top of page

Ekzistenca e dëshirës...


Ekzistenca e dëshirës dhe kënaqësisë është e papajtueshme me diskurset mbizotëruese

(Një gotë verë përjetësie me lirikën e poetit Jorgo Bllaci: 1938-2001)


Fatmir Terziu


Hyrje


Nëse do të mund të prisja të gjitha „shkurret“ poetike, natyrisht do të duhej të sha Naimi. E të ngjitesha në çdo pemë në këtë botë, nuk do të guxoja, pa kuptuar edhe rrënjët që mbajnë shkurret. Ka shumë vende ku pemët janë të rethuar nga shkurret. Ka shumë vende ku nuk ia vlen të ngjitesh. Unë i zgjedh pemët e mia, sikurse truallin, që e punoi poetikisht qilizëm Naimi ynë i Madh, me qëllim të dalloj fidanët e mbarë. Dhe e bëj këtë sikurse zgjedh frymëzuesit e mi. Ka frymëzime në këtë botë, që më duhen më shumë se të tjerët, frymëzime që më bëhen përditë e më shumë mësime, dhe që më bëjnë të gulçoj me kapjet e duhura jetë-poetike që të mbajnë pastër timbrin e bukur në gjuhën time. E jo më kot e përzgjodha Jorgo Bllacin që i këndon tipologjikisht Lasgush Poradecit të papërsëritshëm:

Naimi preu shkurret, shkuli ferrat,/pastaj qilizmë truallin punoi;/fidanët mbollën me durim të tjerët/dhe vreshti i bukur shpatin gjelbëroi./Kur vajta unë atje–më tha Lasgushi,/një mbrëmje buzë gjolit tek shëtisnim,/hardhitë kishin lidhur vile rrushi,/por, kemi etje, dukej sikur flisnin./Atëhere ç’bëra? nëpër shkëmb' të malit,/një brazdë hapa deri te burimet/dhe më së fundi, ujërat si kristali/u derdhën nëpër të me mërmërimë.” Timbri i shkëlqyeshëm i gjuhës shqipe, poetike, si një Tempull Fjale në lartësi.

Nëse do të kishte një tempull në bazën e Malit të Gjerë, do të isha personi i parë që do të shkoja atje pa kërkuar asgjë në lutjet e mia. Do të hapja „Ligjërimet e Pyllit“ (1964), e do të mësoja në vitlindjen time që ky mal mbante gjithçka që mund të përdorja brenda barkut të tij. Dhe do të kisha vetëm për të arritur aty në bërthamë të tij me „Epika(t) e Trëndafilave“ (1990).

Por nëse tempulli hyjnor do të ishte në majë, nuk do të shqetësohesha, ka gjëra që duhet të mësoj t'i bëj dhe ngjitja në male nuk është njëra prej tyre, ajo mund të shterojë e të pasojë me „Zërat e natës“ (1993), sepse ka shumë probleme këtu në Tokë dhe nuk kam nevojë të prek qiellin për të ditur se edhe Qielli i ka marrë këto zëra problematikë. E aty do të ndihej me siguri „Kuja e violinës“ (2007). Do të ishte një Parajsë poetike.


Leximi lirik në atë lartësi


Nuk mund ta imagjinoja një Parajsë pa një ngjitje të mirë në atë majë. Nuk ka gjë të tillë më lirike se ajo që mbart leximi lirik në atë lartësi. Është më shumë si gëzim i ndjeshëm, motivim i pastër, i pa trukuar, i parregulluar. Dhe aty lirisht mes lirikave mëson nëse do të jesh i lumtur për përjetësinë, për vazhdën ku duhet të ngjitesh, duke ditur se mërzia do të jetë e vetmja gjë që është gjithmonë jashtë mundësive të tilla. Do të jetë e tillë, sepse gëzimi pa asgjë për ta krahasuar në majë, në ngjitjje është plotësisht dhe krejtësisht i pakuptimtë.

Zoti im, ai do të më jepte këtë shans leximi, dhe mes leximit vetë ngjitja do ta kuptonte atë. Ngjitja do të më lartësonte mbi re, por do të vazhdonte të më vinte pengesa në mënyrë që të dija lavdinë e të ndjerit krenar për atë që dikush ka arritur mes lirikave të tilla. Por Zoti im ekziston vetëm në leximin e poezive të tilla, kështu që ndërsa unë jam akoma gjallë, ju mund të vini bast se do të ngjitem akoma.

Ata pemë nuk do të kenë një degë të paprekur, ka një pyll të tërë që pret të marrë frymë me sekretet e tij në venat e mia dhe kam në plan të jetoj atje derisa të ngopem.

Kur të jem i plotë, do të jem i lumtur të shkoj në Parajsën tënde për sa kohë që ka vullkane me bark më të thellë, se sa mendoj,… se do të arrij ndonjëherë. Gjithmonë ka diçka të ndryshme për të mësuar.

Ka gjithkush për të mësuar, edhe kur Jorgo Bllaci, i këndon nga lartësia kujtimit të Lasgush Poradecit, edhe kur poeti i ka kënduar, si një detyrim i dashurisë lirike, poetike, diskursive, jo thjesht tek „Vreshti i poezisë“, por tek hardhitë që kishin lidhur vile rrushi:

„Përmbi bastun e shtoi si nëpër lot:/—E keni rradhën ju për ta punuar/Këtë të bukur vresht, pa shok në botë./Ta rritni të shëndetshëm, ta selitni,/Ta doni si thesarin më me vlerë;/Dhe neve, që aty e lamë shpirtin,/Na sillni nëpër mend ngandonjëherë!…“.

Ndoshta ka dashur ta thotë me zemër të ndjerë, na sillni nëpër mend ngandonjëherë, duke ngritur për ne një gotë verë… Një gotë verë për poetin Jorgo Bllaci. Një potë verë për një poet të njohur, që studioi për Gjuhë-Letërsi shqipe, që punoi së pari mësues, dhe pastaj përkthyes dhe që u burgos për tre vjet më 1964-1967, nga regjimi i asaj kohe për arsye politike. Bllaci punoi si punëtor ndërtimi, ndërsa në vitin 1990 u kthye përsëri në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. E në këtë shkurrnajë jete, të pështjellur me tise dhe tentakula rrjete të thurrur nga merimangat e kohës, Poeti kishte „Dëshirë“: „dua të gjurmoj pareshtur/porsi lisi majë malit“.


Dëshira që prodhon emocionet e poetit


Pamja e dëshirës së Bllacit që del nga ky eksplorim është ajo e dëshirës së shprehur në akte vetëkrijimi dhe vetëartikulimi. Tek kjo poezi tipologjike e Bllacës, natyrshëm në formën diskursive shfaqen afinitete midis poezisë tjetër shprehëse, dramatike dhe narrative të autorit. Tonet e reja, ironike, trishtuese dhe disi 'humoristike', dëgjohen krahas deklaratave të përmbajtura dhe të sinqerta që janë argumentuar se përbëjnë ligjërimin e dashamirësisë poetike të diskursit poetik. Dëshirat e poetit ndiqen dhe kryhen në mënyrë të vetëdijshme brenda një konteksti në të cilin mbizotëron interesi vetjak, si interesi për veten ashtu edhe sipas interesave të tij, ndaj jo më kot shprehet poeti „Më vjen turp të qaj i heshtur,/si një shelg përbri moçalit!“ Kjo është gjendja. Kjo është ajo që qesëndis zemra dhe mendja e poetit. Se ndryshe dëshira në këtë poezi nuk do të ishte diskurs më vete.

Këtu tek kjo poezi, 'Dëshira' është gjithmonë dëshira e Tjetrit. Por, ajo që i mbetet poetit është fakti dhe metafora që i duhet të zbresë në vargun e tij, për të mos e dorëzuar veten në „moçal“, që dhe pika evetme e lotit mos të bjerë aty se ndryshe poeti e ka dëshirën në lartësi „se n'u dashte të zhuritem/do zhuritem majë malit/po s'do qaj e s'do nemitem/i përulur, bri moçalit.“ Në këtë varg sikurse në vargjet që plotësojnë këtë dëshirë ka një 'hapshmëri“ dhe 'ndershmëri' subjektive. 'Hapshmëria' dhe 'ndershmëria' që gjejmë tek ajo rrallëherë dëshmohet te realitetet e pakta poetike të kohës, që në fakt kanë qenë në një shkallë më të vogël: „degët e fuqishme dua/të më tunden nëpër erë/papushuar përmbi mua/borë e virgjër le të bjerë.“

Në këto dëshira të Bllacit ka natyrshëm emocione. Emocione që i prodhon vetëm një gjuhë e përzgjedhur, një gjuhë që sikusrse Gustav Flaubert[1] tek „Zonja Bovary[2] shprehet „Gjuha është padyshim një makinë që vazhdimisht prodhon emocione“. Emocione të tilla janë mjaft kuptimplote dhe lexohen edhe „sipër akujve të ftohtë“, pikërisht aty ku poeti kërkon të na shpjegojë me intuitën e tij thelbin e tyre brenda vetë diskursit të dëshirës „do të ngjitem gjer te retë/s'do më vijë keq në ndodhte/të zhuritem nga rrufetë!'

Në një moshë të brishtë, në një moshë që kapërcente vetëm një vit mbi moshën e përcaktimit të lirisë individuale, atë të tetëmbëdhjetave, Bllaci do të shkruante me një arsye të frotë për dëshirat që kumbon ende sot: „Kaq dëshira ne po mbajmë fshehur,/sa dhe vetes trembemi t’ia themi,/rrugeve të jetës, si të dehur/endemi dhe s’dimë se ku vemi…“(Jorgo Bllaci: 1957 (19 vjeç). Tre vjet më pas sërish kemi një thirrje sublime „po nga mjegull’ e kohës së ikur,/ndodh që shpesh ndonjë zë na jehon/mallëngjenjës,i largët, i mbytur,/dhe padashur në shpirt na trishton…“ (1960).


Konkluzion


Koha rrjedh dhe sjell në tryezën e madhe poetike dhe vetë atë që e nderon këtë penë të bukur, të lexueshme, të pastër e të virgjër, me një dëshire sublime që përshpirtet tek „Mjeshtër i Madh“ (2004) pas ikjes në atë lartësi të përjetshme. E nga lartësitë e atjetejshme Bllaci pret dhe përcjell ëndërrat dhe dëshirat e tij lirike mbi një mal, mbi Lunxhëri, mbi Gjirokastër, mbi nëj fshat të vogël që lindi këtë poet të madh të natyrës dhe dashurisë për të cilin Fan Noli ka thënë : “Jam i lumtur që pyjet e mëmëdheut paskan bilbila të rinj që aq bukur ligjërojnë…”. Karjani ende përcjell hapat dhe trokamat e vockla të fëmijërisë që solli Zoti në jetë në vitin 1938, që të bëhej pasqyra lirike e kohërave, pena e fuqishme e frymëzimeve dhe përkthimeve që mbajnë talent,, mjeshtëri dhe vrull jete.

Të gjitha janë një grusht emocionesh që nuk vdesin, një grusht dëshirash që mbajnë lart metaforat dhe shpirtin që i mban gjallë ato, pikërisht aty ku nisi një jetë e ndjeshme poetike, aty „Ku gur më gur guguçja rri këndon/Dhe këng` e saj jehon nëpër lugina,/Në gjoks të shkëmbit t`egër lulëzon,/dhe kundërmon me erë trëndelina.“ Ndaj ai mbeti në kujtimet e lexuesve të tij, zonës që e lindi dhe e rriti dhe tërë dimensioneve të tjera që mban tërë vendi. Për këtë Bllaci foli qartë dhe hapur se ekzistenca e dëshirës dhe kënaqësisë është e papajtueshme me diskurset mbizotëruese

[1] Gustave Flaubert ishte një romancier francez. Me shumë ndikim, ai është konsideruar si eksponenti kryesor i realizmit letrar në vendin e tij. [2] Kryevepër e Flaubert, Madame Bovary (1857), një portretizim realist i jetës së kohës së tij.

33 views1 comment

1 Comment


Bardhyl Maliqi
Bardhyl Maliqi
Jun 25, 2022

Shkrim i mirë, respekte pa fund për mikun tim të ndjerë Jorgo Bllaci.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page