top of page

Elegji për ekzilin e poetit Agron Tufa


Autori Ahmet Prençi dhe Agron Tufa

(poemth)

I.

U kris qelqi i kësaj vjeshte të vonë – plasi «krrak!» në qenien time. Gjethet shkapetur ndër trotuarë - vorbull e ligë me njoftime. U shprishën ngjyrat vajtje-ardhje. Tash endem jerm. Tash vij vërdallë.

Paske ikur miku im, këtij fillimdhjetori, pa kthim; paske fluturuar larg! Pas uturimës së fortë drithëruese, I beftë, i acartë ky largim.

Zemra jote e bukur nuk vret kënd! Por paske lënë pas fjalë të zjarrtë; tash ia dëgjoj krismat zërit tënd - pezmit tënd të qartë.

Tani shikoj dritën e fjalës tënde - shigjetë; shikoj tek çirren e shfytyrohen - medet, lukuni ulërimash - me zë e nën zë çakejtë, tan këto ditë-net, krejt terr e rrëmet.

II U arratise si ëndrrat; pas le mërzinë e ndjenjur si në cisterna, imazhet e këtij qielli të trazuar mbi ne. Tash larg të mësyn gangrenë pagjumësia, travajet e tua s'lundrojnë më mbi këtë dhè.

Përditën tënde këtu e le; S'do dëgjohen më hapat e tu trotuareve të Tiranës. Ke rrëmbyer vetëtimthi kujtimin e kafeneve, ku kushedi sa vargje përtype dhe harrove nën tymin e cigares.

Ti ike si në një lojë, si në fundin e ëndrrës.

Auditorët ligjërimit tënd s'do t'ia kthejnë jehun, le pezull vështrimet rinore që të donin përballë. Me zbrazëti në shpirt le miqtë që të deshën shumë, pa fjalë i le njerëzit që të kujtojnë plot mall.

Ti kërkove një botë më të mirë, të sigurtë, të paqtë, dhe pse më shumë do ferrin tonë, të dhimbshëm, të marrë. I ke kënduar bukur, me trishtim e mall; Të përzunë lakenjtë, banditë e trutharë.

Ikja jote gjëmon, bërtet, trazon, trondit. Ikja jote s’është si çdo ikje. Ti ike edhe për ne, por prore, e di, me besën e kthimit si një Promete…

Mundimet t’u shtuan këtij dhjetori të ftohtë, gjithçka e këtij dheu mungon këtij fillimdimri, asgjë tënden s'e gjen n'atë copë tokë, pret me ankth ç'do sjellë e panjohura, ikja, shtegtimi.

Çkurdisur ritmi i ditëve të tua ngarkuar, rënduar, malluar, trishtuar, mallkuar thellë e më thellë. Pret mëngjesin zgjuar, ngrysesh dëshpëruar me mendjen cfilitur, gjumin trazuar, O poet zemërmirë me shpirtin kështjellë.

III

Pse iku? - thonë, skërmiten, çirren, nostalgjikë, idhtarë, ata që mendjes tënde duan t'i venë prangë, kufi. Të syrgjynosur të duan, të vrarë, si në kohën e tyre, përsëri.

Ti të pushkatuarve u dhe zë e fuqi; të vdekur e gjysëm të vdekur i bëre të flasin, ndaj u zgjuan fantazmat e pëzishme e klithin n’agoni - fantazmat e kohëve mortore, në piskamë vikasin.

Shajnë, kërcënojnë, lajthisin, rrokullisen, përmbysen, humbin, rishfaqen e këlthasin, si hienat.

I bashkon nata, mënxyra në terrinë të ndërgjegjies së pistë moçal dhe aty, në pus të mëkatit, mllefngarkuar pëlcasin.

Po, si fantazma me kafka në duar u ngritën të babëzitur mizorët, kushtrim e vikamë lëshuan, në iso gërthasin, klithin për gjak; marrshojnë grushtbashkuar, sillen vërdallë gjirizeve të zeza. Vikasin të tjera kufoma, pa qefin e podille, kufoma fosile (kufoma që shkojnë e vijnë si Ponc Pilatë), Pa ritual…

Kërkojnë kokën tënde miku im, të dehur janë, të ndërkryer me urrejtje; të kërkojnë të vdekur, të kërkojnë të gjallë me ngulm kanibal.

E di ç'dëshpërim bluan atje larg, e di…! këto klithmat i dëgjon i çmeritur, po ëndërr e zhgjëndër për ty është Atdheu - Atdheu ynë i çoroditur në kërrusmë e brengë - i tkurrurr, i lodhur, në agoni- atdheu ynë i marrë peng.

Ti ke ikur dhe për ne… Ke parë? Këtu na dalin të tepërt dhe poetët! Ndaj të përzunë, ndaj të kërcënuan se janë të paanë në urrejtjen e verbët.

Ne të presim, të presim…

Ta shkruaj këtë letër pa adresë kësaj nate dimri - grirë në mërzi. Krejt, mbase do thinjem, deri në mëngjes, por këtë natë të vonë po e gdhij me ty. … këtë natë mallkimesh, nginjur – herezi.

12.12.2019 (E pa publikuar më parë)

50 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page