Nga FIQRI SHAHINLLARI
EFEKTI I KRITIKES
Pandemija Covid 19 po na i mer të keqen, po ikën nga sytë këmbët. Mirëpo buzëqeshja do vazhdojë tek njerzit sikur qeni qepën të hajë. Arësye ka sa të duash qoftë edhe përmes kujtimeve siç thotë kjo rrëfenjë që sapo m'u kujtua kur shumë vite më parë isha me shërbim si gazetar në rrethin e Vlorës..Në paçi kohë e durim dëgjojeni rrefenjën e vërtetë...
Në pushimin e drekës po zhvillohej një mbledhje e rëndësishme e brigadës aty në bregun e Lumit të Vlorës,poshtë hijes së Shelgut të Madh. Kishte shkuar vetë kryetari i kooperativës. Kishte arsye. Kjo brigadë e kishte bërë baltë fare. Nuk respektohej disiplina në punë, disa anëtarë të brigadës dilnin në punë kur dielli kishte shkuar dy hostenë në qiell, puna bëhej shkel e shko se, në vënd që të prashitej misri e të shkuleshin barërat e këqia, ato mbuloheshin me dhe’ dhe, kështu tok me misrin prashiteshin edhe barishtet. Rezultati dukej në rendimentin e pakët dhe prodhimin për faqe të zezë. Kishte dhënë e kishte marë brigadieri për ta bindur brigadën të respektonte orarin e punës, që ajo të bënte punë me cilësi të mirë e të tjera pososira por fjalët e tij ishin tretur si kripa në ujë. Kooperativistët e brigadës së tij ia kishin pirë lëngun autoritetit të brigadierit. Kjo ishte arsyeja që ky kishte thirrur kryetarin që t’i fliste një çikë më ashpër e t’ia mblidhte rripat brigadës. Bile, disave t’ua bënte rrup sup. Se e kishin djallosur fare si në disiplinë ashtu edhe në cilësinë e punës. Para se të shkonte kryetari në mbledhje, midis atij dhe brigadierit ishte bërë kjo bisedë e shkurtër: -Mirë o mirë, do të vij nga dreka, megjithëse jam i zënë deri në grykë nga punët e shumta-i kishte thënë kryetari brigadierit. Do të vij se ajo brigada jote e ka bërë elaq fare. Po ti me thuaj ndonjë shembull që ta përdor si argument në bisedën time me brigadën tënde. -Dakord. Më keq në zbatimin e orarit është Shaqo Kokërdhoku. Ka edhe të tjerë. Ka edhe të tjera po të duash. -Po cilësinë kush e shkel në punë? -Eh, ka shumë. -Nuk do të ze me gojë tërë brigadën unë. Më jep një ose dy emra. -Është Izeti, Fitnetja, Shaqua, Fer…-Mjaft, se ma shpife! Një o dy emra më thuaj!.. Prapë Shaqua? Lere, lere se do manovroj vetë-përfundoi kryetari. Dhe ja, mbledhja filloi. Gratë lanë mënjanë shtizat e thurjes së çorapeve dhe fanellave prej leshi për dimër të cilat i vinin në punë kur bënin pushim nën hijen e shelgut çdo ditë. Burrat ulur këmbëkeyq i mbajtën në dorë ende kleçkat me të cilat gërmonin tokën para këmbëve. Brigada në fillim dëgjoi brigadierin i cili falenderoi kryetarin që kishte begenisur të vinte deri aty për të biseduar me brigadën, porositi që ta dëgjonin me vëmëndje kryetarin e të mbanin qetësi. Brigada, tërë sy e veshë, po priste të dëgjonte të madhin e kooperativës, një pesëdhjetepesëvjeçar të cilit i ishte hapur nami në tërë fshatin dhe krahinën si njeri me namuz, që nuk përdorte fjalë fyese dhe të pista, as në muhabete dhe as nëpër fjalime në fshat, siç bënte, fjala vjen, kryetari i këshillit të fshatit. Kryetari i kooperativës kishte zëvëndësuar të parin, një ish partizan i cili, ditët e para të kooperativës së re, në mungesë të zyrës, i mbante dokumentat e shkresat nën qylafin e kokës. Kështu, me shkresa nën qylaf ai shkonte në qytet kur e thërrisnin nëpër mbledhje. Ndërsa ky, kryetari i tanishëm, ishte ndryshe, jo si ai i pari, pasi kishte kryer studimet dy vjeçare në Institutin Bujqësor në Tiranë, kishte zyrë me tavolinë, karrige, me telefon, kishte kooperativë të zmadhuar. Dhe ja tek e mori fjalën. Falenderoi brigadierin për ftesen që i bëri të fliste para tyre dhe u hodh drejt e ne temë: “Po ç’tu thom unë më tepër, nga ato që u ka folur brigadieri juaj zemërmirë more vëllezër? Unë çuditem xhanëm, si nuk kini cipë e të turpëroheni kur shikoni e dëgjoni se si brigadat e tjera të kooperativës sonë janë në pararojë, siç janë e para, e treta. E katërta ka marë flamurin, ju e dini, për rendimente të larta në grurë e misër, për punë me cilësi të mirë, për zbatimin e orait të punës. Kurse ju, katran me bojë, në vëndnumëro. Le që ç’them? Jo në vëndnumëro por po ecni prapa, si gaforrja e detit në Karaburun…” Këtu e ndërpreu pak fjalën kryetari. Po i pikonin djersë nga vapa e qershorit ndaj nxorri shaminë me kuadrate dhe fshiu qafën, pastaj mustaqet e verdha për shkak të tymit të cigarve. Disa burra, ndërsa dëgjonin, filluan gërmimin e dheut me kleçka afër këmbëve të bëra kryq. Ndërkohë kryetari namuzlli vazhdoi fjalimin: ”Po doemos, nuk mund të priten rezultate të mira kur punët shkojnë rrukupujë këtu te ju. Del tjetri në punë afër drekës, siç del Shaqo Kokërdhoku, për shembull, e ndonjë tjetër e kërkon të bëhet norma. Dhe pasataj qahet se normat na qënkëshin të mëdha. Doemos, dembelit çdo normë i duket e lartë”. Shaqo Kokërdhoku, burrë bullafiq, sapo dëgjoi t’I përmendej emri krruajti kokën dhe buzëqeshi. Drejtoi sytë nga bashkëshortja e cila, po dëgjonte me gjith qënien e saj kritikën e kryetarit që vazhdonte ligjerimin: “Po si qënkan të mëdha normat? Pse nuk qënkan të tilla tek brigadat e tjera? Më mirë thoni se nuk jeni të çëkes, se jeni dembelat e Stambollit, se për të bërë normën shpejt e shpejt nuk prashitni mirë e me cilësi, se barishtet i mbuloni me dhe’në vënd që t’i shkulni me gjith rrënjë. Më kanë thënë se ka nga ata këtu te ju që janë fare të pakujdesëshëm në punë se, në vënd të prashitin misrin e presin atë me shatë duke ua bërë kështu hyzmetin barishteve të këqia. Po doemos kështu do të ndodhë kur nuk dallon dot misrin nga grami, siç nuk e dallon dot, siç më kanë rrëfyer, Shaqo Kokërdhoku. Turp e faqe e zezë. Por , ta dini se…” Nuk mund të vazhdonte më tej kryetari sepse Ladua,gruaja e bëshme, nuk duroi dot më. Asaj i kishte ndryshuar çehrja dhe turfulloi si pelë e hazdisur: -”Oj, oj, kjo qënka ç’na qënka. Kush ta paska thënë ty shoku kryetar se Shaqua, pritka misrin dhe prashit gramin,nga që gjasme nuk e njihka bimën e misrit? Unë e di se këto broçkulla t’i ka fërshëllyer në vesh brigadieri. Ai ka mbushur dynjanë duke sharë e mbajtur nëpër gojë Shaqon e ca të tjerë, e ca të tjera…!” Ladua u kurdis keq dhe nuk kishte burrë nëne ta ndalte… “Edhe ti, shoku kryetar, që kur ke filluar të flasesh një e dy e ngri e ul Shaqon, atë mer si shëmbull të keq. Pse ore mbaruan burrat e tjerë të brigadës? Ja tek i ke përpara të gjithë, sa një ka’ balash është gjithsecili”. Tha këto Ladua dhe u ul e nevrikosur nën hijen e shelgut.Kryetari namuzlli, u vrejt në fytyrë. Ai e dinte se Shaqoja vetë do të dëgjonte dhe do të ulte kokën. Si gjithnjë. Por nuk e priste këtë reagim të asaj gruas që sapo foli. U mendua pak, fshiu mustaqet e verdha me kurrizin e dorës dhe iu drejtua Lados: -Na moj ti shoqe, prit moj prit, mos mer si pushka e jevgut. Po ti ç’ke që hidhesh përpjetë kur unë kritikoj burrin e botës, Shaqon? -Si ç’paskam? Shaqua është im shoq, është bashkëshorti im, nuk është burr’ i botës. Unë e di se ç’heq kur e laj atë dhe rrobat e tij tërë djersë nga puna e madhe në kooperativë. Nuk e fut në krevat pa e larë, kudërmon era djersë. Pse? Sepse i bie bretku në punë. Dhe shpërblimin , ja tek ja dhe këtu në mes të mexhilizit ti, o kryetar-vazhdoi ajo tepër e nxehur.. - Ashtuuu? Më falni se nuk u njoh mirë ju gra të kësaj brigade. Megjithatë unë thashë të vërtetën. Po ti, moj shoqe,mos u lebetit sikur të ka kafshuar grerëza se , në fund të fundit, kritikë po i bëj sos se po i pres hallatet Shaqos dhe ti të kesh të drejtë të kërcesh përpjetë, të ulërish e të thuash ububu. Tha këto kryetari namuzlli dhe e mbylli mbledhjen. Kritika kishte bërë efekt. Hodhi xhaketën në supin e djathtë dhe çau ferrën…
Comentarios