EKONOMISTI PA SHKOLLË EKONOMIKE


Mentor Serjani

GODO XHAFERI EKONOMISTI PA SHKOLLË EKONOMIKE, NIKOQIRI I FSHATIT!

Godo Xhaferi (1926-2008)ishte i biri i Lulos, njëri nga fshatarët tanë që kishte më shumë bagëti në fshat. Lulua e kishte vënë mallin me djersën e ballit. Lulua ishte analfabet, por zotëronte në menyrë perfekte gjuhën e shënjave, e cila njihet edhe shkencërisht. Bagëtitë kanë një veçori interesante. Mund të ngjajnë nga trupi, por faqen e kanë të veçantë, shënjën e faqes, formën dhe ngjyrën e kanë të ndryshme nga njera-tjetra. Pikërisht në këtë shënjë dhe ngjyrë i njihte Lulua bagëtitë e tij dhe kur ndonjëra mungonte, ai thoshte se mungon «filan» dhi ose dele, kec apo sheleg, cjap apo dash. Secila kishte një shënjë të veçantë. Emrat e këtyre shënjave janë mjaft interesante dhe përbejnë atë që quhet FJALORI I ÇOBANEVE (ZHARGONI I ÇOBANEVE). Këta emra janë të perhapura kudo në Labëri e në të gjithë popujt, kurse Malesia e Veriut të Shqipërisë, Shqipëria e mesme, Vllehët etj kanë emërtimet e tyre sipas dialekteve e gjuhëve, por një pjesë e madhe afrojnë me njera-tjetrën. Lulua kishte deri në 400 kokë bagëti të imta. Godos, për ta treguar bir te denjë të babait, i thoshnin edhe Godo Lulua, kur njerëzit tregonin histori ku delte në pah zotësia dhe mëncuria e tij.


GODO XHAFERI

Ndërsa «gegët», punëtore sezonalë dimërorë që vinin nga Veriu, (Kukësi), për të punuar në arat tona, pasi vendin e tyre e mbulonte bora, e thërrisnin sipas dialektit të tyre, Goda! Po kështu edhe bashkëfshatarët e tjerë, emrat e të cilëve mbaronin me «u», i kthenin në gjininë femerore si: Alia (Aliu); Remzia, Kadria, Siria, Avnia etj. Godua, si të gjithë fëmijët e brezit të tij dhe vëllezërit të tij, do të kalonin vështirësi të mëdha, për shkak të përfshirjes së vendit në të dy luftrat, ate të parë dhe të dytë botërore. Godua mbaroi arsimin fillor në fshat. Nuk iu krijuan rrethanat që të vazhdonte më tej, megjithëse kishte talent në matematikë. Me pushtimin e vendit nga Italia fashiste, më 7 prill 1939,e më pas, me fillimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, u inkuadrua në Grupin e Parë të Kurveleshit, deri në Çlirimin e vendit. Pas Çlirimit të vendit u angazhua në bujqësi, si një punëtor i palodhur në mbjelljet, shërbimet, korrjet e shirjet e drithërave të bukës, në malin e Lavanit, me pelën e tij të bardhë. Me kolektivizimin e bujqësisë dhe krijimin e kooperativës bujqësore, më 1956, në fshat, Godua u caktua si brigadjer, ku u dallua si një organizator, specialist dhe llogaritar i zoti, deri në krijimin e NB Lukovës, ku kooperativat e mëpareshme të bashkuara, u ristrukturuan si sektorë të saj.

Me fillimin e punimeve për hapjen e tunelit Tatzat-Sasaj, në vitet 1971-1977, punoi si magazinjer dhe mirëmbajtës i veprës ujitëse Sasaj-Lukovë, e cila, në atë kohë, kishte kaluar nga Ndërmarrja e Bonifikimit, në Ndërmarrjen e Ujrave të rrethit të Sarandës. Në këtë ndërmarrje punoi derisa doli në pension, duke iu përkushtuar familjes. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij në shërbim të ekonomisë kooperativiste dhe asaj shtetërore, u dallua si punonjës dhe kuadro, i devotshëm, i disiplinuar me normat e moralit e sjelljes së një morali të lartë shoqëror e shtetëror. Gjithmonë në krye të punëve. Godua nuk bëri shkollë të mesme për ekonomist, por ama me talentin dhe zotësinë e tij, ishte plotësisht si i tillë. Atij i dhimbsej puna, pasuria e popullit dhe mendohej e mundohej kurdoherë të realizonte variantin më te mirë të mundshëm, më efikas, më me rendiment, me kosto sa më të ulët e fitim sa më të madh.

Ishte shumë nikoqir në shpenzimin e ditëve të punës. Kishte një dashuri të veçantë për bujqësinë e veçanërisht për frutikulturën. Rreth e rreth shtëpisë mbolli pemë të gjithfarëllojshme. Ishte ende i fortë fizikisht. Meqë në të kaluarën kishin pak tokë, hapi taraca dhe mbolli shumë rrënjë ullinj. Lavdërimi, vëllai tjetër i tij punoi si shofer në Parkun e Spedicionit Tiranë. Vëllezërit e tjerë, Uzeiri, Selmani e Bajaziti punuan si punëtorë në bujqësi e blegtori. Nuk mund të rrimë pa përmendur bashkëshorten e tij, Vejushen (Vejon), një nënë shumë e dhëmbshur e bujare. Ishte e drejtë, çdo gjë ta thoshte hapur, në sy, ishte zemërmirë e pa cmirë e kaste. Fatkeqësia e parë për Godon ishte largimi nga jeta e Vejos, kurse fatkeqësia e tyre e përjetshme ishte vuajtja që përjetonin çdo ditë e çdo orë për një vajzë e për një djalë te tyre që ishin të sëmurë . Deri diku lehtësoheshin nga djali tjetër, Burimi dhe vajza, Valentina që mësuan, u shkolluan, krijuan familje dhe lindën fëmijë. Gëzimi i gjyshërve qe i madh, por edhe dëshpërimi po aq, nga ana tjetër. Por është për tu përmëndur dhe përgezuar kontributi i motrës së Vejos, Besimesë, e cila u kujdes për të sëmurët , Ilirjanin e Marianën, pas vdekjes së prindërve të tyre. Besimeja i trajtoi ata si fëmijët e vet. Por edhe ndaj familjes sonë, Besimeja dhe bashkëshorti i saj Etemi, kanë qënë të gjëndur, kudo e kurdoherë, pasi babai ynë, Remziu i kishte të bënte të dy, njërin nip e tjetren mbesë. Të dy këta shumë të dashur e bukëdhënë.

Por le te kthehemi tek Godua. Godua me Vejon, ngjanin më shumë si vëlla e motër sesa si burrë e grua me njëri tjetrin. I jati i Godos Lulua ishte i urtë e muhabetçi. Kishte të bënte me Hader Hadon në Delvinë, i njohur aso kohe si guximtar i patrëmbur dhe mjaft i zoti. E jema, Zenua shumë e mirë, pritëse e bukëdhënë. Godua ishte edhe një kthyes shumë i talentuar i këngës lapçe. Këndonte shumë bukur edhe këngën e vjetër '’Moj, kunavi-ja, leshverdh-o!’’ Lulua shihte shumë larg nga sytë. Jo vetëm që nuk përdori kurrë syza, por e ruajti shikimin për një kohë të gjatë. Një ditë nga ditë Godua shinte grurë me pelën e tij të bardhë, në Qafë të Lëmënjëve. Lulua i shikonte që nga shtëpia e tij në fshat. Lulua i shoqëronte me sy të gjitha veprimet që bënte i biri: kur e filloi shirjen; Kur i bënte pushimet, kur e mbaroj shirjen, kur e mbuloi pelën më një qilim që të mos ftohej, pasi kish djersitur, sepse në Qafën e Lëmenjëve kishte shumë erë etj. Kur, i biri u kthye në darkë, në fshat i ati i tregoi për të gjitha veprimet që kish bërë gjatë ditës. Godua i çuditur e pyeti se kush i kish thënë. Lulua i tha se e kishte parë vetë që nga shtëpia. E kish parë të birin vete. Ishte me gjithë plakën e tij, Zenon. Kësaj i kish thënë fillimisht:- Ja tek shin grurë me pelë, Godua, më Qafë të Lëmënjëve. – E ku, nuk shoh gjë,- i qe përgjigjur Zenua. – Nuk e sheh ti, po e shoh u, i kish thënë Lulua, dhe kishin ndënjur të dy atje, para shtëpisë, gjersa Godua kish mbaruar punë. Distanca në vijë ajrore, nga shtëpia e Godos e deri atje në mal, duhet të jetë në vijë ajrore, rreth 1000 metra, në mos më shumë. Në fshat vinin kepucarë dhe teneqexhi nga Delvina dhe Lulua e kalonte ditën duke u llafosur me ta. Ky ishte Godua ynë, i paharruar në zemrat dhe memoriet tona.

Mentor Serjani, Gusht 2020.

75 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif