Tema: Femërorja dhe postmodernia në poezinë e Desantila Qerimajt.
Nga Emi Krosi
Të futesh brenda poezisë së një femre, kushdo qoftë ajo, nuk do të thotë të jesh patjetër kritike, apo studiuese, por thjesht një lexuese. Një realizim artistik, por dhe për kënaqësinë estetike, që i afrohet lexuesit, duke stilizuar format e ndryshme të ligjëratave ekstra-artistike, nga buron dhe uniteti kuptimor stilistikor ku “ndikimet” jashtë botëpërceptimeve dhe situatave emocionale të poetes, kur përdor gjuhën në situata sociale specifike në formë interteskti (Allen: 2003). Modelet e shkrimit letrar femëror nuk kanë asnjë përcaktesë ndryshe nga modeli “mashkullor”, sepse dallimi “gjinor” mes feminizmit dhe femërores është keqinterpretuar gjithmonë, por ky lloj shkrimi nuk është çështje “margjinaliteti” por çështje forme, si pozicion i të shkuarit përmes poezisë: “Netët e brishta” (Qerimaj: 2020).
M’pëlqejnë netët e brishta
ku flaka lanë mbasdore e librave
m’kërkon prej larg...
Edhe dy fjalë të thanuna,
m’kishin pëlqye,
ndoshta të pakapshme, po un’ dij m’i përqafue.
Ti dhe asgjája
asgjája dhe ti.
Andrrës s’zbehtë të qiejve i shkoj përbri
shikimi i t’panjoftunve asht i ajrit e i tokës
m’asht plakë vetmia,
ajo që mban, që rrit, që shtetrrethon.
Jam gati me jetue shekuj,
për formën e kuptimit mbi dashninë.
Kështu u krijuen male nën urdhnimin tem.
Male mbrendë meje: madhështore
si lulja kur flet mbas shiut,
si fëmia kur qesh!
Flej zogëz e nanës.
Flej o nanë se un’ të mendoj.
Flej botë e papërqafueshme.
E kam hjedhë supeve terrin tand
në masa që m’shpagojnë.
Edhe n’mos më daç
Lumenjt’ e tu s’kam harrue me i lanë me
vërshue.
M’pëlqejnë netët e brishta
netë me at’ lloj zhurme qiellore
ku heshtja jote s’asht ma shumë,
se dy fjalë që s’pate kohë me m’i thanë.
(“Netët e brishta”)
Një poezi që vjen natyrshëm përmes, një shtrese tingëllimi, ku efektet speciale estetike, janë si veçantësi e muzikalitetit të së folmes së poetes, mund të shprehemi me termin “eufoni”, se këto dallime tingujsh kanë në themel: metrin, dhe ritmin, si synim jo vetëm të një realizimi artistik përmes vargjesh: m’pëlqejnë netët e brishta/ku flaka lanë mbasdore e librave/m’kërkon prej larg.../Edhe dy fjalë të thanuna,/m’kishin pëlqye,/ndoshta të pakapshme, po un’ dij m’i përqafue./Ti dhe asgjája/asgjája dhe ti./Andrrës s’zbehtë të qiejve i shkoj përbri/shikimi i t’panjoftunve asht i ajrit e i tokës/m’asht plakë vetmia, ku tingëllimi i fjalës [ti dhe asgjája/asgjája dhe ti] vjen përmes anaforës dhe epiforës, se kjo lloj poezie nuk ka ndonjë “strukturë” të caktuar ndërtimi, por është tendencë drejt vetvetores dhe referencë ndaj postmodrenizmit (Sarup: 1993). Poetia kërkon dashurinë, por një dashuri “shkullore”, një dashuri kaq njerëzore, ku kërkon [për formën e kuptimit mbi dashninë], e lumtur se e ka gjetur “lulen e çmuar” ndoshta që nga fëmijëria përmes vargjeve: jam gati me jetue shekuj,/për formën e kuptimit mbi dashninë./Kështu u krijuen male nën urdhnimin tem./Male mbrendë meje: madhështore/si lulja kur flet mbas shiut,/si fëmia kur qesh!/Flej zogëz e nanës./Flej o nanë se un’ të mendoj./Flej botë e papërqafueshme ./E kam hjedhë supeve terrin tand/në masa që m’shpagojnë./Edhe n’mos më daç/Lumenjt’ e tu s’kam harrue me i lanë me vërshue.
Teknika stilistike e postmodernizmit kalon deri në metamodernizën, ose thjesht si mosbesin ndaj metamodernizmit, qasja në formën e një metanarrative, është një teknikë postmoderne, që mund t’i nënshtrohet keqpërdorimit (Walker:1996 ), nëpërmjet një procesi strategjik të ndërtimit të poezisë:
- poezia si receptim narrativ,
- poezia si reflektim i kohës reale,
- poezia si përmasë (përtej)shqisore,
- poezia si masë individuale e vlerësimit të receptimit/pranimit,
- poezia si përpunim diskursiv përtej vetvetes, një mënyrë të ekszistencës semiotike si
aspekt edhe e një narrative kanonike në rrugën e shëndërrimit nëpërmjet potenciales (Fointanille: 1989). Tendenca zbutëse përmes vargjeve: m’pëlqejnë netët e brishta/netë me at’ lloj zhurme/ qiellore/ku heshtja jote s’asht ma shumë,/se dy fjalë që s’pate kohë me m’i thane, në formën e një përbetimi të heshtur dashuror, (jo të asaj dashurie intime), por një lloj tjetre dashurie, një
dashuri Universale, ajo lloj dashurie për njeriun dhe njerëzoren, të shkërmoqur në botëm moderne ku njeriu ndihet më vetëm se kurrë.
BIBLIOGRAFIA:
1. Allen, Graham: (2003), Intertextuality, Routledge, London.
2. Fontanille, Jasques: (1989), Les spaces subjectifs: introduction à la sémiotique de l’observateur, Hachette, Paris.
3. Qerimaj, Desantila. (2020): Arie t’krisuna, “Jozef”, Durrës.
4. Sarup, Madan: (1993), Poststrucralism and Potsmodernism, Great Britain, Ashford Colour Press Ltd, Gosport, Hampshire.
5. Walker, Thomas:(1996), Postmodernism and the study of the future, Futures Research Quarterly.
Comments