top of page

Emi Krosi: “Mëkati i njohjes” si mesazh postmodernist, në poezinë e Rita Filipit.


Tema: “Mëkati i njohjes” si mesazh postmodernist, në poezinë e Rita Filipit.

       

Nga Emi Krosi

                                                                              

Lidhja me një poezi, fillon që me leximi e parë, por larg skemave klishe, shfaqen jo vetëm “shenjat e hapura”  duke u nisur edhe nga dija me gjuhën e matur ose jo, apo edhe nga metodat (mënyra sesi i qaset çdo lexues një poezie), por në rastin e diskursit poetic, kemi këto forma:

a)    në pozicionin e argumentit/diskutimit letrar,

b)    brendia e  kërkimeve polisemike/empirike (autor/lexues),

c)     kodet e komunikimeve dhe shenjat personale/individuale të tekstit.

Qasja me patjetër, ose je e kodeve moderne/postmoderne nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me autorin/autoren, por edhe në modelin shkrimor individual, por edhe si shenjim modern mbi poetikën postmoderne (Apolloni: 2010). Asnjë teori nuk na mëson sesi të shkruajmë një poezi, as në kuptimin subjektiv të saj, por as në mënyrën dhe stilin, ku sistemi parësor është fjala, që përmes poezisë “Mëkati i shegës” (Filipi: 2022), na fton në “mëkatin parësor” të njohjes. 

 

Ti tinëzar i vogël

Që më dhurove një shegë gojëhapur

Nga kopshti i shtëpisë së babait,

A i sheh pasojat e tua?

Kafshuar prej shegës tënde

Lënggjaku rrjedh çurg 

Mbi buzët e mia...

 

Ti hajdut i vogël

vodhe shegën

Nga oborri i shtëpisë së babait

Atë shegë që s'duhej ta prekje me dorë,

A i sheh pasojat e tua?

Kafshimi i qenit të babait,

Gjak t'i bëri buzët.

 

Dy fytyrëplagë

Dy buzëqepur

Nga mëkati i shegës… 

                                          (“Mëkati i shegës”)

 



Një poezi ka shumë koncepte të ndryshme, që ndryshojnë në kohë dhe epoka të ndryshme, por edhe nga kultura të ndryshme të gjuhës dhe artit, por poezia duhet të “kënaqë”, e të japë një mesazh apo kuptim në lidhje edhe me kënaqësinë e saj primare, duke modeluar estetikisht dhe simbolikisht kanalet gjuhësore (Ferber: 1999). Vargjet: ti tinëzar i vogël/Që më dhurove një shegë gojëhapur/Nga kopshti i shtëpisë së babait,/A i sheh pasojat e tua?/Kafshuar prej shegës tënde/Lënggjaku rrjedh çurg /Mbi buzët e mia...në kontektin analitik dhe funksional në mënyrë sekuenciale dhe logjike, shega në mënyrë intuitive është supersema/ kryemetafora që lidhet me elementet irracionale të psikikës sonë seksuale [mëkati fillestar, po i përmbysur, se është mashkulli që fton femrën në mëkat] përmes vargjeve: ti tinëzar i vogël/Që më dhurove një shegë gojëhapur/Nga kopshti i shtëpisë së babait apo vargjet e tjera: ti hajdut i vogël/ që vodhe shegën/Nga oborri i shtëpisë së babait. Emocioni dhe ndikimi: gjëra të përjashtuara nga gjuha funksionale poetike. Mëkati i shegës, [(është edhe lëngu/sperma mashkullore, që derdhet  si element i seksit dhe dëshirave e (pa)plotësuara seksuale. Por me shegën simbolizohen buzët (ngjyrëshege), ose gjijtë si shega (forma) apo vagina  (lëngu mestural)]. Vargjet: ti hajdut i vogël/Që vodhe shegën/Nga oborri i shtëpisë së babait/Atë shegë që s'duhej ta prekje me dorë,/A i sheh pasojat e tua?/Kafshimi i qenit të babait,/Gjak t'i bëri buzët, kurthëron Erosin dhe Psikën, si një dominim i vazhdueshëm i teorisë lirike romantik, më për(tej) tropeve,

sidomos simbolit [kafshimi i qenit të babait]. Linja poetike, në fushën e lirikës erotiko – dashurore, është subjektiviteti i zhvendosjes ose ironisë,  përmes aspekteve subjektive ose fenomenale, marrëdhënia eksplicide është e mjegulluar, ku mendohet se del edhe kuptimi konvencional i "mesazhit" erotik (Preminger: 1993). Elementi i fshehur biblik, që lidhet me mëkatin, [(babai+ burrri+ djali= Gjarprin Biblik (Adami)/ vajza + gruaja+ e dashura = Shega/molla(Eva)]. Kjo nënshtresë biblike e mëkatit fillestar edhe ndërfutje postmoderne,

(shkatërrim dhe përmbysje e modelit modern), sepse teknikat stilistike të postmodernizmit përfshijnë përdorimin e shpeshtë të intertekstualitetit, metafiction, deri në metamodernizëm (Bunnell: 2015).  Metamodernizmi qëndron, midis modernes dhe postmodernes pa përdorur tendencën e saj për të shkuar përtej postmodernizmit dhe për ta tejkaluar atë. Metamodernizmi nuk do të thotë një shkëputje e plotë me nocionet tradicionale të modernizmit dhe postmodernizmit, që ka të bëjë me komunikimin ndërgjuhësor, por edhe si pjesë e një dinamike më të madhe të zhvillimit dhe ndërveprimit kulturor, duke rimodeluar modelin e shkrimit poetik individual.

 

 

BIBLIOGRAFIA:


1.      Apolloni, Ag (2010). Parabola postmoderne, Prishtinë.

2.      Bunnell, Noah. (2015):  “Oscillating from a Distance: A Study of Metamodernism in Theory and Practice”, Undergraduate Journal of Humanistic Studies,vol. I, 1-8. Crane.

3.      Ferber, Michael: (1999), A Dictionary of Literary Symbols, Cambridge: Cambridge University Press.

4.      Filipi, Rita. (2022): Guxo mos më duaj prap, “Bard Boks”, Prishtinë.

5.      Preminger, Alex. (1993): The New Encyclopedia of Poetry and Poetics. Princeton: Princeton University Press.

 

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page