Eksperimentojmë ende me ecjen


Eksperimentojmë ende me ecjen

Fatmir Terziu


Ti ecën. Edhe une ngjaj si i tillë në sytë e tu. Logjikisht ecim. Ecim me një udhërrëfyes, që duket se na tregon vetë situatën ndërveprimore në të cilën ndodhemi. Ndryshe kot të rikrijova ty? Të gjeta së pari, pastaj të promovova. Të promovova dhe të sprovova. Të pashë në të dy rastet kur ecën nëpër një shtëpi të përhumbur. Aty të ndoqa me imtësi. Ti ishe edhe sprova. Ti ishe dhe udhëzuesi. Ty të kisha dhe strategji. Kjo strategji më duhej për të ristrukturuar shtëpinë e përhumbur në një mënyrë të pazakontë. Kjo është një mënyrë e kuptueshme. E kuptueshme për t'u dhënë njerëzve një këndvështrim tjetër. Një hamendësim ndryshe për përvojën e një shtëpie të (për)humbur. Kjo mënyrë mbetet në planet e mia. Dhe si e tillë me këto plane të zgjodha e përzgjodha për të përjetuar një shkundje të duhur. Kjo shkundje lejon njerëzit të jenë të kënaqur. Të kënaqen me atë që shfaqet. Të shohin kënaqësi me atë që ngjan se shfaqet. Kjo mund të jetë vetë përvoja e re. Kjo mund t'u ofrojë atyre që ta analizojnë atë shumë më thellë sesa thjesht përvoja. Kjo është mënyra se si një ecje e tillë është jo thjesht eksperiment. As thjesht një ecje duale. As dhe një udhëzues i ecjes sonë që i sjell njerëzit në një dimension tjetër të të kuptuarit. Të të kuptuarit?

Vitet që eksperimentuam u ngjajnë në formatin kohë shekujve. Për shekuj të tillë filozofët dhe mendjet e tjera të mendimit kanë formuluar modele se çfarë është logjika. Me to është bërë përcaktimi i termave për të kuptuar logjikën. Me to është bërë modelimi për të formatuar filozofinë, ma dje edhe fenë. Me to janë bërë dhe kontradiktat. Dhe kontradiktat është menduar se do t'u sigurojë njerëzve mjetet për të kuptuar bindjet e tyre. Kjo do t'u tregojë individëve se çfarë po ndodh qartë me njerëzit në kohën tonë të ecjes duale. Në këtë kohë me trupin dhe me hijen në një similtante ecejakesh, Ka shumë gjëra në këtë dualitet për t'u adresuar në sistemet e tilla, po aq dhe mes besimeve të njerëzve, po aq dhe për modelet që ata përdorin për të kuptuar logjikën. Për shembull, një telefonatë dhe një intervistë e dedikuar rezulton në një shans për të bërë pyetje nga një sprovë në këto kohë. Në këto kohë kur ne vazhdojmë të eksperimentojmë ende me ecjen. Në këtë kohë…, ti flet ende me hijen. Do kohë që të flasësh për gjërat. Do kohë…

Gjërat funksionojnë. Kjo është logjika. Nëse ka një gjë që ne kuptojmë pas gjërave ajo që mbetet themelore i përket logjikës. Logjika sigurisht që mbetet deduktive dhe induktive. Unë të solla mes sprovës përkufizimet e arsyetimit deduktiv. Më saktë zbritja. Dua të të rikujtoj se zbritja, është një nga dy llojet themelore të konkluzionit logjik. Një përfundim logjik është një lidhje nga një pohim i parë (një "premisë") në një pohim të dytë ("përfundimi") për të cilin rregullat e logjikës tregojnë se nëse thënia e parë është e vërtetë, thënia e dytë duhet të jetë e vërtetë ". Ti dikur më kishe folur mjaft hapur për zbritjen. E këtë zbritje nuk e dëgjuan vetëm veshët e mi. Atë e dëgjuan mjaft veshë të tjerë. E dëgjuan se mezi e prisnin zbritjen. Ky ishte arsyetimi deduktiv. Pra ti doje që atëherë të ndodhte zbritja. Po sot pse e ke të vështirë? Pse nuk e kupton tani arsyetimin deduktiv?

Po ta sqaroj me fjalë të tjera arsyetimin deduktiv. Ky i fundit kalon nga një pohim i përgjithshëm në një pohim specifik. Besoj të më kesh kuptuar. Sepse tani po shkoj tek arsyetimi induktiv. Ai është e kundërta. Por, logjika është arsyetim. Dua të të them se ne ecim dhe ende eksperimentojmë ecjen. Ecim në ato shtigje logjike, matematike, filozofike e …, pra ja ku po ta them se të gjitha këto janë forma të logjikës për të klasifikuar dhe formuluar mendime. Nëse dikush deklaron se kjo është thjesht një model i realitetit, a do të ishte diçka e përkohshme? Përgjigja është e diskutueshme dhe mund të kuptohet në mënyra të ndryshme. Kur formulon logjikën, së pari duhet të pranosh se çfarë do të thotë logjikë. Disa njerëz si ty, kanë nevojë për modele të zakonshme për të kuptuar atë që quhet realitet fizik dhe jo-fizik. Të lodha më duket. Po ti qëndro më mirë tek zbritja! Ajo vetvetiu hyn në një damar filozofie.

Filozofia përcaktohet si dashuria për mençurinë. Urtësia vjen në dy forma: e vërteta dhe vlera. Vlera është edhe kuptimi. Mënyrat në të cilat arrijmë të vërtetën dhe vlerën. Mënyrat ku kërkojmë kuptimin. Këto përbëjnë filozofinë. Po shkurt tani, ty të duhet logjika. Logjika, është studimi i drejtpërdrejtë i së vërtetës dhe të gjitha metodave që qeniet njerëzore e arrijnë atë. Largohu nga frika. Largohu nga frika e zbritjes. Moslargimi të delegon tek frika. Frika të sjell kontradikta, madje akoma më të mëdha se këto që të prodhon frika nga zbritja.

Një kontradiktë e tillë do të ishte një sallatë deklaratash, ku në atë tas nuk mund të jetë deduktivisht e vërtetë përzierja kontradiktore. Kjo do të thotë, nëse dikush dihet se është i vërtetë, tjetri mund të dihet se është i rremë. Një sistem besimi që përmban të dyja pohimet e tilla tregohet i paqëndrueshëm për shkak të kësaj kontradikte. Po ne mirëpresim zbritjen. Mirëpresim. Edhe pse ende ksperimentojmë me ecjen.

22 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif