Elbasanit një fjalë rruge
Nga Fatmir Terziu
Ishte koha kur qyteti kishte kurorë,
kur takat e vajzave ishin kantautorë,
kur xhirrot e netëve të gjata kishin gojë,
dhe enigma mbetej tek „kë të dashuroj?!“.
Ishte koha kur kumuriat në formë zemre
bekonin në korr gurët e lashtë të Kalasë
kur këmbët bënin maratonë pas një lemze,
nëna po më thërret „ika, gati s'po pëlcasë“.
Ishte koha kur qyteti dremiste në këmbë,
kur Myzyri flinte mbi violinën e tij
e foshnjës i bëhej zgjimi me këngë
me lotin kristal të nënave me zjarr në sy.
Ishte koha kur qyteti u mbulua me politikë,
kur i dehuri bënte me shishet arithmetikë,
kur çiftet e reja nuk kishin errësirën frikë,
e njerëzit prisnin tashmë të dilte vetëm dritë.
Ishte dhe koha kur vetë qyteti u deh,
pa këmbët e tij tradicionale në ujë e pa raki
kur „Rra Faja nga fiku“ filloi e u zbeh
kur "Mamica" rrëmujë shpërthente në liri.
Ishte koha kur në këtë mjedis erdhe Ti
me sytë tek unë e lutjen e madhe në Zot
e ç’ta fsheh, u bëra palë në dashuri,
sikurse u lutëm dhe lutemi edhe sot.
Është koha që qytetin e kemi në zemër
brenda nesh ai është si një kristal
ne na mban me dritë ne i shtojmë emër
me vargun tonë e bëjmë më të gjallë.
Është koha kur qyteti na lexon nga larg
e udhëve të tij i përcjell me mall
fjalët, mesazhet, dashuritë në çdo varg
e qetësisht na pyet nëse kemi ndonjë hall?
Është koha kur heshtja s'është modesti
e duam kur na do dhe qyteti ynë i radhë
me të duam të mbjellim vetëm dashuri
për të gjithë që janë dhe s'janë nga ai bark.
Është koha kur qyteti është në dilemë
kur ende vlerat bosh gëlltiten me lugë
kur intelektualët poshtë karikaturave flenë
e emrat e karikaturave emërtohen mbi rrugë.
Comments