top of page

Emi Krosi: Thyerja e realitetit...


GRIGOR  JOVANI 

 

Tema: Thyerja e realitetit, përmes rrëfimit të tregimeve të shkurtra, në librin e Grigor Jovanit.

 

Letërsia nuk ka kufij. Gjinitë e saj herë shkrihen dhe herë ndahen, në kufirin e një vije kaq të hollë, saqë nuk mund të bëjmë dallimin me gjinive. Padyshim, që tregimi i shkurtër ka ndërtimin më skrupuloz, sepse herë merr anën e skicave letrare të tipit migjenian apo më të gjata, si ato gogoliane. Por, rrëfimet në trajtën e tregimeve të shkurtra janë një formë disidente e komunikimit (March-Russell: 2009: 2). Tregimi i shkurtër është më i vogël, më i thjeshtë, më i lehtë dhe më pak formë e rëndësishme sesa romani. Me kalimin e viteve, shumë kritikë të tregimeve të shkurtra, bashkë me problematikën apo mospërcaktesën (tregim/novelë/roman), kanë qenë skeptikë (mosbesues), duke e trajtuar tregimin e shkurtër si rreptësisht të varur nga romani (Beachcroft:1965), duke mbështetur pretendimet e tyre teorike, në faktin se ky zhanër bazohet në parimi i shkurtësisë, është i detyruar të dështojë. Nëse duhet të hedhim poshtë këto “pretedime të teoricienëve letrarë”, mund t’i referohemi librit me titull; “ Klinika” (Jovani: 2023), me 20 rrëfime (tregime të shkurta), që formojnë një roman, ku personazhi rrëfen jetën e pacientëve në një klinikë private, jetë reale, personazhe po realë, që fati i ka braktisur në atë azil pleqsh në Pire, dhe autori rrëfimtar e quan “klinikë”. Njerëz me huqe dhe vese, të pasur por të braktisur nga mosha, kur tashmë familja dhe shoqëria i ka “shtrydhur” moshën dhe mundin, duke u flakur në moshën e shtyrë, në një klinikë, ku janë vetëm në mëshirën e ca njerëzve të mirë ose ca emigrantë nevojtarë, që u pastrojnë jashtëqitjet. Autori i trajton me shumë dashuri dhe humanizëm. A nuk është letërsia humanizëm?

Mënyra e të qasurit, ndaj tregimit të shkurtër lidhet dhe me kulturën dhe identitetin e lexuesit. Është thjesht e arsyeshme të argumentohet se fiksioni i shkurtër, për nga gjatësia e tij, do të paraqesë karakteristika individuale për përvoja “të shkurtra” ose pamjet e realitetit. Në të vërtetë, aq e kufizuar gjatësia fizike e tregimit të shkurtër, ngacmon imagjinatën e lexuesit, siç jemi mësuar në jetën reale duke u përballur me paplotësinë e përvojës (Fray: 200: 8), formojnë forma të veçanta artistiko-letrare. Këto rrëfime letrare, imagjinare dhe individuale, propozojnë rrënjësisht mënyra të ndryshme të menduarit dhe imagjinatës ku bashkohet fiksioni dhe realiteti: “Nuk e ngau bisedën më tej. U ngrys. Sikur diçka e pickoi. Fjalët kanë gozhda më shumë se karriket. Dhe ndjehen më shpejt nga të pastme të kolme, sikurse i kishte ajo. Në vend të saj, më foli si çdo ditë e ëma, bukuria e shuar, që kishte pjellë këtë bukuri tjetër, që vazhdonte të gurgullonte si përrua mali : - Të lumtë goja, o bir!”, nga tregimi “Metodë perfekte”.

Qëllimi i tregimit të shkurtër, është të na komunikojë përvojën njerëzore. Në përvojën e vërtetë njerëzore, momentet e së vërtetës vijnë si flukse brenda momente të vetme, situatave të vetme por dhe kolektive, lidhet dhe me përcaktimin dhe reflektimin ndaj gjuhës dhe interpretimit si një gjuhë e mbipërcaktuar metaforikisht (Bal: 2009: 10). Mënyra rrëfimtare është lehtësisht e dallueshme përmes gjuhës së autorit. Ai ka ruajtur edhe tipologjinë:

tipologjia mes kulturës/rave dhe narrativës,

marrëdhënia mes kulturave dhe letërsive, (kultura e rrëfimtarit është një emigrant që

punon për bukën e gojës dhe nuk refuzon asnjë punë qoftë dhe ajo e rëndomtë: “- t’ëmën! Nuk iu ndanë punët e mutit racës sonë! - shau Foti”,

marrëdhënia specifike e shoqërive, përmes përfaqësimeve, gjuhëve, zakoneve dhe kulturave,

kuptimësia e rrëfimit përmes shenjave gjuhësore si sistem shoqëror.

 

Kultura dhe narrativa: vlerat dhe zakonet e një shoqërie, janë përcktuese dhe të një

kulture të caktuar që lidhet drejtpërdrejt dhe me narrativën (në rastin e rrëfimit autorial), duke i dhënë kuptim atyre çka ofrojnë tregimet e shkurtra, përmes analizës tekstore. Zbulohet tregimi për zakonet e një shoqërie të caktuar (shoqëria greke), ku autori thur historitë, dhe teoria narrative, na ofron mjete që na mundësojnë të shikojmë se si përfaqësohet kultura në një tekst. Lidhja me narracionin, kohën dhe hapësirën, janë shpesh reflektime të çështjes eksplicite kulturore, që trajton teksti dhe sesi mund ta shohim botën përtej tekstit si dhe unifikohen kulturat, nga i cili është ndërtuar rrëfimi, ku tregimet e shkurtra na rrëfejnë sesi është ndërtuar rendi shoqëror (Barker : 2003:17), një rend shoqëror ku mungon dashuria njerëzore. Humanizmi është thjesht një bumerang dhe njeriu një robot: “...ata që kishin zemër. Gjë e rrallë në këtë botë mekanike robotësh”.  

Fiksioni dhe realiteti:  është një aspekt shumë interesant, sepse bazohet dhe në një të

vërtetë historike aq sa reale (historia e emigracionit masiv shqiptar ne shtetin fqinj, në fillim vitet’90-të), duke mbedhur copëra jete por edhe në marrëdhënie me komunitetin vendor, pra popullatën greke, autori bën autopsinë e personazheve të tyre dhe përmes shtrirjes së tyre familjare dhe shoqërore (historia e vogël brenda historisë së madhe), rrëfimi mbi jetën dhe vdekjen, mbi harresën dhe dashurinë, mbi familjen dhe braktisjen, mbi dhembshurinë dhe makutërinë, mbi racizmin dhe përfitimin, mbi braktisjen dhe pasurinë, mbi dhimbjen dhe fatin tragjik të njeriut të moshuar, mbi kohën dhe historinë, mbi të ardhmen dhe të shkuarën, ku autori rrëfen: “…në formën e një libri. Me rrëfime për jetën dhe për vdekjen. Jo po, do të më shpëtonin..”. Shumë tregime, zbulojnë shumëçka për marrëdhënien e mundimshme midis grekëve vendas dhe kulturës greke me emigrantët (përfshirë dhe shqiptarët) si dhe keqkuptimet dhe paragjykimet ndaj kulturave vendase dhe të huaja dhe marrëdhëniet e vështira mes tyre (Eagleton: 2007 : 42). Jeta e çdo individi dhe shoqërie është e mbushur me konflikte. Këto konflikte mund të jenë të llojeve të ndryshme, si e mira kundrejt së keqes, njeriu kundrejt natyrës, njeriu kundrejt shoqërisë, njeriu kundrejt vetes. Rrëfimi i konflikteve të tilla e bën edhe vetë lexuesin të jetë pjesë e historisë. Shkurtësia e tregimit të shkurtër, qëndron në strukturën e tij. Shkurtësia e një tregimi të mirë rezulton me “efektin beqar” ose “singleness of effect”(Allen: 1981: 135). Tregimi i shkurtër është një formë e preferuar e shkrimit të sotëm. Historia e tregimit të shkurtër u bë ushqimi kryesor letrar i miliona lexuesve dhe u vendos si një formë arti e preferuar në kohët moderne.

Njeriu/lexuesi dhe personazhet/realja: sendërtimi i dhe lidhja e autorit të personazhit të

gjithëditur, përmes 30 rrëfimeve, duke lidhur ngjarjet dhe personazhet brenda dhomave të pacientëve me rrëfimtarin/kryepersonazh dhe të lexuarit përmes personazheve dytësore realiste, si histori të besueshme apo jo, duke u bazuar në karaktere të njerëzve të njohur personalisht me personazhe dhe karaktere shumë dimensionalë, është një këndvështrim më shumë se realist (Altieri: 2020:10), është gjithmonë një ide e mirë për të filluar ndërtimin e tipareve themelore të mbajtura nga personazhet po realistë, nuk e vë në pozitë autorin që “ka vjedhur jetën e tyre”, përmes besimit të rrëfimit të tyre kundrejt autorit (mirëmbajtësit).  Modelet social-kulturore, janë dhe modele që përdoren në qasjen ndaj ndaj leximit. Këto modele e shohin leximin si një proces social, ku kontekstet historike, ideologjike të tekstit dhe lexuesit, luajnë një rol të rëndësishëm për një shpjegim të shkurtër të modelit dhe disa prej termave të përdorura. Autori nuk përdori asnjë lloj zhvendosje, por ka rrëfyer drejtpërsëdrejti, për shkak të situatave të jetës së përditshme në klinikë. Kjo është, për të mos thënë se secili version është më i mirë apo më i keq, por tregon se zëri i secilit personazh/autor, është vendimtar në diferencimin e historisë së tyre, njëra nga tjerat apo anasjelltas, që qarkullojnë brenda zhanrit (May:2002:169). Analiza e tregimeve të shkurtra (moderniste), duhet të shikohen si dy ndërrime kryesore: a) zhvendosja në teknikën e shkrimit nga njëmendësi/trillim dhe anasjelltas, b) në aftësinë e lexuesit për të kuptuar “temën” (kuptimin) e tregimit në paragrafin:  “si shpendët. Po të mendoje se simboli ynë i përbashkët shtetëror ishte një shpend, vetëkuptohet se nuk mund t’i shpëtonim njeri-tjetrit. Ishim tanët, bënte bam këtu e tutje. - Mirë që erdhe, - më tha ajo duke u ngritur me përtesë. - Ta lajmë pak këtë gaforen këtu, se do zerë miza. Ka qysh në drekë që i ka mbushur”, në tregimin “Byzylykët e zonjës Xhulia”. Realiteti që paraqet para lexuesit është “kafshëria” sesi u shërbehet njerëzve në atë “klinikë” vetëm për përfitime. Modeli social-kulturor, nga ana tjetër e karakterizon tregimin e shkurtër; si një "unitet i përshtypjes". Ky unitet i mundëson lexuesit të fokusohet në vetë tregimin dhe ta shohë rrëfimin në tërësi, përmes “leximit më simptomatik” (Silko: 2012: 173), ose diskutimi i çështjeve kulturore dhe sociale si paragjykimet dhe padrejtësi. Historitë ndajnë gjithashtu një formë përplasjeje, mes kulturave të ndryshme, përmes interesit të fitimit dhe “shfrytëzimit” të një pjese margjinare të shoqërisë siç: janë të moshuarit dhe të sëmurët! Materiali i librit, lidhet dhe me rëndësinë e vendndodhjes dhe kronologjinë të

tij rrëfimtare, deri në fund, ku vetë autori e quan në epilog, një “alergji me vdekjen”: “e njëjta varkë e Anakreontit. Ua kisha prerë qysh në fillim. Unë nuk mund të ndihmoja në mbartjen dhe transportimin e tyre. Kisha alergji me vdekjen.”

Konteksti gjuhësor: gjuha është një huazim nga përditshmëria. Gjuhë e folur. Nuk ka

veshje metaforiale. As një “gjuhë të lartë” të tipi S/Z e Bartesit. Në disa raste ka dhe shprehje në greqisht (duke imituar personazhet). Nuk mungon sidomos alegoria deri në një groteks neveritës, për njeriun që është vetëm një jashtëqitje e tij, përmes fjalisë: “- nuk e kam vinçin në punë, - ia preva. -  Ka difekt”ose paragrafi tjetër: “kisha vetë, si e pranoi këtë bamirësi, nga prindër kaq të pashpirt?! Zotit lart i janë mbaruar rrufetë? Apo i hedh sipas qejfit?”. 

Personazhet: Kritiko / Petkoja / Xhulja / Maria / Dorothea / Aristotel / Melpomeni/ Rima/

Lu /Foti /Kristina /doktor Aleksi / Eleniana/Besiana etj.

Shprehje nga përditësia, fjalë të urta ose shprehje frazeologjike : Çdo arixhi, arushën e

tij lavdëron/ Më mirë larg jush, farë e keqe! /Kjo dembeloset që rron...”./ Don Zhuani i pjerdhur i dhomës 203/Mundoheshin të nxirrnin dhjamë nga pleshtat/Mund të lëvizte ajo kaba dy kuintal e gjysmë?/ O po ky, na u bë peshqesh/“Ç’na shet mend, edhe ti si ne je, e huaj!”/ Vetëm nëse u ke vënë mureve veshë… /Nga të pasmet... Mban erë mut, si pusht i qelbur!” /Nga ata bythëhapurit, që e japin kudo, por e ka të qelbur!/Palo alvanosin”/ Gjysma e dhjetëshes, pesë franga…/ Qimen tra do ta bënte etj.

 Fjalëformime: mirëmbajtës /gjithsekush /përzgjedhje /tetëorarëshit /kryeinfermieres/

kryegardianeje /jashtëqitjet /përditshme/ paajrosur/ zëvendësoja/ gjithmonë/ gjithëçka /përvetësimi/ pasluftës /seicila/ robdëshambret/marramendës/njëqind /njëmijë/ përgjigjesh/ derëbardhë/ nganjëherë/ dykatëshe/ shpërngulur/ paragjykime/ kësisoj/ përditë/dykanatëshe/ kundërshtonte / kartëmonedhe /mirënjohëse/ gjimbajtëse /shpërblej /marramendës/gjithkush /mesnatë /përjashtim /faleminderit /pesëkatëshe /kinematografie /menjëherë/ pambaruar /shumëfishin /posaçme/ kundërmonte /pangopur /asnjëherë/ marrëveshje/ përkohshme /gjithmonë /nëqoftëse/ përshembull/ njëqindëtat/ përfytyroja /hundëpërpjeta /gjithashtu /vetëvete /domethënë / njëkohësisht /ngaqë /kushedi /domosdo /kozmopolitizmin /pesëkatëshe/ pazakontë /gjithfarë /nëntoka /përsëritja /transoqeanikët /gjysëmerrësira /gjeratëhershëm /syhapur/ shpërfillur /amëshuar/ papërmbajtur/mesoburrë/ nganjëherë /përdredhur /homosexual/ shkapërdredhur / papërballueshme/ stërgjatur/ buzëgaz / njëzetave /përkrahja /pambrojtur/ ndërpresim/ nënkuptim/ bashkëpatriotët/ buzëqeshi/ mbarëvajtja/ paralajmërues/ keqësi/ tejzgjatur/ mirëqënia/përshëndetjeje /mesmoshën /kokoneje /nënteksti /ndërlidhjen/këmbëhapur/ gjokszbërthyer/derëbardhë/ vetëkuptohet/ derëzi/ mesogrua/ pesëyjëshe/ aerostat/ psikoterapisti/ njëkohshëm/ telenovelash/ përtejmja/ hamendje/ ndërgjegjevrarë/ shpirtmirë/ përbrenda/ plangprishëse/ bashkëfolësin / përtejtelit/ mëvonë/ vendimmarrëse/ drejtpërdrejt/ gojëmbël /papërgatitur /pasmesnatës /gjysmëhapi /parapagova /dorëheqjen /mbipërpjekjeve/ shumëfishoheshin /bashkëluftëtarët /vetëpërcaktohej /trupmadhi /hijerëndë/ bythëhapurit/ sahalëpirës/përgjysmuara /nëntëdhjetave/zootekniku/ stërmbesën/fjalëlëshuar/njëfarsoj/ luleshtrydhe/ nënpunës/ paragjykoheshin/ kriptografuara/ pakapërcyeshme/ rrugëdalje/ mjekërcjapët / punëdhënësit / mosmirënjohës/ kundërgaz/

 

Sëfundmi: 30 rrëfimet në formë tregimesh, të shkruara nga Grigor Jovani, janë rrëfime të përditshme, plot me dramacitet të madh njerëzor, ku njerëzit e moshës së tretë, të moshuarit, braktisen të sëmurë në një “klinikë/azil” që të kurohen, ose të vdesin aty. Autori me një gjuhë therëse, sarkaistike dhe herë-herë me humor, tejkalon ditët e tij, mes historive sa dramatike aq dhe jetësore, ku ndeshet me shkërmoqjen totale të familjes në shtetin fqinj. Fëmijët, duan vetëm pasurinë e prindërve por jo ato vetë, madje ata që nuk janë fëmijë të vërtetë, bëhen të tillë, për hir të dashurisë prindërore, një e vërtetë sa e hidhur, cinike dhe realiste, që ka mbytur botën moderne në emër të globalizmit, ku njeriu nuk është gjë tjetër, veçse një mbetje toksike që duhet hequr dhe çuar ne ferr, me varkën e Karontit. Tregime që lexohen, por edhe të bëjnë të reflektosh për veten, për njeriu dhe njerzoren, për dashurinë dhe mëshirën, për kohën dhe shoqërinë dhe mbi të gjitha, për jetën dhe amëshimin. Jeta është e shkurtër, është dhuratë nga Zoti. Duajeni atë dhe dashuroni, “NJERIUN” brenda saj!

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

 

 

Altieri, Alyssa T. (2020):  "A Review of Concise Literature: The Short Story Cycle," The Macksey Journal: Vol.1 , Article 138. Johns Hopkins university.

Allen, Walter. (1981): The Short Story in English. Oxford: Clarendon Press.

Bal, Mieke (2009). Narratology. Introduction to the Theory of Narrative. Toronto, Buffalo, London: University of Toronto Press.

Barker, Chris (2003). Cultural Studies. Theory and Practice. London, Thousand Oaks, New Dehli: Sage Publications.

Beachcroft, Thomas, Owen. (1965): The Modest Art. Oxford: Oxord University Press.

Eagleton, Terry (2007). How to Read a Poem. Oxford: Blackwell Publishing.

Frye, Northrop. (2000): Anatomy of Criticism. Four Essays. Princeton & Oxford: Princeton University Press.

Jovani, Grigor. (2020): Klinika, Athinë.

March-Russell, Paul. (2009): The Short Story: An Introduction. Edinburgh: Edinburgh University Press.

May, Charles. (2002): The Short story. The Reality of Artifice. New York: Routledge.

Silko, Leslie Marmon (2012). Storyteller. London: Penguin Books.

66 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page