Elvira Zeneli: Një varg
- Apr 17
- 5 min read

Poezia e Elvira Zeneli ndërton një univers ku fjala lind si përjetim i brendshëm dhe shndërrohet në urë komunikimi mes vetes dhe botës. Tek “Një varg”, akti i krijimit poetik paraqitet si një frymëzim i papritur, thuajse hyjnor: vargu vjen si fllad, si rreze, si shi, duke u materializuar në letër dhe duke e shndërruar atë në një hapësirë të gjallë. Këtu poezia nuk është vetëm shkrim, por një proces shpirtëror që lidh ndjesinë me përjetësinë; vargu bëhet një “urë mes nesh”, duke e vendosur poeten në një dialog të heshtur me lexuesin dhe me vetë ekzistencën. Në “Ekzaltim” dhe “Magji”, Zeneli shfaq një ndjeshmëri të theksuar lirike dhe sensuale, ku natyra dhe figura e tjetrit shkrihen në një të vetme. Imazhet janë të gjalla, plot dritë dhe lëvizje, ndërsa dashuria nuk paraqitet drejtpërdrejt, por si një gjendje e ndërmjetme mes ëndrrës dhe realitetit. Figura femërore (apo e dashuruara) shpesh mitizohetsi shtojzovalle, sirenë, apo qenie e shenjtëruarduke krijuar një atmosferë të magjishme, ku ndjenja është njëkohësisht e brishtë dhe e përvëluar. Kjo poezi mbështetet në muzikën e brendshme të vargut dhe në përsëritje që forcojnë ritmin emocional. Ndërsa në “Lutje për tokën që më lindi” dhe “Edhe nën tokë do të të shkruaj”, poezia merr një dimension më të thellë ekzistencial dhe atdhetar. Vendlindja shfaqet si figurë amtare, e përjetshme dhe falëse, ndërsa malli dhe largimi bëhen pjesë e identitetit të autores. Në poezinë e fundit, komunikimi përmes letrës kapërcen kufijtë e jetës dhe vdekjes, duke e kthyer dashurinë në një akt të pavdekshëm. Këtu fjala poetike fiton peshë metafizike: ajo vazhdon të jetojë edhe kur trupi shuhet. Në këtë mënyrë, Zeneli ndërton një poezi ku ndjenja, kujtesa dhe dashuria bashkohen në një përjetësi të heshtur, por thellësisht njerëzore. (F. Terziu)
NJË VARG
Një zë, një fllad më vjen nga larg,
Puhizë e ëmbël sonte më ndjell,
Marr penën që të hedh një varg,
Ky varg i rrallë përjetë do ngelë.
Një varg si rreze që më afrohet,
E hedh të nxehtë përmbi fletë,
Fleta me petale zbukurohet,
Një varg shkrepëtime që zbret nga retë.
Dhe pushon ëmbël vargu mbi fletë,
Kjo fletë si një fushë lulëzon,
Ky varg si një rrëke shiu rrëshket,
Një varg që ëndrra të bukura zgjon.
E marr k’të varg të dëshiruar,
E ngre në qiellin e paanë,
Ky varg, oh, sa më kish munguar,
Ky varg si urë mes nesh më ngjan…
EKZALTIM
Ja, muzgu ra atje mes gjelbërimit pafund,
Lulet shumëngjyrëshe me ty binjakëzohen,
Nga mali vjen era dhe flokët t’i tund,
Vështrimet e ëmbla nuk të largohen.
Të vështroj herë tinzërisht e herë përballë,
Përpiqem, aromën tënde nga larg ta ndjej,
Por ti veç ngre qerpikët e bukur ngadalë,
Ah, mos e fshih shikimin e bukur, hedhur tej.
Dhe më bëhet se mbi ty derdhen ujëra të kristalta,
Nga burimet e krojeve që i ke lënë pas,
Si një shtajzovalle shpërndan drita të arta,
Unë veç me vështrime të ndjek nga pas.
Dhe ulem… endem me mendjen time të marrë,
S’di ç’të bëj teksa mes lëndinës të shoh,
Filloj grindem me veten si kurrë më parë,
Dua të jem aty… dhe shpirtin ta ngroh…
LUTJE PËR TOKËN QË MË LINDI
O nënë e heshtur,
ti që më mësove të ec pa më folur,
më mbajte në kraharor përpara se ta njihja botën
dhe më mësove emrin tim përpara se ta shqiptoja,
si mund të të harroj?
Vendlindja ime je ti-
jo si tokë, por si zemër që rreh nën këmbët e mia.
Në çdo hap ndiej frymën tënde,
në çdo erë dëgjoj zërin tënd,
dhe kur mbyll sytë, më përqafon aroma jote
si duar nëne që nuk plaken kurrë.
Më fale librat si dritë,
por më more pafajësinë si çmim.
Më mësove të shoh larg,
por zemrën ma lidhe fort pas teje.
Çdo dije ishte një largim i vogël,
çdo largim një mall që më rrite në shpirt.
Jeta më mori pa të pyetur,
siç merren bijtë nga shtëpia herët.
Më hodhi në rrugë të huaja,
më mësoi të jem e fortë,
por në çdo rënie,
unë thirra emrin tënd si lutje.
Sot jam larg,
por rrënjët e mia pijnë ende nga gjiri yt.
Jam rritur, por zemra ime kthehet fëmijë
sa herë të përmend.
Ti je atdheu im i gjallë,
nëna që nuk më qorton për largimin,
por më pret si të mos kisha ikur kurrë.
Nëse një ditë lodhem nga bota,
më hap gjirin tënd prej dheu,
më mbulo me heshtjen tënde të shenjtë
dhe më lejo të pushoj,
sepse askund nuk jam më e sigurt
se në dashurinë tënde pa kushte.
MAGJI
Ti je magji…
Përqark peme,
Cdo degëz e veçantë
Do të thotë “depërtim,”
Në rrathët magjikë,
Mbi bisqet majuce,
Dielli shkëlqen me rrezëllim.
Ti je magji…
Me zemër të dehur,
Me qafên e butë si mjelmë,
Mbështjellur me bukuri,
Valëvitesh si një sirenë
Mes hapësirave,
Mbyllesh në vetvete si një fshikëz,
Ku vlojnë ëndrrat përvëluese…
Ti je magji…
E kthjellët mes muzgjeve,
Mëngjeset kthehen në përjetësi,
Cdo gjë është e kaltër…
Rrezet krehin kurmin tënd,
Magji…!
Ti je magji,
Toka nën këmbët e tua frymon,
Era si harpë me tela fillon akordohet,
Një këngë zgjon,
Këngën e shqetësuar,
Ndërsa ti…
Ti ecën,
Troket fluturimthi,
E shenjtëruar.
Ti je magji…
Me emrin në cepin e buzës tënde,
Me gjëmimin e betejës në shpirtin tënd,
Me psherëtimat e kopështit të lulëzuar,
Me kurmin magjepës,
Ndërsa ti…
E gjallëruar,
Me vështrimin e sorkadhes zbukuruar.
Ti je magji…
Si një vocërrake prek sendet përreth,
Me dhimbje të ëmbël,
E dehur ecën…
Si mbi livadhishte të pasosur,
E brishtë,
E amshuar,
Në rrugën tënde të yjëzuar,
Si një magji…
EDHE NËN TOKË DO TË TË SHKRUAJ
Nga një tryezë poste që kurrë s’mbetet shkretë,
ku rrinë kujtimi, brenga, zemra dhe heshtja vetë,
si pëllumba letrat degdisen që me natë,
i ndiej tek flatrojnë drejt një shtegtimi të gjatë.
Dhe ja, ku jam rrethuar me burra e me gra,
të plagosur nga mungesat, nga ndarjet e mëdha.
Letra, pusulla, fjalë që nisen në hapësirë,
ëndrra ende pa çelur, mendime pa gdhirë,
të gjitha marrin rrugën drejt vatrës, drejt pragut,
si ndjenjë dërguar ndjenjës, si gjak dërguar gjakut.
Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.
Një shtresë e trashë pluhuri mbulon letrat që s’duhen,
aty zverdhen faqet, aty gërmat shuhen,
aty humbasin radhët.
Ku malli derdhur qe, aty jep shpirt gëzimi.
Pasi cepat u brenë, aty rropaten thellë
si ndjenjat e kaluara,
ashtu dhe dashuritë e tashme.
Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.
Po kur të shkruaj unë, do dridhet kallamari:
do skuqet boja e zezë me flakërima zjarri.
Se kur të shkruaj unë, do shkruajnë eshtrat e mia,
do shkruaj gjaku im, gjithë gulç nga dashuria.
Do marrë letra udhë, si shpend në zjarr kalitur,
me dy flatra të forta dhe një adresë të ndritur.
Si zog që për fole qiell-ajër do të ketë,
mishin, gishtërinjtë e tu dhe frymëmarrjen vetë.
Do mbetesh ti i zhveshur, tek dridhesh ngadalë,
i gatshëm ta ndiesh letrën pas gjoksit tënd të valë.
Dhe po të jem nën tokë,
që vdiqa ti mos thuaj,
më shkruaj dhe nën tokë,
se unë do të të shkruaj.
Një letër dje kam parë si mbeti pa zot,
mbi sy tek i flatëronte dikujt që s’ngrihej dot.
Letrat që mbesin gjallë dhe për të rënët tregojnë:
që regëtijnë si njerëz, veç sy s’kanë të shikojnë.
Kur dhëmbëqenzit rriten, unë ndiej pranë veshit tim
emrin e letrës sate, tamam si një gjëmim.
Dhe mos e marrsha zgjuar, në gjumë do e marr atë letër,
do të puth me mall —
edhe po pata vdekur!








Comments