Krishtërimi i fjalëve” etj. Vargjet: dashta të kem grua,/Dashta të bëj nënë!/Por ëndrra u shua,/Si të mos kish qenë..., nga poezia “Dashta” trajton trajtat e gegnishtes [dashta /deshta/desha/doja/dua], në të kryerën e shkuar, është një formë e rrallë e përdorimit të shkrimit, por dhe në gegnisht, që i jep ngjyresë konotative dhe stilistike të fortë, duke e forcuar vargun në eptimin e dashurisë të shoqëruar me [… (retiçensat)], se mendimi poetik i pashkruar nënkuptohet nga lexuesi. Trajta tjetër [dheu em], lidhet me njësinë e vjetër të rrënjës buzukiane [em /im], ku e-ja ka rënë dhe pronori ka marrë trajtën e sotme [-im], që quhet rotacion zanor[e/i] (Dodi: 1970: 36). Autori përdor kryesisht rimën e rregullt [ab/ab], por edhe rimën e brendshme, pasi shumë tekste janë kompozuar për këngë. Autori përdor dhe distikun por edhe poezi dyvargore: rininë e falët për një botë tjetër/Kurora e lirisë ka lule më tepër.

 

2.     Në korpusin e poezive me tematika të forta rustike të fshatit, apo dhe të jetës baritore si: 

Shpirti i bariut” dhe “Sfidë pijetarit”, përmes vargut metaforiko/metonimik: fundstina derdh dyll mbi pjergull/ Faqeskuqur fshatarët e mi, na tregon gjithë mallin për jetën rustike të fshatit, ku koha e zierjes së rakisë, është koha e dalldisë e qejfit dhe pijetarisë, lidh bujqësinë dhe agrokulturën si elemente festive të vreshtarisë, që nga perëndia greke Dionisi dhe ajo Iliro-Dardane e pjellorisë, Thana, përmes vargjeve:  rreshtuar gotat në banak Si ushtarë të bindur, besnikë të vjetër,/I kam thyer me dufin zemërak/Si pijetar i krisur, i etur…/ Me poçen e verës “Kallmeti”/ E koranin e skuqur, a të pjekur. Poezia e Viktorit, është një mozaik ngjyrash me kumte universale. Aty ka çdo trajtë dhe mgjyrë, emocion, përjetim, përshkrim, përmes një koncepti estetik individualist, por me narracion poetik që shënojnë dhe jetën e tij, si metaforë biografike. Njëjtësimi me lumenjtë bjeshkatare dhe Urakën, apo dhe magjia e kullave dhe bjeshkëve, përmes vezullimeve lirike të vendlindjes, Selitës, ku dallohet edhe për formën moderne të shprehurit poetik, si eleganca, ritmi dhe muzikalitet emocional, formojnë arkitekturën e poezisë viktoriane (Dedaj: 2023). Kjo ndiesi lirike, çon në një shpërfaqje të mëtejshme të pakufizuar të subjektivitetit lirik. Ky trend, vëzhgohet në mënyrë më të detajuar në lidhje dhe me përhapjen e formave të performancës, në konceptin e poezisë lirike, ashtu siç stukturalistët, lidhin formën e ndërtimit të veprës, por  dhe roli shoqëror dhe funksioni që i është caktuar lirikës në letërsi, në periudha dhe kultura të caktuara (Pfeiler: 2013: 48).

 Ky libër poetik ka trupëzuar edhe fjalësin e saj, si një pasuri leksiko-poetike:

-       fjalëformimet: stërgjyshit/ bashkëfshatarë/ hijerëndë/ mikroarkivolë/udhëkryqe/ ndërpreva/ 

fundvjeshta/ poçethyer/ përbrenda /gjithherë/gjithmonë/ tatëpjetë/ njëmijë/ buzëqeshi/ dhëmbërënë/ luletharë/ hireplotë/ qoftëlargut/ faqeskuqur/ fundstina/demografët/gjashtëdhjetëvjeçar/ pasvdekja/ fushëluftë/ prapëseprapë/ dalëngadalë/ gjithkund/ asnjëri/ trumhasem/ sykthjelltat/ fundvjeshtë/ trembëdhjetë/ gojëdhana/ emërbardhë/ gjithësinë/ kurrnjiherë/ lulezonjave/ sapoçelur/ çudibërëse/ gjibardhë/ protozot/ çdofarësh/ ndonjëherë/ gjysëmkthyer/ njëqind/ gjakëlyer/ majekrahu/ shtatëmijë/ shtatëdhjetë/ aktakuzë/ njëzetë/sypërskuqur/ qepallërënduar/mospërplasja/ atëbotë/ theqafjes/vetveten/kotsëkoti /teposhtën/ nënkresë/ kryelule/ parandjejnë/ fundverë/antikomunistë/mespërmes/ syqiellor/kryezonja/ djepvarri/ përkarshi/ nëndheshëm/ përtrollëse/ kahmot/ fundkorrik/mesditë/ asnjëherë/ përgjakur/ sypërlotur/ nëntokasit/ pulëbardhë/ përgjatë/ ballërrudhur/ fytyrëvrejtur/ dalëngadalë/ kryeqyteti/ përtokë/mesnatë/ përkulur/ ditënata/ pararendësit/ mendjendritur/ përgjigjen/ pernjëherësh/përpara/ trupderdhura/ shtatlastare/ pragverë/ përlyera/ motmotit/ televalët/ lulemollë/ gushëgostare/ yjefikur/ njëherë/ përdore/ përballë/ kokëulur/ majëmale/ përballë/ rrafshnaltë/ buzëngjitur/ yjestërpikur/ bashkëfshatarët/ përvlon/ shamizeza/ përkulet/ përskuqura/ nekrologjia/ bashkëjetesa/ mendjehollë/ analfabetizmit /dyzetvjetorin/ përskaj/ujëvarë,

-       fjalë të reja: bjeshknaja/bornaja/lurasit/mangore/ dritëronin/errëtonin/ pijetar/

dhëmshuruar/ dërrmishë/ ujanën/ gushëgostare,

-       mallkime: - Ta ligtë Zoti orën…!

Sëfundmi: poezia lirike e Viktor Gjikolaj-t, duhet të njohur përtej asaj letërsie që rëndom emërtohet letërsi “provinciale” sepse ajo është gjithëkombëtare. Ajo nuk mund te jetë një poezi vetëm minore, por duhet të madhërohet, që të ketë sa më shumë lexues cilësorë. Prefeksioni nuk ekziston, (secili gjykon sipas shijeve të veta letrare), sepse poeti evolon me kohën dhe krijon dhe stilin e tij individualis të dallueshëm, ashtu si lirika viktoriane.

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

1.      Bhabha, Homi K. (1994): The Location of Culture. London / New York.

2.      Culler, Jonathan. (2015): Theory of the Lyric. Cambridge, Mass.

3.      Deda, Ndue. (2023): Tre poetë të një stine, “Observerkult”, 3 nëntor 2023.

4.      Dodi, A. (1970). Fonetika dhe Fonologjia e gjuhës shqipe. Prishtinë.

5.      Gjikolaj, Viktor.  (2023): Atlasi i plagëve, “Press Liberty”, Prishtinë.

6.      Pfeiler, Martina.  (2003): Sounds of Poetry: Contemporary American Performance Poets. Tübingen.

123 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page